2014-09-05 15:49:44

Paqe e dialog në audiencat e Papës me Peres e bin Talal


Lindja e Mesme, paqja e dialogu ndërfetar, në plan të parë në dy takimet e djeshme të Papës. Françesku u takua së pari me Shimon Peres, ish-president i Shtetit të Izraelit, e më pas, me princin El Hassan bin Talal të Mbretërisë hashemite të Jordanisë. Atë Federiko Lombardi, drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit, në mikrofonin tonë, flet për këto dy audienca: RealAudioMP3

Përgjigje: - Ati i Shenjtë pati dy audienca me karakter privat, mjaft domethënëse. E para ishte ajo me ish-presidentin e Izraelit, Shimon Peres. Peres pati kërkuar një takim me Papën për ta informuar për veprimtarinë dhe projektet e tij ose, më mirë të themi, për nismat në dobi të paqes në këtë kohë, kur e ka lënë veprimtarinë politike të drejtpërdrejtë. Ishte audiencë e rëndësishme, e gjatë. Papa deshi të kishte kohë të mjaftueshme, falë edhe nderimit që ka për Shimon Peres, të cilin e ka quajtur “Njeri i paqes”, “Burrë shteti largpamës”,“me horizont shumë të hapur”. Françesku foli me Peres, me përkthyes, për më se tre çerekë ore, e Peres mundi t’i flasë gjerë e gjatë për projektet e tij, për nismat në favor të paqes, edhe me ndihmën e liderëve të ndryshëm fetarë. Papa, personalisht, nuk mori angazhime të veçanta. Por, natyrisht, tregoi gjithë vëmendjen e mundshme dhe shprehu respektin e tij të thellë për nismat e ish-presidentit Peres, duke e garantuar edhe për vëmendjen e dikastereve të Kurjes Romake, të angazhuara posaçërisht në këtë fushë e, në mënyrë të posaçme, të Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar dhe Këshillit Papnor për Drejtësi e Paqe, me në krye kardinajtë Tauran e Turkson.

Pyetje: - Njëlloj e rëndësishme, audienca me princin hashemit, bin Talal…

Përgjigje: - Ishte audiencë analoge si tip e si zhvillim, sepse edhe princi jordanez i paraqiti Papës veprimtarinë e Fondacionit, të Institutit, themeluar e drejtuar prej tij, gjithnjë në shërbim të dialogut e të angazhimit ndërfetar në favor të paqes, në kontekstin aktual të dhunës, në favor të vlerës së dialogut ndërmjet feve për mbrojtjen e dinjitetit të njeriut e të paqes, të ndihmës që u duhet dhënë të varfërve në kohët e vështira të globalizimit, të edukimit të të rinjve me frymën e vëllazërimit, ngulmimit mbi respektimin e dinjitetit të njeriut... Dhe e gjithë kjo, për t’u çuar përpara, në bashkëpunim të ngushtë me fetë, që pranojnë një parim të përbashkët, të shprehur në rregullën e artë, që ne e njohim dhe e gjejmë në Ungjill: “ Mos ia bëj kujt atë, që nuk dëshiron të ta bëjnë ty!”. “Bëji tjetrit, atë që të pëlqen të ta bëjnë ty!”. Ja, pra, kjo është baza, emëruesi i përbashkët, mbi të cilin fetë e mëdha takohen për kauzën e paqes e të së mirës të mbarë njerëzimit. Edhe audienca me princin jordanez ishte e gjatë, më se një gjysëm ore. Papa e vlerësoi shumë dhe e quajti kuptimplote.

Pyetje: - Si e quajtën gazetarët, thënë me dy fjalë, nismën “OKB-ja dhe fetë”, propozuar nga Shimon Peres?

Përgjigje: - Po: Peres i foli Papës për këtë propozim, për perspektivën e këtij angazhimi. Papa është njëmendjeje me ish-presidentin Peres. Për dy dialoguesit, nisma e lutjes për paqen, këtu, në Vatikan, me pjesëmarrjen e Peres e Abu Mazen, nuk duhet konsideruar aspak si diçka e dështuar, pas ngjarjeve që ndodhën. Përkundrazi. Duhet parë si hapje e një porte, që nuk u mbyll më. Kjo portë vijon të jetë e hapur në dy kapakët. E duke kapërcyer pragun e saj, nismat e vlerat mund të inkurajohen, të zhvillohen, të shkojnë përpara. Kështu, nuk mund të flitet për dështimin e kësaj nisme, përkundrazi, duhet çmuar vlera e saj si nisje e udhëve e proceseve të reja.








All the contents on this site are copyrighted ©.