2014-09-07 12:56:18

E diela XXIII gjatë vitit A


Leximi i Parë (Ez 33,7-9)

Ty, o biri i njeriut, unë të kam vënë për rojtarin e shtëpisë së Izraelit. Kur ta dëgjosh një fjalë prej gojës sime, qortoji ata në emër tim. Në qoftë se unë të them për të paudhin: ‘I paudhë, do të vdesësh!’, e ti nuk i thua që i patenzoni të largohet nga udha e tij e mbrapshtë, i paudhi do të vdesë në fajësinë e vet, kurse unë gjakun e tij do ta kërkoj prej dorës sate. Por, në qoftë se e qorton të patenzonin, që të kthehet nga rruga e vet e ligë, kurse ai nuk kthehet, ai do të vdesë në fajësinë e vet, por ti e ke shpëtuar jetën tënde.

Nga Psalmi 95 (94)

Ref. O Zot, bëj ta dëgjojmë zërin tënd

Ejani t’i këndojmë Zotit,
t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falenderim,
t’i këndojmë këngë hareje!

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij,
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullotës së tij,
grigja që ai ruan.

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
kur etërit tuaj më vunë në sprovë:
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

Leximi i dytë (Rom 13, 8-10)

Askujt të mos i keni tjetër detyrim, përveç detyrimit që ta doni njëri‑tjetrin, sepse ai që e do tjetrin, e ka plotësuar Ligjin. Sepse: ‘Mos bëj kurorëthyerje! Mos vra! Mos vidh! Mos lakmo!’ e nëse ka edhe ndonjë tjetër urdhër ‑ është i përfshirë në këto fjalë: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ Dashuria nuk i bën keq të afërmit. Dashuria, pra, është zbatimi i përsosur i Ligjit.

Ungjilli (Mt 18, 15-20)

“Në qoftë se vëllai yt mëkaton [kundër teje], qortoje vetëm për vetëm. Në qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllain tënd. Po qe se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy njerëz të tjerë, që çdo gjë të mbështetet në pohimin e dy ose tre dëshmitarëve. Në qoftë se as ata nuk i dëgjon, tregoji Kishës. Nëse as Kishën nuk e dëgjon, mbaje si të ishte pagan ose tagrambledhës.
Përnjëmend po ju them: çdo gjë që ju të lidhni përmbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell dhe, çdo gjë që ju të zgjidhni mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.
Prapë po ju them: nëse dy vetë prej jush këtu mbi tokë, të një mendimi, luten për çfarëdo gjëje, Ati im që është në qiell, do t’ua japë. Sepse, ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, mes tyre.”


Korrigjimi vëllazëror

Pjesa e Ungjillit të sotëm vjen menjëherë pas tregimit të shëmbëlltyrës së deles së humbur dhe tregon, kështu, zbatimin konkret të saj. Nëse një vëlla ka bërë një gabim, duhet të zbatohet, në radhë të parë, korrigjimi personal; nëse nuk dëgjon, duhet të kërkojmë ndihmën e ndonjë dëshmitari; në fund do të ishte e përshtatshme të njoftohet bashkësia dhe, nëse nuk dëgjon as bashkësinë, vetëm në këtë rast duhet të konsiderohet si pagan e publikan, domethënë si dikush që ka dalë nga bashkësia.

