2014-09-01 17:51:49

Imzot Warduni: bota të ruhet nga xhihadistët, nëse nuk do t’i gjejë në shtëpi të vet


Sekretari i Shtetit amerikan, John Kerry, bëri thirrje për një koalicion global, që t’i japë fund “programit të genocidit” të xhihadistëve të të vetëquajturit Shtet Islamik (Is). Ipeshkvi ndihmës i Patriakatit kaldeas të Bagdadit, Shlemon Warduni, duke folur në Mitingun e Riminit, theksoi se bashkësia ndërkombëtare është paralizuar përballë sulmit të ekstremistëve në Irak. E intervistuam:RealAudioMP3
Përgjigje: - Ky është mendimi ynë, sepse që në krye evropianët nuk lëvizën. U kujtuan për ne, pas një muaji e gjysëm, kur ngritëm zërin, madje bërtitëm në kupë të qiellit: “Ku është bashkësia ndërkombëtare? Ku është Evropa? Ku, Amerika?”. Deri tani janë mjaftuar ta dënojnë Is-in. Po ç’rezultate ka dhënë ky dënim? Kush ua vuri veshin? Ne duam që Evropa, Amerika e të gjithë t’i marrin punët shumë më seriozisht. Është një situatë që vë në rrezik mbarë botën. Duhet ta dinë mirë këtë, evropianët, Amerika, OKB-ja, se këto bashkësi kaq të forta islamike duan të bëjnë vetëm keq, duan vetëm të vrasin, duan t’i shkatërrojnë të gjithë, veç vetes. Po kush janë këta? Nga na erdhën? Pse duan të na shkulin me rrënjë ne, që jemi irakianë prej kohësh që s’mbahen mend, prej më se 2000 vjetësh, që jemi të krishterë 400 vjet para se të arrinin këta njerëz. Prej nga vijnë? Çfarë u kemi bërë? Kush i ndihmon? Ai që i ndihmon, është edhe më i zi, se ata vetë.

Pyetje: - Si mund të dilet, sipas jush, nga kjo gjendje?
Përgjigje: - Para së gjithash, mbarë bota duhet t’i ketë mirë parasysh këto gjëra. sepse këta duan ta shkelin nën thembër mbarë njerëzimin. Duhet ta dijë kush i nxit edhe i mbështet: me armë, me para, me gjithçka u nevojitet. Prej këndej, nëse e gjithë bashkësia ndërkombëtare nuk do të tregojë vëmendjen e duhur, mendoj se një ditë jo të largët do t’i gjejë te porta e do t’i thonë: “Përjashta!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.