2014-08-29 15:52:39

Libia në kaos. Imzot Magro: OKB-ja të ndihmojë për gjetjen e mirëkuptimit


Në Libi vijojnë luftimet. Vendi mbetet i ndarë në tri zona: filo-islamikët në Tripoli, milicitë më integraliste, në Bengazi dhe parlamenti i zgjedhur, në Tobruk. Dramatike, kushtet në të cilat jetojnë refugjatët, që kanë rënë në kurthin e konfliktit të hapur ndërmjet ndërluftueseve, ndërsa vijon të ndizet flakë polemika për raketat kundër milicive islamike, që SHBA-të ia atribuojnë Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Egjiptit.RealAudioMP3
Kështu Libia vijon të dalë jashtë çdo kontrolli, si në planin politik, ashtu edhe në atë ushtarak dhe institucional. Luftëtarët filo-islamikë të Misuratës, që faktikisht kanë marrë fuqinë në Tripoli, i përgënjeshtruan interpretimet perëndimore, që flasin për bashkimin e tyre me integralistët e Ansar al Sharia, grup pranë al Kaedës e protagonist i kalifatit të vetëshpallur të Bengasit. Vendi, e sidomos kryeqyteti, me dy asamble kombëtare, vijon të zhytet në kaos. Vijojnë plaçkitjet, polemikat e përgënjeshtrimet lidhur me raketat mbi Tripolin, në të cilat, sipas burimeve amerikane, duket se ka gisht aviacioni egjiptian, pasuar nga përgënjeshtrimi i Kairos.
Për një dëshmi të ardhur drejtpërdrejt nga vendi, të dëgjojmë mëkëmbësin apostolik të Bengazit, imzot Silvester Magro:

Përgjigje: - Që prej tri ditësh, faleminderës Zotit, këtu nuk dëgjojmë më të shtëna, sepse konflikti dhe betejat e tij vijojnë në rrethinat e qytetit. Kështu, të duket se pushuan, mbasi krismat nuk arrijnë deri tek ne. Shpresojmë, duke vijuar të lutemi, se do të vijë më në fund edhe kthesa, do të rikthehemi në jetën normale.

Pyetje: - Me sa flitet, në terren situata është e vështirë, me filo-islamikët në Tripoli, kalifatin në Bengasi e parlamentin e zgjedhur, në Tobruk. Ku po shkon kështu Libia? Drejt përçarjes?

Përgjigje: - Ne nuk kemi dëgjuar asgjë për kalifatin në Libi. Situata, në të vërtetë, është ende freskët. Duhet parë si do të zhvillohet… Kemi dy qeveri, po për kalifat nuk kemi dëgjuar gjë prej gjëje. Ne jemi gjithnjë të mbyllur, sidomos filipinet, që punojnë si infermiere. Rrimë brenda, për maturi, për t’u mbrojtur e kështu as që e dimë ç’bëhet jashtë. Ushqehemi vetëm me shpresa.

Pyetje: - Çfarë qëndrimi mbajnë njerëzit e zakonshëm? A e ndjejnë barrën e kësaj lufte?

Përgjigje: - Njerëzit e zakonshëm dëshirojnë paqen: shkojnë në punë normalisht, hapin dyqanet, pa menduar fare ç’po ndodh, dëshirojnë jetë normale, duan të jenë të sigurt, të mos kenë më frikë nga sulmet e milicëve, t’i çojnë fëmijët në shkollë, sepse shkollat tani janë të mbyllura. Njerëzit duan të marrin frymë normalisht…

Pyetje: - Ju uroni, mundësisht, një ndërhyrje nga bashkësia ndërkombëtare?

Përgjigje: - Faleminderës Zotit, gjendja nuk është aq dramatike, sa në Irak. Këtu nuk dëgjohen histori tmerri e masakrash. Mendohet, atëherë, se ndërhyrja, takimet e bashkësisë ndërkombëtare, do të jenë shtytje për të arritur një farë mirëkuptimi e për ta rikthyer jetën normale në vend.








All the contents on this site are copyrighted ©.