2014-09-07 12:54:52

Kamerun. Imzot Kleda: Kisha po rritet, por duhen garantuar të drejtat


Bashkësi “optimiste” për të tashmen e për të ardhmen, ku rritet numri i të pagëzuarve dhe i thirrjeve. Njëkohësisht, bashkësi pararojë e të drejtave njerëzore dhe e drejtësisë. Të tillë e paraqesin Kishën e tyre ipeshkvinjtë e Kamerunit, që përfunduan vizitën ad Limina, në Vatikan. Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore, Imzot Samuel Kleda, foli para mikrofonit tonë për sfidat baritore më të ngutshme: RealAudioMP3
Sfidat tona baritore bëjnë pjesë në kornizën e ungjillëzimit të ri, domethënë: si ta shpallim Ungjillin në mënyrë të tillë, që të prekë zemrën e çdo besimtari dhe çdo besimtar të shndërrohet prej tij. Për të realizuar këtë objektiv duhet të ngulim këmbë tek katekizmi dhe tek veprimtaritë baritore në përgjithësi, duke kërkuar që të gjithë të veprojnë si dëshmitarë të vërtetë të Jezusit, mbi të gjitha në shoqëri. Sfidat, ose më mirë shqetësimet baritore, janë të shumta, si drejtësi, të drejtat, gjendja e familjes. Për t’i zgjidhur të gjitha këto probleme duhet të nisemi para së gjithash nga kumtimi i Jezu Krishtit në Kamerun, që prek zemrat e çdo besimtari.

Ju parapëlqeni të flisni për shqetësime, a bëjnë pjesë këtu edhe sektet?

Po, është e vërtetë, ka besimtarë katolikë që e braktisin Kishën dhe hyjnë tek sektet. Sektet, në vetvete, për mendimin tim, nuk përbëjnë ndonjë kërcënim. Megjithatë, disa prej tyre, si “Rose Croix” (sekt ezoterik pseudokristian) dhe Masoneria, që mbledhin anëtarë nga kuadrot, mund të përbëjnë problem, sepse i shtyjnë disa të krishterë të bëjnë jetë të dyfishtë. Prandaj, puna jonë është t’i rrënjosim besimtarët tanë në fenë në Krishtin, që t’i shmangen jetës së dyfishtë.

Asambleja e dytë e Posaçme e Sinodit të Ipeshkvinjve për Afrikën pati si temë: “Kisha në Afrikë në shërbim të pajtimit, të drejtësisë dhe të paqes”. Si angazhohet Kisha në Kamerun, për t’i vënë në zbatim këto vlera?

Po punojmë shumë për drejtësinë dhe pajtimin. Për sa i përket pajtimit, kërkojmë para së gjithash të hyjmë në dialog me shoqërinë. Për shembull, në zgjedhjet politike Kisha luan një rol aktiv, me anë të formimit të vëzhguesve të krishterë, që punojnë në këtë drejtim. Edhe Konferenca Ipeshkvnore boton rregullisht letra baritore dhe ipeshkvinjtë kërkojnë të dialogojnë me udhëheqësit politikë për të ndihmuar pajtimin. Kur ka konflike ndërhyjnë për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje paqësore.

Çfarë bën Kisha në Kamerun për familjen dhe si po përgatitet për Sinodin e tetorit?

Për sa i përket Sinodit, i cili është përgatitur si duhet, i jemi përgjigjur pyetësorit, por Provania deshi që ipeshkvijtë e Afrikës Qendrore t’u kushtonin dy seanca pikërisht sfidave të familjes në Afrikën e sotme. Jemi duke punuar seriozisht që familja afrikane të bëhet me të vërtetë ajo “Kishë shtëpiake”, për të cilën fliste Sinodi i parë për Afrikën.








All the contents on this site are copyrighted ©.