Mëkatari është i përjashtuar

Sfondi dhe konteksti i kësaj pjese ungjillore është mëshira dhe ftesa për ta zbatuar atë me anë të faljes. Nuk bëhet fjalë aq për “çkishërim”, sa për vetëdijësimin se, pavarësisht nga përdorimi i të gjitha mjeteve të mundshme për pajtim e dialog vëllazëror, vëllai nuk e ka vullnetin e duhur për të qëndruar në bashkësi e për t’u penduar. Gjithashtu, duhet të kemi parasysh se Kisha e ruan të drejtën për t’u shprehur kundër mëkatarëve këmbëngulës, në mënyrë që të mos shkatërrohet bashkësia dhe për ta ndihmuar mëkatarin t’i thërrasë mendjes e të pendohet. Ashtu u soll edhe Shën Pali me njeriun nga Korinti, që jetonte ne incest (1 Kor 5,5-6).
Doket pendestare të Kishës së lashtë dëshmojnë seriozitetin e madh dhe koherencën me zotimet që merren kur pendohemi. Mëkatari e gjen falejn e Hyjit vetëm duke zbuluar mëshirën e tij, që vepron në Kishë, veçanërisht në asamblenë eukaristike, që bën të pranishëm shëlbimin e Krishtit.
Kisha e ushtron dhe e shpreh mëshirën dhe faljen e Krishtit kryesisht me anë të sakramentit të pendesës; por, fatkeqësisht, për shumë të krishterë, vetë shenja sakramentale e pajtimit dhe e mëshirës është zbrazur nga domethënia. Sakramenti është kthyer në një gjest të zakonshëm, pa ndikim në jetën praktike.
Njëri ndër aspektet më shqetësues të praktikës pendestare të sotme gjendet, fatkeqësisht, në faktin se shenja sakramentale shihet si e ndarë nga jeta e bashkësisë së krishterë.

Domethënia e pendesës për bashkësinë

Po ta lidhim përmbajtjen e leximeve biblike me asambletë eukaristike të së dielës, e kuptojmë menjëherë se, fatkeqësisht, shumë shpesh këto asamble nuk janë bashkësi të mirëfillta. Mungon marrëdhënia personale ndërmjet anëtarëve, ai lloj marrëdhniesh në bazë të të cilave secili ndjehet përgjegjës për vëllanë e vet. Për këtë arsye, çështja e korrigjimit vëllazëror, e faljes që duhet t’i kërkojmë bashkësisë, përveçse Hyjit, nuk gjen mbështetjen e duhur “sociologjike”, e cila është shumë e rëndësishme. Duhet të shfrytëzojmë më mirë disa elemente të ritit të meshës (si kërkesa e faljes në ritin pendestar të Meshës dhe shenja e paqes) për të kuptuar pasuritë e dokeve pendestare të Kishës.
Rrëfimi shpreh kthimin tek Hyji, por përveç kësaj, është gjithmonë edhe shenja e pajtimit me vëllezërit; na hap edhe një herë derën e Kishës dhe nga gjymtyrë të vyshkura na bën gjymtyrë të gjalla, vepruese e të përgjegjshme. Të krishterët duhet të zbulojnë edhe një herë pasojat e mëkatit në jetën e bashkësisë, për të zbuluar edhe një herë vlerën e pendesës. Me anë të rrëfimit, çdo bashkësi e krishterë end edhe një herë, me anë të hirit të Krishtit, rrjetën e grisur të bashkimit. Bashkësia mes njerëzve, ku mbretëron dashuria, është gjithmonë bashkësi pajtimi, ku ka vend edhe për korrigjimin e ndërsjellë. Bashkimi i përsosur nuk është fryt i pjekur një herë e përgjithmonë, por arritje e vazhdueshme, dhuratë që duhet ta lypim prej qiellit.

Korrigjimi dhe ndihma për të ecur përpara

Dashuria e vërtetë, falja e mirëfilltë, nuk i lë njerëzit siç janë, me të metat dhe kufizimet e tyre. Ta duash një njeri do të thotë ta ndihmosh “të rritet” në të gjitha fushat, të dëshirosh konkretisht “çlirimin” e tij nga gjithçka që është e metë dhe e ligë, të angazhohesh për humanizimin e tij të plotë. Për këtë arsye, të korrigjosh është veprim dashurie, nuk është kurrë përpjekje për të shuar energjinë dhe entuziazmin, ndryshon krejtësisht nga kritikimi.
Bashkë me ndreqjen vëllazërore, i krishteri përpiqet gjithmonë edhe t’i japë zemër vëllait. Njeriu pret nga njerëzit e tjerë diçka të ndryshme nga dhuratat materiale; pret që tjetri të ndalet pranë tij, të lidhet me të, ta vërë re dhe herë pas herë t’i thotë, në një farë mënyre, se e ka vënë re. Asgjë nuk është aq inkurajuese sa vëmendja e përhershme, respekti jo vetëm formal, fjala e mirë, e papritur. Kuptohet, kur nuk kemi të bëjmë me formula boshe, sa për rit, apo me shprehje rrethanore.

