Afrikë: veprimtaria e jezuitëve në luftë kundër virusit ebola
Armiqtë kryesorë, që duhen luftuar, nëse dëshirojmë ta zhdukim virusin ebola, janë
padija, paragjykimet e frika. E pohon këtë Ajan, rrjeti i Jezuitëve që, prej vitesh,
kujdeset për të prekurit nga një sëmundje tjetër e tmerrshme, Sida. Në një notë,
që e lexojmë në newsleter, Ajan nënvizon se është urgjent informimi i përshtatshëm,
për ta ndaluar prhapjen e rrufeshme të ebolës. Posaçërisht në Afrikën Perëndimore,
vërejnë jezuitët, njerëzit preken nga sëmundja për shkak të padijes, paragjykimeve,
frikës, që i nxisin të kryejnë veprime të dëmshme, si sulmi kundër klinikës së Monrovies,
në Liberi. Pak ditë më parë, një grup njerëzish të armatosur, sulmoi qendrën mjekësore
liberiane, ku ishte shtruar, në izolim të plotë, një numër i madh të sëmurësh nga
ebola, të cilët u detyruan të ikin. Me ta, mori dhenë edhe sëmundja ngjitëse e vdekjeprurëse,
që tashmë ka shkelur edhe në vise tjera të botës. Jo vetëm kaq: Ajan nënvizon se
për disa popullsi “ebola është thjesht shaka”, ndërsa për të tjera, transmetohet
pikërisht nga punonjësit e shëndetësisë. Prej këndej, vendimi për t’i nxjerrë nga
spitali familjarët e shtruar. Disa bashkësi fshatare, shpjegon akoma atë Mombe, drejtor
i Ajan, nuk pranojnë t’i vënë në jetë masat shëndetësore, propozuar nga organizatat
jo qeveritare ndërkombëtare, që e shikojnë këtë qëndrim si burim të sëmundjes. E kjo
tregon se të gjitha bashkësitë, përfshirë Kishën, kanë një detyrë të rëndësishme për
të kryer: detyrën e informimit të popullsive për mënyrën si mund ta shmangin rrezikun
e prekjes nga virusi i tmerrshëm. Ajan po vepron në tre drejtime kryesore: informim,
formim e komunikim mbi ebolën. Materiali i përgatitur po shpërndahet derë më derë
nga jezuitët, famullitë dhe Karitasi vendas. Dy, janë fazat e kësaj veprimtarie: në
fazën e parë, në vendet ku ebola vijon të përhapet, do të shpërndahet material informues.
Në fazën e dytë, do të mbahen seminare të mirëfillta informuese e formuese, në kombet
ku mund të arrijë ebola, për ta parandaluar, kështu, përhapjen e mëtejshme.