2014-08-29 15:36:55

Kardinali Parolin: të gjinden mënyra të efektshme për t’i ndihmuar vëllezërit në Lindjen e Mesme


Në festën e Shën Agostinit, sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, zbuloi, në bazilikën romake kushtuar ipeshkvit të Iponës, një pllakë në kujtim të vizitës së Papës Françesku në këtë vend, një vit më parë. Prelati i lartë, që kryesoi edhe Meshën solemne, gjatë homelisë, skicoi udhën e jetës së Atit të madh të Kishës. Kujtoi edhe fjalët, që Papa u pati drejtuar, një vit më parë, agostinianëve, duke i ftuar ta mbajnë gjithnjë gjallë shqetësimin e kërkimit shpirtëror, shqetësimin e takimit me Zotin e shqetësimin e zemrës. Po, cili është hapi i ri, që duhet bërë, për ta mbajtur të gjallë sot, shqetësimin e shenjtë, të cilin vijon të na e kujtojë Ipeshkvi i madh i Iponës? Flet për të, vetë kardinali Parolin, në mikrofonin e Radio Vatikanit:RealAudioMP3

Përgjigje: - Do të thosha se duhet t’i krijojmë hapësirën e duhur këtij shqetësimi, të dimë ta dallojmë ndërmjet sa e sa shqetësimeve të tjera sepse, në fund të zemrës kemi gjithë shqetësimet e botës, apo jo? Por, për fat të keq, nganjëherë nuk janë shqetësime të vërteta. Duhet të dish ta zbulosh shqetësimin e vërtetë, atë që të çon pranë Zotit e të prehesh në Të. Duhet, pra, të kemi aftësinë për t’i dalluar, për t’i shoshitur shqetësimet, që zjejnë në shpirtin tonë, ku banon e vërteta, na kujton Shën Agostini. T’i dallojmë ndjesitë e shqeta, që çojnë tek Zoti, nga ato, që mund edhe të të largojnë prej Tij.

Pyetje: - Ju skicuat gjithë udhën e përshkuar nga Shën Agostini, duke cituar edhe disa nga fjalët e Shenjtit: cilat janë, sipas jush, më aktualet?

Përgjigje: - Agostini është tepër i pasur. Vështirë, prandaj, të gjesh, në botën e pafundme të fjalëve të tij, ato që mund të jenë më aktuale. Besoj se më aktualet mbeten, ndoshta, ato më të njohurat: “Na bëre për vete, o Zot, e zemra jonë është e shqetë, derisa të prehet në Ty”. Më duket se përmbajnë një aktualitet përvëlues, në një kohë si e sotmja, në të cilën të krijohet përshtypja se shumkush nuk ka kurrfarë interesi për Hyjin, se e ka harruar fare praninë e Tij në të gjitha jetët njerëzore. Na tregojnë gjithnjë se jemi qenie nevojtare, qenie në kujdes e në nevojë, në kërkim të ankthshëm të përgjigjes, për t’i fashitur stuhitë e zemrës. Kjo është fjala, që unë do ta përsërisja. Fjalë që, besoj, e kuptojnë të gjithë njerëzit, sepse njerëzit, sado të zënë me punët e botës, e gjejnë një çast për të dëgjuar edhe vetveten, për të hyrë deri në fund të zemrave të veta, për të ndjerë, në ato hone zemre, joshjen e shkëmbit, që mund t’u japë forcë e qëndrueshmëri.

Pyetje: - Agostini jetoi në një epokë të tronditur nga shumë fatkeqësi e trazira. Edhe sot ka vende - në Lindjen e Mesme për shembull - që po jetojnë tragjedi pa fund. Ç’ mësim mund të na japë Shën Agostini?

Përgjigje: - Na mëson aftësinë për të lexuar, përposh ngjarjeve, planin e Zotit, që vihet në jetë, që zhvillohet e është gjithnjë plan i paqes e i shëlbimit për njeriun. E të dhurohemi, kështu, përvujtërisht, por me gjithë vetveten, për realizimin e qytetit të Hyjit, ku sundon dashuria, dashuria e Zotit, deri në atë pikë, sa të na shtyjë ta shpërfillim vetveten. Duhet ta harrojmë vetveten e të kemi për zemër fatin e vëllezërve tanë, edhe tani – ju kujtuat situatat e sotme në Lindjen e Mesme – të kemi fatin e atyre, që vuajnë, të krishterëve dhe të gjitha pakicave të tjera, të gjejmë mënyrën më konkrete e më të efektshme për t’i ndihmuar. Prej këndej, ky lexim shkon shumë përtej asaj, që shikojmë e që dëgjojmë, arrin deri në angrrat e situatave e na ndihmon ta dallojmë planin e Hyjit e thirrjen për t’u bërë bashkëpunëtorët e këtij plani, që njeriu të ketë jetë, e ta ketë begatisht.








All the contents on this site are copyrighted ©.