2014-09-03 11:36:43

Imzot Tomasi: të ndalohet Is, mund të kemi pasoja shkatrrimtare


Në Irak, sipas njoftimeve, që vijnë nga vendi, xhihadistët e Shtetit Islamik duhet të jenë tërhequr nga një sërë fshatrash në jug të Kirkukut.RealAudioMP3 Ndërkaq Amnesty International denoncon ekstremistët, që kanë nisur fushatën e spastrimit etnik në veri të vendit, duke u ngarkuar me krime të rënda lufte kundër pakicave etnike dhe fetare. Përballë një situate të tillë, Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut vendosi dje të dërgojë një mision në Irak. Të dëgjojmë vëzhguesin e përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë zyrës së Kombeve të Bashkuara të Gjenevës, imzot Silvano Maria Tomasi-n, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Bashkësia ndërkombëtare e shikon si detyrë mbrojtjen e të drejtave themelore të këtyre njerëzve, përmes mjeteve, që i janë besuar si Kombe të Bashkuara, domethënë, përmes Këshillit të Sigurimit, Këshillit për të drejtat e njeriut e kështu me radhë. Ndërkaq këtu, në Gjenevë, përfundoi sesioni i posaçëm i Këshillit për të drejtat e njeriut, kushtuar Irakut. U miratua njëzëri rezoluta, që kërkon të dërgohet një mision hetimor në Irak, për të dokumentuar dhunën e ushtruar, në mënyrë që, më pas, t’i nxjerrë fajtorët para gjyqit e të mos lejojë t’i shpëtojnë dënimit. Do të ishte nxitje që, grupe të tjera, të kryenin të njëjtat krime.

Pyetje: - Pra, sipas jush, po thellohet vetëdija për rrezikshmërinë e Shtetit islamik?

Përgjigje: - Fakti që vërehet ky reagim i koordinuar, ky dënim universal, me sa duket, tregon se rreziku nuk kufizohet vetëm në veri të Irakut dhe në bashkësitë, që janë goditur drejtpërdrejt. Por edhe se t’i lësh të vijojnë përparimin në vise të tjera, duke fituar terren, është krejt e palejueshme. Një gjë e tillë duhet parë si rrezik i madh, që mund të ketë pasoja tejet të rënda. U duhet prerë, prandaj, rruga një herë e përgjithmonë, këtyre mercenarëve të ardhur nga Evropa e vise të tjera, për të lënë pas vdekje e shkatërrim tronditës.

Pyetje: - Si janë pritur thirrjet e vazhdueshme të Papës për paqe?

Përgjigje: - Besoj se forca me të cilën Papa ka bërë thirrje të vazhdueshme, duke i ftuar të gjithë të luten e ta njohin sa më thellë situatën, ka ndikuar mbi opinionin publik të shteteve. I ka nxitur të lëvizin, të bëjnë diçka konkrete. E, duke kaluar nga fjalët, në vepra, ta çarmatosin sa më shpejt dorën e agresorit të padrejtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.