2014-08-22 12:27:57

Françesku për Papën, Kishën e Botën: intervista (8)


Gushti shkëput nga kalendari fletën e 22-të. Mbetet më pak se një muaj nga vizita e Papës Françesku në Shqipëri. E ne vijojmë të shfletojmë intervistat e Papës dhënë mjeteve të ndryshme të komunikimit, për ta njohur më nga afër, me fjalët e tij. Nisëm nga “La Vanguardia”, për të vijuar, të premten e kaluar, me intervistën e Papës dhënë, vatikanistes Franka Giansoldati.Kjo intervistë, me pjesën e dytë të së cilës po ju njohim sot, u botua më 29. 06. 2014, në faqen e parë të gazetës romake ‘Il Messaggero”, me titull: “Devijimi moral, i duhet vënë pritë”, pas takimit të Atit të Shenjtë me gazetaren.
Pjesa 2-të, 29 gusht

Pse Ju, që në fillim, deshët ta nënvizoni fort rolin e Ipeshkvit të Romës?

“Shërbimi i parë i Françeskut është ky: të bëjë ipeshkvin e Romës. Të gjithë titujt: Papë, Bari universal, Mëkëmbës i Krishtit etj etj, i ka pikërisht sepse është Ipeshkëv i Romës. Gjëja e parë, kjo! Pasojë e parisë së Pjetrit. Nëse nesër Papa do të dëshironte të bënte ipeshkvin e Tivolit, është e qartë se do t’i tregonin derën”.

Dyzet vjet më parë, nën papninë e Palit VI, Vikariati organizoi një takim kushtuar të këqijave të Romës. Qytet ku, si asokohe, ashtu edhe sot, kush ka më shumë, zgjedh më të mirën, duke i lënë, si zakonisht, më të keqen, atij që ka më pak. Sot, sipas Jush, cilat janë të këqijat e këtij qyteti?

“Janë ato të metropoleve, si Buénos Ájres. Njëri vijon të pasurohet, tjetri të varfërohet gjithnjë më shumë. Nuk kam dijeni për takimin mbi të këqijat e Romës. Janë çështje ngushtësisht romake, e unë aso kohe isha 38 vjeç. Jam Papa i parë që nuk ka marrë pjesë në Koncil e edhe i pari, që studioi teologjinë e pas Koncilit e, asokohe, për ne, drita e madhe ishte Pali VI. Sipas meje, Evangelii Nuntiandi mbetet dokument i pakalueshëm.

A ekziston hjerarkia e vlerave, që duhet respektuar në qeverisjen e pasurivë publike?

“Natyrisht. Pasuria e përbashkët duhet ruajtur gjithnjë. E këtë duhet ta bëjë çdo politikan. Koncept i gjerë, ky, që përfshin, për shembull, edhe mbrojtjen e jetës njerëzore, të dinjitetit të saj. Pali VI pati marrë guximin të thotë se misioni i politikës është një nga format më të larta të bamirësisë. Sot problemi i politikës, nuk flas vetëm për Italinë, por për të gjitha vendet, është zhvlerësimi i saj. Poltika është rrënuar nga korrupsioni, nga fenomeni i ryshfeteve, i bakshisheve. Më vjen në mendje një dokument i botuar nga ipeshkvijtë francezë 15 vjet më parë. Ishte një letër baritore, që titullohej: “Të rehabilitohet politika”. Përballonte pikërisht këtë argument. Nuk do të kishte korrupsion, pa zemra të korruptuara. I korruptuari nuk ka miq, ka vetëm idiotë të nevojshëm.

A mund të na e shpjegoni më qartë?
“Fola, dy ditë më parë, për këtë argument, sepse po komentoja Leximin kushtuar vreshtit të Nabotit. Mua më pëlqen shumë të flas për leximet e ditës. Ditën e parë fola për fenomenologjinë e korrupsionit, të dytën, për mënyrën si përfundojnë të korruptuarit. Thënë me dy fjalë, i korruptuari nuk ka miq, ka vetëm bashkëpunëtorë në krim.







All the contents on this site are copyrighted ©.