Papa: Shpirti, jo diplomat, i japin identitet të krishterit
Autoriteti i të krishterit vjen nga Shpirti i Shenjtë, jo nga dija njerëzore e as
nga diploma në teologji. Këtë nënvizoi sot Françesku gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar
në Shtëpinë e Shën Martës. Papa pohoi se njeriu është i krishterë, kur ka Shpirtin
e Krishtit, e jo shpirtin e botës. Njerëzit çuditeshin
nga mësimet e Jezusit, sepse Fjala e Tij kishte autoritet. Prej këtij fragmenti të
Ungjillit të sotëm e mori shtytjen Françesku, për t’u ndaluar pikërisht tek natyra
e autoritetit të Zotit e, si pasojë, edhe e të krishterit. Jezusi, vërejti, nuk ishte
predikatar i zakonshëm, sepse autoriteti i Tij vinte nga vajimi i posaçëm i Shpirtit
të Shenjtë. Jezusi, vijoi, është Bir i Hyjit, i vajuar e i dërguar për të sjellë shëlbimin,
për të sjellë lirinë. E disa, shtoi, shkandulloheshin nga ky stil i Jezusit, nga identiteti
i Tij e nga liria e Tij: “E ne mund të pyesim veten: ‘çfarë identitei kemi?’.
Na e kujton Pali, që thotë: ‘Për këto sende, ne nuk flasim me fjalë të këshilluara
nga dija njerëzore’. Pali nuk predikonte sepse kishte bërë ndonjë kurs në Lateranense,
në Gregoriana…. Jo, jo, jo! Dija e tij nuk ishte njerëzore! Ishte fryt i mësimeve
të Shpirtit të Shenjtë: Pali predikonte me vajimin e Shpirtit, duke shprehur sendet
shpirtërore të Shpirtit me terma shpirtërore. Po njeriu, i lënë në fatin e forcave
të veta, nuk i kupton sendet e Shpirtit të Zotit: njeriu, i vetëm, nuk mund t’i kuptojë
këto”. E për këtë, kujtoi, nëse ne, të krishterët nuk i kuptojmë mirë sendet
e Shpirtit, nuk japim e nuk ofrojmë një dëshmi, atëherë nuk kemi as identitet. Për
ta, vijoi, këto sende të Shpirtit të Shenjtë janë marrëzi, sepse nuk janë në gjendje
t’i kuptojnë. Ndërsa njeriu, i frymëzuar nga Shpirti i Zotit, është në gjendje të
gjykojë çdo gjë, është i lirë: “Tani, ne kemi mendimin e Krishtit, domethënë
të Shpirtit të Krishtit. Ky është identiteti i krishterë. Nuk kemi shpirtin e botës,
nuk mendojmë e as nuk gjykojmë si bota…Ti mund të kesh pesë diploma në teologji, e
megjithatë, të mos e kesh Shpirtin e Zotit! Ndoshta-ndoshta do të jesh teolog i madh,
por i krishterë nuk je, sepse nuk e ke Shpirtin e Hyjit! Ai, që të jep autoritet,
të jep identitet, është Shpirti i Shenjtë, vajimi i Shpirtit të Zotit”. Prandaj,
tha Papa, populli nuk i donte ata predikatarë, ata doktorë të ligjit, sepse vërtet
flisnin për teologji, por fjalët e tyre nuk hynin në zemra, nuk jipnin liri. Ata,
shtoi, nuk ishin të aftë të vepronin në mënyrë që populli të gjente identitetin e
vet, sepse nuk ishin të vajuar nga Shpirti i Shenjtë:“Autoriteti i Jezusit - e
edhe autoriteti i të krishterit, vijnë pikërisht nga kjo aftësi për t’i kuptuar sendet
e Shpirtit, për të folur gjuhën e Shpirtit. Vijnë nga vajimi i Shpirtit të Shenjtë.
E sa e sa herë ne gjejmë ndërmjet besimtarëve tanë, plaka të thjeshta, të cilat ndoshta
nuk kanë kryer as shkollën fillore, që flasin për gjërat shumë më bukur se teologu,
sepse kanë Shpirtin e Krishtit. Atë, që ka Shën Pali. E ne të gjithë duhet ta kërkojmë
këtë: “O Zot, na e jep identitetin e krishterë, atë, që e kishe Ti vetë. Jepnae Shpirtin
tënd. Na e jep hirin të mendojmë si Ti, të ndjejmë si Ti, të flasim si Ti! Zot, na
e jep vajimin e Shpirtit Shenjt!”.