Bota e re fillon tek marrëdhëniet e përditshme

Nga Ungjilli i kësaj të diele mund të nxjerrim këtë refren: kurrë pa tjetrin. Asnjë mbyllje në vetvete nuk ka vlerë. E nuk është as punë numrash. Githçka fillon me një takim, edhe bashkësia më e vogël unë-ti, dy vetë që duhen, aftësia e dy miqve për ta kuptur menjëherë njëri-tjetrin, një nënë që përqafon fëmijën, dy njerzë që luten. E Hyji është aty, i treti mes dy vetëve, forca përbashkuese e botës. Ungjilli na thërret të mendojmë gjithmonë duke mbajtur parasysh “ne”-në. Ndërtimi i botës së re nis nga gurët fillestarë unë-ti, nga marrëdhëniet e përditshme themelore. Kur një unë e një ti e pranojnë njëri-tjetrin e bëhen “ne”, lidhja që krijohet i hap udhën Hyjit që vjen. Në fillim është lidhja. Kjo vlen edhe për vetë Trininë.
Ungjilli vë një kusht: që “ne”-ja të mos jetë ndërtuar rastësisht apo për nevojë, me dhunë apo me mashtrim, nga interesi apo nga frika, por në emër të Jezusit.
Emri i Jezusit është: dashuri e flaktë, drejtësi, paqe, butësi, zemër e dëlirë. Emri i Jezusit është “vëlla”. Nëse vëllai yt do të mëkatojë kundër teje, shko e qortoje: Hyji është fryma e bashkimit, që na shtyn drejt njët-itjetrit. Nëse vëllai yt gabon, ti shko tek ai. Ti duhet të ecësh i pari.
Por, çfarë më auotirzon të ndërhyj në jetën e dikujt tjetër? E gjitha shpjegohet vetëm me një fjalë: “vëlla”. Vetëm nëse mbart shpresën dhe gëzimin e dikujt tjetër, nëse i ke shijuar lotët e tij, nëse e do, atëherë je i autorzuar të ndërhysh.
Për të ndërhyrë në jetën e dikujt tjetër, nuk ma jep lejen e vërteta, por vëllazëria. “Do ta pranoj të vërtetën tënde, vetëm nëse është e kurorëzuar me butësinë” – thotë një poet (E. Pound).
Gjithçka që do të lidhni mbi tokë... Pushteti për të zgjidhur e lidhur nuk është pushtet juridik: ai jep mandatin themelor për të endur në botë strukturat e pajtimit: çfarë keni lidhur mes jush: njerëzit, dashuritë, shpresat, do ta gjeni të lidhur në qiell; dhe çfarë keni liruar përreth jush: energji, jetë, guxim, buzëqeshje, nuk do të harrohet, se është histori e shenjtë. Çfarë të zgjidhni, do të ketë lirinë përgjithmonë, çfarë të lidhni do të mbetet e bashkuar përgjithmonë.
Por, çfarë duhet prania e Krishtit mes nesh? Çfarë sjell, çfatë krijon? Krishti është gurra e marrëdhënieve të mira me të tjerët, shkëmbi i fortë mbi të cilin themelohet shtëpia e botës, masa e lartë e “unë”-it dhe e “ti”-së, që bëhen “ne”, ajo forcë dashurie, ku “të mbart lumi i yjëzuar”.

