2014-09-02 15:27:41

Ju kumtojmë Lajmin e Mirë - Herodi përballë Jezusit


Në rubrikën “Ju kumtojmë Lajmin e Mirë”, jemi në kapitullin e gjashtë të Ungjillit sipas Markut, ku tregohet se emri i Jezusit ishte bërë aq i njohur, sa për të kishte dëgjuar edhe mbreti Herod. RealAudioMP3 Me shumë pak fjalë, Marku tregon trazimin e Herodit kundrejt Jezusit, për të cilin mendon: “Gjon Pagëzuesi është ringjallur nga të vdekurit, prandaj vepron me fuqinë e mrekullive” (v.14).
Trazimi i Herodit, sikurse trazimi i kryepriftërinjve dhe i krerëve të popullit përballë Jezusit e përshkon tërë ekzistencën tokësore të Birit të Hyjit, që nga lindja, në Betlehem, deri në vdekje, në Golgotë. Paraqitja e Jezusit në jetën e njerëzve ngjall dy reagime: besimin në Krishtin dhe ndjekjen e tij me gëzim e vendosmëri, ose trazimin që mbetet në shpirt nga mospranimi i dashurisë, që ai sjell nga qielli. Kush beson në Jezusin nuk rravgon me mendime, duke kërkuar me cilin personazh të historisë ta krahasojë apo përnjëjtësojë, por i rrëfen me çiltërsinë e fesë: “Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë!”, siç bëri Pjetri. Feja nuk e çliron njeriun menjëherë nga mendësia tokësore, sepse mbetet në përfytyrimin tonë shëmbëllimi i lavdisë së gabuar. Pjetri, për shembull, e qorton Jezusin kur ai paralajmëron mundimet dhe vdekjen. Megjithatë, feja nuk lejon që njeriu të mbetet i ngatërruar në leqet e gabimeve të veta, sepse krijon vetëdijen se Jezusi ka ardhur për të na zgjidhur nga fajet, prandaj frymëzon besimin e plotë kundrejt tij.
Herodi mbetet i ngatërruar në fajin e vet. Ai kishte dhënë urdhër t’i pritej koka Gjon Pagëzuesit, sepse këtë ia kishte kërkuar Herodiada, gruaja e të vëllait, me të cilën jetonte. Dhe, meqë jetonte në gabim, i del përpara figura e atij, që i kujtonte gabimin.
Por, cili është dallimi ndërmjet Jezusit dhe Gjonit? Gjoni, si të gjithë profetët, edhe pse “më i madhi ndër të lindurit nga gruaja” (Lk 7,28), mundet vetëm të ketë shikimin e qartë për të dalluar gabimin nga e vërteta, por jo fuqinë për t’i falur mëkatet, ndërsa Jezusi, Qengji i Hyjit, e shlyen mëkatin e botës, e sheshon udhën e takimit të mëkatarit me të. Herodi mbetet peng i mëkatit të vet, prandaj nuk shikon përtej Gjon Pagëzuesit dhe, duke dëgjuar për Jezusin, thotë me vete: “Gjoni, për të cilin urdhërova t’i pritej koka, është ringjallur” (v.16). “Ndërsa të tjerë thoshin: ‘Është Elia’ e të tjerë ende: ‘Është një ndër profetët’” (V.15). Jezusi mund të hyjë si Zot në jetën tonë vetëm kur ne të pranojmë faljen e mëkateve, që ai na e sjell në emër të Hyjit.








All the contents on this site are copyrighted ©.