2014-08-22 14:48:57

Imzot Toso: Françesku për Irakun, në hullinë e Doktrinës së Kishës


Fjalët e Papës Françesku lidhur me mënyrën e ndalimit të “mësymësit të padrejtë” në Irak, shqiptuar në avion, në kthim nga Seuli, vijojnë të frymëzojnë reflektime të ndryshme, e jo vetëm në gjirin e Kishës. E sidomos, pohimi i Papës, sipas të cilit Lufta III Botërore ka shpërthyer, veç copa-copa, vende-vende! Pikërisht që këtu niset reflektimi i imzot Mario Tozo-s, sekretar i dikasterit vatikanas të “Drejtësisë e Paqes”, në mikrofonin e Radios sonë:

Përgjigje: - Papa Françesku shpreh një opinion mjaft të përgjithshëm: duke menduar për një mori konfliktesh në vijim, që shpërtehjnë aty-këtu, e për popujt e ndryshëm, që përfshihen në to, nuk mund të mos lindë ideja se familja njerëzore është e zhytur në një “Luftë III Botërore”, të pjesshme, por të fuqishme. Çka duhet të na shqetësojë, është pamja e konflikteve të sotme dhe pasojat: ndonëse kufijtë e tyre duken të përcaktuara, në fund të fundit nuk duhet harruar se mbeten vatra të nxehta, të cilat mund të ndezin nga çasti në çast furrën e madhe botërore, luftën globale, që mund të vërë në rrezik vetë njerëzimin. Konfliktet e sotme po përballohen në mënyrë të papërshtatshme. Të krijohet përshtypja se ata, që duket se interesohen për zgjidhjen e tyre, nuk kanë dëshirë të vërtetë për vendosjen e paqes e të drejtësisë. Këndvështrimet e tyre janë krejt të ndryshme e asnjë herë nuk mendohet për të mirën e përbashkët të familjes njerëzore, të popujve a të popujve të një zone. Duhet punuar seriozisht për t’i zhdukur shkaqet, që i ndezin konfliktet e për të krijuar kushtet e vërteta të paqes.

Pyetje: - “Është e lejueshme ta ndalosh 'mësymësin e padrejtë”, ta ndalosh, “nuk them ta bombardosh”, tha Papa Françesku, duke shtuar: “por duhet edhe të vëmë në punë kujtesën"; të kujtojmë sa herë fuqitë e mëdha i kanë nënshtruar popujt dhe kanë bërë luftra të mirëfillta pushtuese, me arsyetimin për të ndalur mësymësin e padrejtë. Një komb i vetëm nuk mund të gjykojë për rrugën në të cilën duhet ecur për ta ndaluar mësymjen e padrejtë. Ja, pra, Françesku, ashtu si pararendësit, ripohon rëndësinë që ka gjykimi i shumanshëm…

Përgjigje: - Fjala e Papës është e matur dhe e mirëmenduar. Saktëson se sulmuesi i padrejtë duhet ndaluar e lë të kuptohet se mënyra e këtij ndalimi duhet të vendoset jo aq nga një shtet i vetëm, sa nga bashkësia ndërkombëtare. Në thelb, Papa jo vetëm që ecën në hullinë e Doktrinës shoqërore të Kishës, por edhe në atë të bashkësisë ndërkombëtare. Për t’i zgjidhur konfliktet e për t’u vënë fre mësymjeve të padrejta, është e domosdoshme të veprohet mbi bazën e rregullave të përbashkëta, duke hequr përfundimisht dorë nga ideja për ta kërkuar drejtësinë me rrugën e luftës, me luftëra të vetmuara, të izoluara. Karta e Kombeve të Bashkuara e ndalon, e dimë të gjithë, jo vetëm shpalljen e luftës, por edhe një kërcënim të vetëm për shpërthimin e saj. Duhen zgjedhur rrugë të tjera: duhet kultivuar gjykimi i shumanshëm, si rrugë që krijon më shumë garanci për drejtësinë, edhe në rastin kur duhet vënë në jetë parimi i përgjegjësisë për të mbrojtur etni e grupe, që kërcënohen me vdekje, siç po bëjnë grupet terroriste në Irak.

Pyetje: - Fjalët e Papës e shkundin bashkësinë ndërkombëtare, që hesht, me indiferencë. Vënë para përgjegjësisë edhe institucionet ndërkombëtare, duke i nxitur të veprojnë, të përpiqen për t’i dhënë fund konkretisht një situate të tillë, që të trondit thellë vetëm po ta ndjekësh përmes ekranit, e jo më ta jetosh…
Përgjigje: - Papa Françesku e shkund bashkësinë ndërkombëtare, që duket krejt e çkujdesur e tejet e ngadaltë, kur është fjala për të ndërhyrë në favor të drejtësisë, duke i detyruar ta bëjnë këtë, vetë shtetet e mbytura në gjak. Sipas mësimit të tij, përballë problemeve delikate e të ndërlikuara, në përmasë ndërkombëtare, është më e arsyeshme ndërhyrja e organizatave ndërkombëtare e rajonale. Pa harruar se ato duhet të jenë në gjendje të bashkëpunojnë ndërmjet tyre për t’u bërë ballë problemeve e për të favorizuar paqen. Edhe një herë del në pah urgjenca që me problemet globale ose me interesat globale, të merren institucionet e përshtatshme ndërkombëtare, domethënë, institucionet e reformuara, ashtu si edhe në rastin e mbrojtjes dhe të promovimit të pasurive të tjera kolektive.







All the contents on this site are copyrighted ©.