2014-08-28 16:58:58

Gjon Pali I në 36 vjetorin e zgjedhjes: portet i shkurtër shpirtëror


36 vjet më parë zgjidhej në fronin e Shën Pjetrit, kardinali Albino Luciani. Merrte emrin papnor Gjon Pali I. Gjithë jetën, si njeri, si meshtar e si papë, e kaloi në përvujtëri, bamirësi, bindje, duke jetuar, ashtu si mësonte. Prej këndej, vijon të kujtohet, sidomos, si model i jetës meshtarake: meshtar transparent, zelltar, larg çdo shprehjeje sado të vogël të hipokrizisë, gjithnjë në përpjekje të shenjtë për t’i bërë sa më të besueshme mësimet e Ungjillit. Me këtë hap eci nëpër jetë, nga mituria, deri tek katedra e Shën Pjetrit. Duke i shkrirë të gjitha energjitë, në fillim si pedagog e zëvendës-rektor i seminarit, pastaj si mëkëmbës i përgjithshëm në Belluno e si ipeshkëv i Vittorio Veneto-s, në punën për përgatitjen e meshtarëve. I deshi fort priftërinjtë e tij, edhe ata që i shkaktuan vuajtje e shqetësime.
Në fuguren kushtuar Meshës së tij të parë, shkruhet: “Pëlqeje, o Zot, Flinë, që sot po ta kushtoj, e daltë për ngushëllim të të gjithë atyre, që e përgatitën dhe e pritën”.
E fillonte, kështu, jetën meshtarake, duke katekizuar, duke ndihmuar të varfërit, duke shkruar Letrat e tij të mirënjohura, shumë të kuptueshme, kushtuar temave tejet të rëndësishme.
Po e pëfundojmë këtë portret të thjeshtë të atij, që pati një nga papnitë më të shkurtëra e që mbeti në kujtesë të njerëzve si Papa i buzëqeshjes, me fjalët drejtuar nga ai vetë klerit romak, më 7 shtator 1978, duke nënvizuar dy mjete, që e formojnë dhe e mbështesin priftin e mirë në misionin e tij: “Disiplinë e lutje”. Për të kujtuar më pas meshtarët që, si ai vetë, janë pasuria më e madhe e Kishës, me zemrën e tyre prej bariu, gatishmërinë e përhershme për të shërbyer, afërsinë e përzemërt e të fisme ndaj popullit që u besohet.
E shikojmë përsëri sot, me buzëqeshjen e pandarë, thjeshtësinë, humanitetin, shërbimin e pakursyer ndaj Kishës e njeriut. Ky, i pikturuar me dy viza, është portreti i Papës Luciani, Gjon Palit I.








All the contents on this site are copyrighted ©.