Papa me Veprën e Nazaretit: “Jezusi është udha për të gjetur vetveten"
“Jezusi është udha e hapur para çdo njeriu për t’u takuar me Hyjin”. Kështu pohoi
Papa Françesku në takimin me anëtarët e Veprës së Nazaretit, shoqata ndërkombëtare
e besimtarëve, që punon për veprat apostolike, bamirëse dhe misionare. Takimi u zhvillua
në Shtëpinë e Shën Martës dhe ishte i pranishëm kardinali Jean-Louis Tauran, kryetar
i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar. Historia e Veprës
së Nazaretit – tha Papa – ka dy aspekte karakteristike. I pari është “zbulimi i Jezusit
si Udha e njeriut” drejt Atit: “Jezusi është udha e hapur para çdo njeriu për
t’u takuar me Hyjin, për të krijuar marrëdhënie dhe për t’u bashkuar me të, në mënyë
që kështu të gjejë me të vërtetë vetveten. Ne e gjejmë plotësisht vetveten, kur bëhemi
plotësisht bij të Atit tonë, dhe kjo ndodh falë Jezusit: për këtë Ai ka vdekur në
kryq”. Gëzimi – shtoi Ati i Shenjtë – është aspekti i dytë që karakterizon
historinë e Veprës së Nazaretit: “Kur dikush e zbulon Jezusin si udhën, në jetën
e tij hyn gëzimi. Hyn përgjithmonë dhe është një gëzim i rrënjosur brenda nesh, të
cilin askush nuk mund të na e heqë, sikurse ka premtuar edhe Zoti. E gëzimi se jemi
nxënësit e Jezusit bëhet dëshmi, domethënë apostullim, veprim misionar”. Gëzimi
i gjetjes së udhës, që është Jezusi, i bën njerëzit dëshmitarë, apostuj, misionarë: “Ju
e bëni këtë me stilin e një pranie të fshehur, të përvuajtur e të thjeshtë – fryma
e Nazaretit – në mjediset ku jetoni e punoni, veçanërisht në mjediset universitare.
Për këtë gjë ju inkurajoj dhe ju falënderoj për të mirat që keni bërë me hirin e Hyjit” Vepra
e Nazaretit u themelua më 1964 në Reggio Emilia (Itali) dhe ka si synim t’i ndihmojë
njerëzit të zbulojnë fytyrën e Krishtit në jetën e përditshme. Vepra ndihmon zhvillimin
e ushtrimit të bamirësisë, me qëllim që, duke mbështetur nismat e reja shoqërore,
t’u jepet një përgjigje kërkesave materiale të njerëzve në vende dhe kohë të ndryshme.