Nëna jonë Terezë, ndërmjet dy ditëlindjeve: për tokë e për qiell. Kathryn Spink, fragment
nga “Mision dashurie”
Sot, një fragment nga “Mision dashurie”1, vepër e Kathryn Spink, botuar më
1997 e ribotuar tri herë. Është një nga jetëshkrimet më të lexuara të Nënë Terezës,
miratuar nga vetë e Lumja. Zgjodhëm, për sot, fragmentin e titulluar “Boshllëku shpirtëror
në Perëndim”.
“Kur e takova
për herë të parë Nënë Terezën, nuk arrita ta kuptoj pse kishte frikë që vëmendja e
mjeteve të komunikimit mund të fokalizohej tepër mbi varfërinë e Indisë, duke harruar
gjëra shumë më të rëndësishme. Kishte nisur të shtegtonte nëpër botën perëndimore.
Kishte vizituar Londrën, e shoqëruar nga Simon Community (organizatë që ndihmon të
pastrehët). Kishte parë lokalet me drita të kuqe, qendra të prostitucionit, në Soho
e njerëzit që flinin nën strehët e skelave të Kishës San Martin’s in the Fields, kishë
në qendër të Trafalgar Square. Ndërsa ecte ndërmjet të alkoolizuarve e shitësve të
drogës, një i ri i veshur me sqimë, kishte marrë një dozë vdekjeprurëse në sytë e
saj, duke e sqaruar se dëshironte të vdiste, sepse e ëma nuk e donte. Pa me sytë
e saj varfërinë e tmerrshme të perëndimit, zbraztësinë shpirtërore, vetminë, krizën
e familjes që, për të ishte problem shumë më i vështirë, se mjerimi fizik i së ashtuquajturës
botë e tretë. Duke pasur parasysh pamjet e mjerimit material të Indisë a të Afrikës,
që më kishin lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirt, nuk doja që libri im të ndalohej
shumë mbi aspektet e mjerimit perëndimor. Më dukej më e arsyeshme ta merrja për dore
lexuesin e ta ndihmoja të njihte të varfrin e vendit të vet, atë që e ka në prag të
shtëpisë së vet, në gji të familjes së vet. Pa kërkuar shumë rrugëve e rrugicave,
viseve e kontinenteve... Por me që varfëria ka njëmijë fytyra, m’u desh të gërmoj
edhe në jetën e të pasurve, të njerëzve të pushetshëm, për të parë me sytë e mi, ndonëse
jo për herë të parë, mjerimin e saj. Ndërmjet mundësive, që m’u krijuan pas botimit
të librit kushtuar misionit ndërkombëtar të Nënë Terezës, mora ftesën të shkruaj
skenarin për një film mbi jetën e saj. U mundova që skenari t’i qëndronte sa më besnik
fakteve. Po kur prodhuesit më të mëdhenj të filmave e lexuan, më kërkuan të bëj ndryshime
themelore. Shpjegimi i Nënë Terezës se gjithçka që bënte, e bënte nga dashuria për
Jezusin, nuk u shkonte për shtat këtyre njerëzve. Donin ta shndërronin në një personazh,
që nuk kishte të bënte fare me Nënë Terezën. Financuesit e filmit nuk e kuptonin,
ashtu si nuk arrijnë ta kuptojnë as sot e kësaj dite shumë njerëz të tjerë që merren
me jetën e Nënës, se ajo nuk kishte kurrfarë “plani të fshehtë’. Aq më pak e kuptonin,
e e kuptojnë, si ish e mundur që Nënë Tereza ta shikonte pasurinë e pushtetin e tyre,
si forma më e rëndë e varfërisë. Shumë më e shëmtuar se ajo e trupave skeletike që,
nga ekranet, i drejtonin njerëzimit një mesazh rrënqethës. Atëherë e kuptova
pse Nënë Terezën e shqetësonte ajo, që donin të realizonin prodhuesit me jetën e
saj. Për fat më pas erdhi Dominik Lapierre e arriti të realizojë filmin prekës “Qyteti
i gëzimit”. Filmi i tij ia hapi sytë botës, jo vetëm për të parë kushtet e tmerrshme
të jetesës në lagjet e varfra të Kalkutës, por edhe frymën e humanitetit të njerëzve,
që i popullojnë, njerëz që dinë të ndajnë bashkë atë pak që kanë, duke dëshmuar epërsinë
e pasurisë shpirtërore, mbi atë materiale të njerëzve, që e kanë humbur shpirtin.
Solli një mesazh jete, përballë mesazhit të vdekjes, mesazh shprese e gëzimi, përballë
mesazhit të zbraztësisë shpirtërore, që sundon mbi botën e pasur. Arriti,
kështu, çasti, kur Nënë Tereza më ngarkoi detyrën të shkruaj një libër për lidhjet
e saj me bashkëpunëtorët e sëmurë e të vuajtur. Pas vdekjes së saj dhe botimit
të biografisë sime të autorizuar, nisën të më pyesnin shpesh ç’gjë më kishte lënë
më shumë mbresë nga takimet me Nënë Terezën: më ka lënë më shumë mbresë shkrirja e
saj në Korpin e Krishtit, që erdhi t’i çlirojë gjithë njerëzit, jo vetëm ata që jetojnë
sipas shembullit të Tij, por pikërisht të gjithë, njerëzit e çdo race, të çdo klase
shoqërore e të çdo kombi. Çdo shpjegim tjetër për veprimtarinë e Nënë Terezës, i bie
ndesh figurës e veprimtarisë së saj. 1 Rusconi, Milano, 1985