Katolikët në Perandorinë otomane, në shekullin XVIII (7)
Illyricum Sacrum në Shqipëri Në emisionin e shtatë të rubrikës, mbështetur
mbi studimin: “Katolikët në Perandorinë otomane në shekullin XVIII”, fryt i pendës
së historianit jezuit atë Gjon Sale, botuar në revistën e mirënjohur të jezuitëve
“Civiltà Cattolica”, numri 3921, muaji nëntor 2013, vepra monumentale “Illiricum Sacrum”,
emisioni II, titulluar: “Illyricum Sacrum në Shqipëri”.
Atë Daniel
Farlati dhe Atë Jakob Koleti, historianë objektivë, ishin dashamirë të shqiptarëve.
Me dashuri e kujdes u përpoqën të nxjerrin në pah virtytet e këtij populli të vogël,
njerëzit e tij të shquar, veprimtarinë atdhedashëse. Shpesh viset e ndryshme përshkruhen
me imtësi të madhe. Flitet për pasuritë e mbitokës e të nëntokës shqiptare, për kulturat
agrare, minierat, klimën... Flitet edhe për serën e Selenicës, për zjarrin e pashuar
në afërsi të Apolonisë, shenjë e burimeve të naftës e hollësi të reja tejet interesante,
që hedhin dritë mbi skaje e skuta të panjohura të trojeve shqiptare e të shpirtit
shqiptar. Duke u nisur nga këto të dhëna, mund të themi se vepra “Illyricum Sacrum”
ka vlera të pazëvendësueshme për të gjithë studiuesit e Ilirisë sonë e se në të studiuesit
e historisë gjejnë një minierë, tepër të pasur e pak të shfrytëzuar, njoftimesh, nga
më të çmueshmet. Jo vetëm një vepër, por as një shkrim i thjeshtë mbi Organizimin
Kishtar të Ilirisë nuk mund të shkruhet, pa u mbështetur mbi këtë histori, që në Shqipëri
ka historinë e vet. Kujtuam se atë Koleti, si e pati kryer botimin e “Illyricum
Sacrum” gjeti edhe 14 blej të tjerë, mbledhur nga Farlati, botuar vetëm pjesërisht,
gjithnjë në serinë e veprës. Një prej këtyre blejve, që me sa duket Farlatit nuk iu
duk aq i rëndësishëm, u botua nga jezuitët në Revistën “LEKA” (Vjeta IV, n.10, tetor
1932, fq 314 e në vijim të faqeve e të numrave të tjerë). U zgjodh pikërisht ky ble,
sepse ishte burim tejet i çmuar për historinë e Kishës në Shqipëri. Është fjala për
një relacion mbi ndërtesat kishtare dhe gjendjen morale të dioqezës së Shkodrës nga
fundi i shekullit XVIII. Nuk ka titull as emër autori. E nuk rrëfehet as koha kur
u shkrua. Me sa kuptohet nga dorëshkrimi, autori duhet të ketë qenë prift shkodran.
Relacionin duhet ta ketë shkruar ndërmjet viteve 1772 e 1778, mbasi kujton se asokohe
ipeshkëv i Shkodrës ishte Imzot Radovani de Angelis. Si një nga burimet më të zgjedhura
për historinë e Shqipërisë, do të ishte e mira të shfrytëzohej nga të gjithë historianët
seriozë, që dëshirojnë të hedhin dritë të re mbi historinë e popullit shqiptar. Mundësia
e shfletimit u bë e mundur, falë botimit fototipik-anastatik me format origjinal,
me harta, skica e ilustrime, realizuar në Prishtinë, më 2004, me botues Skënder Blakaj
e një këshill botues prej disa emrash të njohur në këtë lëmë. Një kopje gjendet në
Sallën Shkencore “Paolo Peta” të Bibliotekës Kombëtare, në Tiranë. Para vitit 2004
gjetja e veprës së plotë ishte gati e pamundur. Prej saj në Shqipëri ruheshin vetëm
një kopje e vëllimit të I e dy të vëllimit VII (Biblioteka e imzot Frano Illisë dhe
e Atë Daniel Gjeçajt, në Romë, sot Biblioteka Françeskane në Shkodër). E me që
përmendëm emrin e imzotit të ndjerë, Frano Illia, nuk mund të mos kujtojmë se ai është
përkthyesi i vëllimit VII, në daktiloshkrim. Përkthimi, pas një odiseje të vërtetë
nëpër kohë, sot është lënë në harresë. Duhet kujtuar se vepra, e shkruar në latinisht,
nuk është aspak e lehtë për t’u përkthyer. Kërkon njohje të gjerë e të gjithanshme
të disiplinave kishtare, të traditave kishtare të shqiptarëve, të latinishtes e,
doemos, edhe të shqipes, që përkthimi në shqip të mos tingëllojë latinisht! Kush do
të kujtohet që edhe përkthimi i imzot Illisë të shikojë dritën e shtypit? Me “Illyricum
Sacrum” lidhet edhe botimi, nën kujdesin e Musa Ahmetit dhe Etleva Lalës, i “Illyricum
Sacrum: burime e dokumente”, Tiranë, Ombra GVG, 2007, që përmban vlerësime, mendime
të autorëve dhe dokumente, botuar për herë të parë, për 9 vëllimet e veprës. Në emisionin
e ardhshëm, veprimtaria misionare në Perandorinë Otomane.