Bilanc i atë Federiko Lombardit për udhëtimin e Papës Françesku në Korenë e Jugut
Papa Françesku përfundoi javën e kaluar udhëtimin e tij të parë në Azi. Në Korenë
e Jugut për Ditën e gjashtë aziatike të Rinisë, Ati i Shenjtë u takua me të rinjtë,
me bashkësinë e krishterë të vendit dhe u lut për bashkimin e të dyja Koreve. Bëri
përshtypje krenaria e koreanëve për zanafillën e Kishës vendase, themeluar nga laikët
e jo nga misionarët. Thellësia e përshpirtërisë aziatike u duk edhe në kërkesën e
një vajze kamboxhiane, që iu lut Papës të njihen martirët e fesë së vendit të saj…
Në Perëndim, Kisha aziatike nuk njihet mirë e ndoshta mund të mësohet shumë prej saj.
I kërkuam një koment drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi: Me
të vërtetë, ne mund të mësojmë shumë nga Kisha në Azi. Mendoj se një nga vlerat e
mëdha të këtij udhëtimi është nxitja për ta kuptuar mesazhin e çmuar që vjen nga
historia e nga dëshmia e fesë së këtyre besimtarëve. Udhëtimet e Papës kanë vlerë
për të gjithë botën. Në veçanti, Kisha koreane ka dy aspekte, që u kujtuan shpesh:
e ka zanafillën në punën e laikëve vendas dhe ka një histori të jashtëzakonshme martirizimi.
Feja e lindur në këtë mënyrë, nga dëgjimi i Fjalës së Hyjit, është kaq e fortë sa
kapërceu persekutimet më të tmerrshme, gjatë dhjetra vjetësh, për më shumë se një
shekull. Kjo u bën përshtypje atyre, që e jetojnë fenë në situata më të favorshme,
jo kaq të vështira. Kishat në Azi, me përjashtim të Filipineve, janë Kisha të pakicës.
Feja e krishterë është fe e pakicës. E pakica karakterizohet gjithnjë nga bindja e
hekurt, bindje personale, që krijohet pas një shoshitjeje e shqyrtimi më të thellë,
më serioz e më të vështirë se ai i shumicës. Përveç kësaj, dua të vë në dukje edhe
aspektin e inkulturimit, që Kisha në Kore e dëshmon si askush tjetër, pikërisht për
faktin se pranimi i mesazhit të Ungjillit dhe i vlerave të tij nuk ka ardhur nga
të huajt, që sjellin me vete diçka të filluar diku tjetër, por lind nga reflektimi
i thellë, personal, i laikëve koreanë, të cilët, për hir të pasionit për të vërtetën,
zbuluan vlerën e Lajmit të Mirë të Krishtit. Sipas meje, kjo është diçka shumë më
e fuqishme se inkulturimi, siç jemi mësuar ta shohim zakonisht. Gjuha e Ungjillit
hyn në kulturën e popullit si diçka, që i flet nga brenda, e nuk i “ngjitet” kulturës
së tij nga jashtë, në sipërfaqe. Krijohet një sintezë jetësore me shpirtin, ndjeshmërinë
dhe kulturën e popullit. Ky aspekt është i rëndësishëm për ungjillëzimin e Azisë,
sepse na jep kriteret për të kuptuar, siç e tha edhe Papa, se ungjillëzimi që dëshirojmë
për këtë kontinent pa fund lind nga empatia, nga njohja e Ungjillit, që është bërë
një me shpirtin e katolikëve, duke arritur thellësitë e zemrës së tyre. E kjo konfirmon
edhe bindjen tonë se është Zoti ai, që punon e arrin deri aty ku fjalët e njerëzve
nuk ia dalin të hyjnë. Ky është hiri i Tënzot. Gjatë udhëtimit në Kore, Papa
Françesku nuk e harroi kurrë gjendjen në Irak, siç dëshmojnë edhe mesazhet e tij të
shumta në Twitter... Sigurisht. E këtë e dëshmoi me një gjest të thjeshtë, absolutisht
të natyrshëm: në lutjen për besimtarët, në meshën përfundimtare, shtoi një lutje për
misionin e kardinalit Filoni në Irak e për gjendjen në vend. E mora vesh se kur kolegët
e Radio Vatikanit ia thanë kardinalit Filoni, gjatë një interviste, ai nuk dinte akoma
asgjë e u lumturua për këtë. Kjo tregon për përkimin e thellë të gjesteve të Papës
me të gjitha përmasat e Kishës, në veçanti me Kishën që vuan e persekutohet. Në Kore,
tema e persekutimit, e vuajtjes e vështirësive ishte shumë e pranishme: është historike,
por edhe e kohës së sotme. Iraku është vend, ku sot jetohet në mënyrë dramatike. Nuk
është i vetmi, por sigurisht, aty është përqendruar vëmendja jonë dhe e Papës, i cili
nuk e harroi për asnjë çast. U informua ditë për ditë për misionin e kardinalit Filoni
e vazhdoi të kërkojë rrugëzgjidhje. Në bisedën me gazetarët në avion, tha madje se
po merr në konsideratë mundësinë e një kalimi të tij personal në Kurdistan, gjë që
akoma nuk është në plan, por tregon se Papa është përnjimend aty, jo vetëm me mendime...
me zemër.