Inkurajimi, ashtu si edhe korrigjimi, është një nga fytyrat e shumta të dashurisë
(Nga “Fjalimet mbi lumnitë”, të Shën Leonit të Madh, papë)

Zoti thotë: “Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi, sepse do të ngihen” (Mt 5,6). Kjo uri nuk ka asgjë të përbashkët me urinë trupore dhe kjo etje nuk ka nevojë për pije të kësaj toke, por dëshiron të shuhet me anë të drejtësisë. Dëshiron të hyjnë në fshehtësinë e të mirave të padukshme dhe digjet për t’u mbushur me vetë Zotin.
Lum ai shpirt që synon të ushqehet me këtë shujtë dhe përflaket nga dëshira për këtë pije. Sigurisht, nuk do ta synonte këtë gjë, po të mos e kishte shijuar aspak ëmbëlsinë e saj. Ka dëgjuar Zotin, që thoshte: “Shijoni e shikoni sa i mirë është Zoti” (Ps 33,9). E ka shijuar më parë një kafshatë të ëmbëlsisë hyjnore. Ka ndjerë zjarrin që ndez në shpirt dashuria e epsheve të panjolla, aq sa, duke i përçmuar të gjitha gjërat tokësore, është përflakur krejtësisht nga dëshira për të ngrënë e për të pirë drejtësinë.
Ka mësuar të vërtetën e urdhërimit të parë, që thotë: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt e me të gjitha forcat” (Dt 6,5; khs. Mt 22, 37; Mk 12,30; Lk 10,27). Në të vërtetë, të duash Hyjin do të thotë të duash drejtësinë. Por, sikurse me dashurinë për Hyjin lidhet kujdesi për të afërmin, ashtu edhe me dashurinë për drejtësinë lidhet virtyti i mëshirës. Prandaj, Zoti thotë: “Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë” (Mt 5,7).
Njihe, o i krishterë, madhështinë e urtisë tënde dhe merr vesh me çfarë doktrinadh e metodash i arrin ato dhe çfarë shpërblimesh të presin. Ai që është i mëshirshëm, kërkon që ti të jesh i mëshirshëm dhe ai që është drejtësi kërkon që ti të jesh i drejtë, që krijuesi të shkëlqejë tek krijesat e veta dhe shëmbëllimi i Hyjit të vezëllejë, e përthyer në pasqyrën e zemrës njerëzore, e modeluar sipas formës së modelit.
Feja e atij që me të vërtetë e ushtron besimin, nuk ka frikë anga asnjë rrezik. Nëse do të veprosh kështu, dëshirat e tua do të realizohen dhe do t’i zotërosh përgjithmonë të mirat që do. Dhe, duke qenë se gjithçka do të bëhet e kulluar për ty, falë lëmoshës do të arrish edhe lumninë që Zoti e premton menjëherë në vijim, me këto fjalë: “Lum të pastrit në zemër, sepse do të shohin Hyjin” (Mt 5,8).
E madhe, o vëllezër, është lumturia e atij për të cilin është përgatitur një çmim kaq i jashtëzakonshëm. Çfarë do të thotë, atëherë, ta kesh zemrën të pastër, përveçse të kujdesesh për të arritur virtytet për të cilat folëm më lart? Cila mendje mund ta rrokë, cila gjuhë mund ta shprehë lumninë e pafundme që e mbush shpirtin, kur të shohim Hyjin?
E pra, tek ky cak do të mbërrijë natyra jonë njerëzore, kur të shndërrohet: do të shohë vetë hyjninë, jo më “si në pasqyrë, as në mënyrë të vagët, por sy më sy” (1 Kor 13,12), siç nuk ka arritur ta shohë kurrë asnjë njeri. Do të arrijë me gëzim të patregueshëm kundrimin e amshuar të atyre gjërave që “asnjë sy nuk i pa, asnjë vesh nuk i dëgjoi dhe nuk hynë kurrë në zemrën e anjë njeriu” (1 Kor 2,9).








All the contents on this site are copyrighted ©.