Patriarku Sako: genocidi i Is është kërcënim për të gjithë
Një muaj pas ikjes së qindra mijëra irakianëve – ndërmjet të cilëve, 120 mijë të krishterë,
të dëbuar nga xhihadistët e Shtetit të vetëshpallur Islamik, perdja e kësaj tragjedie
u mbyll e gjithçka u zhyt në heshtje varri, si të ishte luajtur akti i fundit e spektatorët
të ishin larguar normalisht nga salla, për t’u rikthyer në jetën e tyre normale. Po
tragjedia nuk ka përfunduar! Luhet në një skenë të pafundme, me aktorë të gjallë,
që masakrohen. E pikërisht për të flet, me dhimbje të thellë, patriarku i Kaldejve
të Babilonisë, Raphael Sako, në një mesazh, që u bë i njohur sot.
“Do
të ishte e mira që të gjithë ta dinin se “genocidi” në vijim kundër të krishterëve
paqësorë, këtyre qytetarëve besnikë, është kërcënim për të gjithë, kujton prelati,
duke denoncuar paaftësinë e shtetit irakian për të rivendosur ligjin e rendin, përballë
pasigurisë, që bëhet gjithnjë më tragjike. E kjo pasiguri e shtetit, bëhet siguri
për grupet ekstremiste, që vijojnë të depërtojnë deri në skutat e jetës, duke lënë
pas vetëm gërmadha të gjakosura. Ndërsa njerëzit vuajnë, vijon denoncimi i patriarkut,
politikanët luftojnë ndërmjet tyre për të fituar pozita, në vend që të bashkoheshin
për të zbuluar shkaqet e ekstremizmit e për të gjetur rrugëdalje, para se të jetë
tepër vonë. Patriarku i drejtohet edhe bashkësisë së krishterë irakiane, duke
i kërkuar të mos e shikojë emigrimin si rruga më e shkurtër, për të shpëtuar nga ky
tmerr, por ta përballojë situatën, ta shmangë rrezikun e shfarosjes e të vijojë të
jetojë në vend të vet, për të qenë tharm në shoqërinë e trandur nga ndeshjet sektare. Këshillon,
pastaj, krijimin e një skuadre, për t’i marrë në dorë problemet më të mprehta, që
kanë të bëjnë me zgjidhjen e krizës. Skuadra duhet të ketë si detyrë kryesore të mbledhë
të dhëna për numrin dhe vendvendosjen e familjeve të ikura, në mënyrë që t’i kërkojë
qeverisë shpërblimin për dëmet e pësuara e për pronat e humbura, të rëna në dorë të
xhihadistëve. Propozon edhe krijimin e një komiteti për edukimin, që të regjistrojë
emrat dhe gjendjen e studentëve të shpërngulur, për të kërkuar, më pas, nga qeveria
e Kurdistanit t’i pranojë në shkollat dhe universitetet e vendit ku ndodhen, që të
mos e humbasin vitin shkollor. Lidhur me ardhmërinë e zonave të rëna nën kontrollin
e të vetëshpallurit “Kalifat” patriarku mendon se duhet të ndërhyjë Këshilli i Sigurimit
i OKB-së, duke krijuar një forcë paqeruajtëse, në bashkëpunim me forcat irakiane të
sigurimit dhe Peshmergët kurdë që të çlirohet sa më shpejt Rrafshi i Ninives, duke
u krijuar refugjatëve mundësinë të rikthehen ndër vatrat e tyre. Sipas kreut të Kishës
kaldease, duhen krijuar forca të policisë vendase, të përbëra nga përfaqësues të të
gjitha etnive të pranishme në Rrafshin e Ninives, për të mbrojtur fshatrat, siç parashikohet
dhe nga Ligji, i paraqitur prej qeverisë së Bagdadit. Prelati kërkon edhe një
bashkëveprim energjik me botën myslimane, për t’i dhënë fund çdo përpjekjeje të ligjërimit
të një feje të vetme, të financimeve dhe të dërgimit të milicëve në mbrojtje të xhihadistëve,
duke siguruar, kështu, bashkëjetesën paqësore me të drejta të barabarta të të krishterëve
e bashkëqytetarëve të tyre. Duke shikuar perspektivën, kërkon të rishkohen edhe
programet shkollore e universitare, për të favorizuar zhvillimin e një kulture, që
i pranon larmitë, pluralizmin dhe barazinë ndërmjet qytetarëve, duke i parë si ilaç
për shërimin e çdo fanatizmi me vulë fetare”.