2014-09-05 15:50:58

Festa e Nënë Terezës. Anxhelo Komastri “Sekreti i Nënë Terezës”


Sot, 17 vjetori i ditëlindjes së Nënë Terezës për qiell e dita e festës së saj liturgjike, po e kujtojmë Të Lumen me një shkrim të kardinalit Anxhelo Komastri, titulluar. “E fshehta e Nënë Terezës”:RealAudioMP3
“Nënë Tereza u shpall e lume në një kohë rekord; vetëm gjashtë vjet pas vdekjes! E tashmë të gjithë e konsiderojnë Shenjtore.
Gjthsesi, nuk duhet harruar se Nënë Tereza është njeri ‘që bezdis’.

Bezdis, si rrezja e diellit kur ndriçon një mur të mykur, duke i vënë në pah njollat.
Trazon, si njeriu i ndershëm, në mes një zhgani hajdutësh.
Shqetëson, si zemra e përvuajtur, mes njerëzve pa zemër.
Prish rehatin, si i varfri, që shtrin dorën për një kothere në derën e një diskoteke.
Sëkëlldis, si një nënë me dy fëmijë ngrykë, që kalon para klinikës së aborteve.
Nënë Tereza vijon të prishë komoditetin e shumëkujt, edhe sot, kur e kujtojmë në ditëlindjen e saj për qiell.
Doni një provë? Ta lëmë vetë atë, të na flasë, sepse ajo vijon t’i flasë botës. Ja, një fjalë e thënë prej saj, e qartë, por krejt e bezdisshme për shumëkënd:
“Nëse në vendin tuaj lejoni abortin, atëherë do të katandiseni në një skutë shumë të varfër! Aq të varfër, sa të tmerrohet deri nga fëmijët”.
Një tjetër mendim i ndritshëm, por tejet kundër rrymës, që ia pati drejtuar një grupi të gërbulurish: “Sa herë që Zoti shikon pëllëmbën e dorës së vet, sheh aty fytyrat tuaja. Prej këndej, çdo jetë është e çmuar; e, pa dyshim, edhe ju, të gërbulurit, jeni fort të çmuar para syve të Zotit”.
Ja një paraqitje e Marisë, origjinale e, njëkohësisht, fort besnike:
“Zoja e Bekuar ishte ‘dama e parë e bamirësisë’. Por para se të bëhej e tillë, u zbraz krejtësisht nga vetvetja e u bë skllave e Zotit”.
E ja edhe një normë jete, në shoqërinë e sotme, të pushtuar nga ethet e të gjitha natyrave, sidomos të dhunës e të prepotencës. Mund të duket me shije foshnjarake, ndërsa, në të vërtetë, është margaritar i urtisë: “Më pëlqen më shumë të bëj gabime me mirësjellje e mëshirë, sesa mrekulli me mburrje, vrazhdësi e prepotencë”.
E së fundi, një lexim “vërtet i bezdisshëm” i varfërisë njerëzore: “Të varfrit kanë uri për bukë, por sidomos, për Zotin. Fatkeqësia më e madhe në Indi është mosnjohja e Jezu Krishtit; e pa Jezusin, si mund të njihet vlera e jetës njerëzore?”.
Kush është, atëhere Nënë Tereza? Është e dashuruara me Zotin, e shituara nga Jezu Krishti i Kryqëzuar, në të cilin pa fytyrën e Hyjit, si “fytyrë e dashurisë” e provoi etjen e Tij, si etje për dashuri. E iu përgjigj kësaj dashurie me gjithë jetën. Nga ditëlindja për tokë, tek ditëlindja për qiell, 17 vjet më parë.
E fshehta e Nënë Terezës, është e fshehta e vetë krishterimit. Përmblidhet me dy fjalë të vetme: “Zoti është dashuri”.
Kur ta kuptojmë Nënë Terezën, atëhere do të kuptojmë se kush janë heronjtë tanë. E se vetëm duke gjetur dashurinë për Zotin, do të flasim, më në fund, me gjuhën e dashurisë!
Urojmë të na mësojë ta kuptojmë këtë të vërtetë. E ta jetojmë pakëz më shumë!








All the contents on this site are copyrighted ©.