Në rubrikën “Ju kumtojmë Lajmin e Mirë”, jemi në kapitullin e gjashtë të Ungjillit
sipas Markut. Sot dërgimi i dymbëdhjetë apostujve (6,7-13). Tregimi për misionin
e të dymbëdhjetëve fillon me dy folje të rëndësishme: Jezusi “thirri” pranë vetes
të dymbëdhjetët dhe i “dërgoi” dy nga dy. “Thirrja” e Jezusit tregon se misioni (mision
është forma latine e fjalës dërgim) buron prej tij dhe se misionari i vërtetë është
gjithnjë i themeluar mbi thirrjen e Jezusit. I dërguari nuk është vetë burimi i veprimtarisë
së vet, prandaj ka nevojë, gjatë gjithë misionit të tij, të vijojë të dëgjojë atë
që e ka thirrur. Marku, sikurse edhe ungjilltarët e tjerë, tregojnë se Jezusi
i dërgoi apostujt “dy nga dy”. Nëse jeta apostolike është e themeluar mbi thirrjen,
atëherë ajo hapet vetvetiu ndaj bashkësisë. Apostulli jo vetëm që nuk vepron në emër
të vet, por nuk vepron as i vetëm. Thirrja e vendos njeriun në një bashkësi dhe prova
më e mirë e dëshmisë së fesë në Hyjin është aftësia e të thirrurve për të ndërtuar
bashkësinë. Thirrja nuk është diçka mekanike, që ka të bëjë me fazat e detyreueshme
për zbatimine një projekti, siç mund të jetë ai i kumtimit të lajmit të mirë. Kush
e pranon thirrjen e Jezusit hyn në bashkësi me të dhe i ngjan atij. Që në krye të
tregimit për dërgimin e apostujve, Marku thotë se Jezusi “u dha pushtet mbi shpirtrat
e papastër” (v.7). Lidhja e fortë me Jezusin në sajë të thirrjes, që pranohet jo si
urdhër për t’u zbatuar mekanikisht, por si mundësi për të ndërtuar një bashkësi shpirtërore
me të, e bën apostullin si Jezusi, të aftë të ushtrojë pushtet mbi shpirtrat e papastër.
Vetëm pasi të kuptohet natyra e lidhjes së ngushtë që krijon thirrja ndërmjet
Jezusit dhe apostullit, mund të kuptohet edhe liria nga gjërat e kësaj bote, që duhet
të karakterizojë të dërguarit: “I urdhëroi që, përveç shkopit, të mos merrnin asgjë
për udhëtim; as bukë, as trastë, as para... (v.8). Kush niset në emrin e Jezusit,
duhet të jetë i pajisur vetëm me forcën e fjalës së tij. Ajo i siguron të dërguarit
edhe të gjitha gjërat e tjera të dobishme për jetesë. Porosia e fundit e Jezusit
është që apostujt e tij, kur të zënë vend në një shtëpi, të mos lëvizin prej aty deri
sa të largohen nga ai fshat. Qëndrimi i gjatë në të njëjtën shtëpi krijon mundësinë
për t’u njohur, për t’u qortuar e për t’u ndrequr. Kisha e Jezusit nuk predikon vetëm
me fjalë, por pranon të ndajë me njerëzit jetën e përditshme dhe të zakonshme, edhe
duke rrezikuar që njerëzit të vënë re dobësitë dhe moskoherencën e saj. Marku
e përfundon tregimin për misionin e të dymbëdhjetëve duke përdorur foljet që përshkruajnë
veprimet e vetë Jezusit: predikonin, dëbonin djajtë, shëronin të sëmurët. Kisha, bashkësia
e të dërguarve, është zgjatim i Jezusit, me të cilin është e lidhur thellë, në sajë
të thirrjes së tij.