Bhati takohet me Françeskun: të krishterët e persektuar e ndjejnë afërsinë tuaj
Prekës, sot, një nga çastet e fundit të audiencës së përgjithshme. Papa Françesku
priti ish-ministrin e krishterë pakistanez, Paul Bhati dhe nënën e tij. Menjëherë
pas këtij takimi Paul Bhati, i cili tri vjet më parë humbi të vëllain, Shahbaz
Bhati, vrarë nga integralistët islamikë, i dha Radio Vatikanit këtë dëshmi:
Përgjigje:
- Për mua ishte emocion i madh, jo aq pse pashë Atin e Shenjtë – të cilin e kam
parë edhe herë të tjera - sa për arsye se e pashë së bashku me nënën time. Ishte e
saja, dëshira për ta takuar e për të shkëmbyer disa mendime. Mendimi i parë ishte
se ajo lutet për Françeskun, që po bën një punë kaq të mirë për mbarë të krishterët
e botës e, posaçërisht, për të krishterët që persekutohen në këto çaste, sidomos në
Irak e në Pakistan. Ajo ndau me të këtë ndjenjë, duke më kërkuar t’ia përkthej saktësisht
Atit të Shenjtë. E unë i thashë Françeskut se nëna ime lutet për të dhe e fton në
Pakistan, pavarësisht se situata e të krishterëve tek ne është e vështirë. Po ajo
ngulmoi, edhe pse është diçka tejet e ndërlikuar. Të krishterët janë bijtë e tij e
nëna ime mendon se një atë duhet të kujtohet për ta pikërisht kur kalojnë çaste të
vështira. Pashë se Ati i Shenjtë u prek thellë, aq sa nuk gjente fjalë për t’iu përgjigjur
kësaj kërkese. Në vend të fjalëve, e përqafoi nënën time, i shtrëngoi dorën e më tha
se është pranë nesh e lutet për ne.
Pyetje: - Cilat janë fjalët e Papës
Françesku, që ju prekën më shumë lidhur me persekutimin e të krishterëve në viset
tuaja, duke menduar edhe për vëllain tuaj?
Përgjigje: - Më shumë se
fjalët, më preku shprehja e fytyrës. Kur i flisja, për një çast mbylli sytë, i shtrëngoi
dorën mëmës dhe e përqafoi. E kjo vlente më shumë se çdo fjalim. Pastaj i tha: “Jam
me ju! Zoti ju bekoftë!”. E pashë se ishte tejet i emocionuar. E njoh Papën, e kjo
që na përçoi në heshtje, ishte shprehje e një dashurie të madhe. Pastaj tha qartë:
“Lutem për ju, jam me ju e për çka mund të bëj, jam gjithnjë i gatshëm”.
Pyetje:
- Lidhur me të krishterët e persekutuar, ju natyrisht e njihni mirë situatën në
Pakistan, e jo vetëm, sepse kujtuat këtu, edhe Irakun. Sa e rëndësishme është kjo
afërsi e Papës, që shprehet në njëmijë mënyra, posaçërisht me lutje, siç e kujtuat
edhe ju?
Përgjigje: - Po unë besoj se kjo është një nga gjërat më të
rëndësishme, sepse janë të persektuar pikërisht për fenë e tyre. E feja na lidh të
gjithëve, na bashkon. Kisha Nënë është një e vetme e Papa Françesku, forca më e lartë,
prej këndej afërsia e tij, dashuria e lutja, na japin zemër të gjithëve. E kjo, sepse
ne jetojmë për fenë tonë, e prandaj edhe shumë nga ne janë gati të jetojnë e të vdesin
për këtë fe. Prej këndej, ta ndjesh këtë afërsi, këtë siguri, është një çast tejet
ngushëllues.
Pyetje: - Ç’mund të na thoni posaçërisht për të krishterët
e shumtë, që vuajnë në Pakistan - e mendimi ynë shkon menjëherë nga Asia Bibi, tek
të tjerët - në pranga për shkak të fesë.
Përgjigje: - Ne nuk mund t’i
harrojmë ata, që vuajnë për shkak të fesë së tyre, si Asia Bibin, ashtu edhe të tjerët.
Njëkohësisht dëshirojmë që Zoti të na ndihmojë të sjellim paqen e bashkëjetesën ndërmjet
nesh e feve të tjera. Nuk mund t’i harrojmë edhe figurat e një feje tjetër, asaj myslimane,
si Salmaan Taser, që bëri shumë për të krishterët, duke e ditur mirë se ishte i kërcënuar
me vdekje për mbrojtjen e Asia Bibit. E megjithatë, pranoi ta mbronte. Edhe këto figura
duhen kujtuar doemos. E duhet kujtuar edhe shpresa se në një të nesërme, duke mbajtur
fetë, që kemi, do të mund të sjellim paqen e bashkëjetesën paqësore në botë.
Pyetje:
- Edhe për të nënvizuar se kjo, që shikojmë për ditë, nuk është ndeshje ndërmjet
të krishterëve e myslimanëve, luftë ndërmjet fesh. Kujtojmë, këtë çast edhe Gjon Palin
II që, gjatë e pas Luftës II të Gjirit, tërhoqi vëmendjen që të mos përsëritej ky
rrezik, ky tundim….
Përgjigje: - Po, pikërisht kështu, e ne besojmë
në këtë e kemi shpresën e mirë se në botë ka shumë njerëz të ndjeshëm, edhe të fesë
myslimane, që besojnë në dinjitetin e njeriut, në paqen, në dashurinë. Kjo na mbush
me shpresë se në një të nesërme do të mund të kapërcehen gjithë këto pengesa, që krijohen
nga diskriminimi, përçarjet e, siç e tha sot edhe Papa, janë në kundërshtim të plotë
me dialogun, ndajnë, shndërrohen në urrejtje ndërmjet feve të ndryshme e ndërmjet
njerëzve, edhe ndërmjet vetë të krishterëve.
Pyetje: - Besojmë se nga
ky takim ju merrni zemër e forcë të re për impenjimin tuaj ndërmjet të krishterëve,
por edhe ndërmjet feve të tjera, ndërmjet pakicave…
Përgjigje: - Sigurisht.
Do të thosha, para së gjithash, se gjej forcë për vetveten e edhe për njerëzit që
kam për rreth. E kujtoj përsëri atë, që ndodhi dy vjet më parë, kur fola para Atit
të Shenjtë në Ditën e lëvizjeve: atë çast ndjeva pranë afërsinë e gjithë popullit
italian, gjë që ma shprehu me duartrokitjet e pareshtura, kur dhashë dëshminë time
e fola për tim vëlla, në Pakistan: ishte një çast i madh, e sot e rijetova përsëri.