2014-08-21 16:28:16

Papa kërkon lutje për të persekutuarit në Irak e takohet me kardinalin Filoni


Kriza e Irakut në një çast tepër të vështirë. Pas vrasjes barbare të James Foley-t, gazetarit amerikan të prerë në fyt nga xhihadistët e Shtetit Islamik, presidenti Obama deklaroi se SHBA-të do të reagojnë. Ndërkaq, vazhdon të jetë kritike, gjendja e pakicave të krishtera e jazide, përzënë nga veriu i Irakut.
Sot, Papa Françesku u takua me të dërguarin e tij në Irak, kardinalin Fernando Filoni, i sapokthyer nga vendi. Jo më larg se dje, Ati i Shenjtë bëri një thirrje të fuqishme për zgjidhjen e çështjes irakiane e për shpëtimin e të persekutuarve. Edhe në një letër për presidentin irakian Fuad Masum, dorëzuar këtij të fundit pikërisht nga kardinali Filoni, Papa shkruan: “ Përtërij thirrjen timë për të gjithë burrat e gratë me përgjegjësi politike që të përdorin të gjitha mjetet për të zgjidhur krizën humanitare”. Letra është bërë publike nga presidenca e Bagdadit.
“Ju drejtohem juve, me zemrën plot dhimbje, ndërsa ndjek vuajtjet e tmerrshme të të krishterëve e të pakicave të tjera fetare, që detyrohen të ikin nga shtëpitë, ndërsa vendet e tyre të kultit shkatërrohen”. Kardinali Filoni, i cili u prit sot nga Papa Françesku, e përshkruan kështu takimin:
Qe shumë bukur, sepse Papa deshi të më presë sapo u ktheva – e kjo tregon ndjeshmërinë e tij – për t’u njohur drejtpërdrejt me ç’kam parë e dëgjuar gjatë vizitës tek të krishterët, tek jazidët, gjatë javës së kaluar në Irak. Prandaj, ishte shumë i vëmendshëm. Papa preferoi të dëgjojë; më la të flas gjatë e natyrisht u interesua për të gjitha situatat, që i përshkrova: për aspiratat e të krishterëve, për shqetësimet e për linjën, që po ndjek Kisha. I dëgjoi me kënaqësi vendimet e marra nga Kisha vendase. Mund të them se takimi ishte i përzemërt. Ati i Shenjtë ishte shumë i vëmendshëm.
A ju bëri përshtypje ndonjë fjalë e Papës?
Siç ju thashë, Ati i Shenjtë ishte shumë i përqendruar kur i flisja e preferoi të më dëgjonte.
Ju keni qenë në mesin e pakicave, në mesin e të krishterëve dhe jazidëve. Problemi është si të ndihmohen ato e si të ndalet agresori…
Mendoj se tashmë janë të gjithë të vetëdijshëm për urgjencën e sistemimit të menjëhershëm të familjeve të shpërngulura. Të gjithë e kanë parë situatën, në të cilën jetojnë: kudo ku ka një lëndinë, një dhomë, një vend në dispozicion të tyre, është zënë. E duhet pasur parasysh se jemi në periudhën më të nxehtë të vitit, me 47-48 gradë, me nevojën për t’u strehuar, për ujë, për t’u larë, për të ndenjur në hije. Janë gjëra që duhen siguruar menjëherë, sidomos për fëmijët, të moshuarit, të sëmurët… Duhet t’u gjejmë strehë këtyre njerëzve. Pastaj, pas kësaj, të gjithë bëjmë pyetjen se kur do të përfundojë kjo situatë, çfarë na pret. E këtu, duhet të shpresojmë, por edhe të shohim realitetin. Të krishterët tanë, shumë prej të cilëve duan të kthehen në shtëpitë e tyre, kërkojnë që fshatrat të jenë të sigurtë, të krijohet, mundësisht, një zinxhir ndërkombëtar mbrojtjeje, që t’u garantojë jetën normale.
Tashmë, pas vrasjes barbare të gazetarit amerikan, që tmerroi botën, kriza irakiane duket se ka arritur në një kthesë. Si e shihni gjendjen?
Mbetem me këmbët ngulur në tokë, sepse derisa fshatrat të jenë të pushtuara, njerëzit nuk do të kenë besim, nuk do të kthehen për të marrë sërish në dorë shtëpitë, gjërat e veprimtarinë e tyre. Mund të bëjmë vetëm supozime. Prandaj, nëse ka ndonjë kthesë, shpresojmë të konkretizohet; shpresojmë që të kthehet siguria e t’u garantohet të krishterëve një zinxhir sigurie. Vetëm atëherë, mund ta konsiderojmë çështjen në një pikë të favorshme.
Misioni juaj ishte delikat, i vështirë dhe i lodhshëm. Një bilanc i këtij udhëtimi…
Misioni ishte para së gjithash – për të mos thënë ekskluzivisht – i llojit humanitar. Prandaj, nga kjo pikpamje, nuk janë shqyrtuar çështje politike, apo të ndonjë lloji tjetër. Për mua, ishte kthim në një tokë që e njoh mirë e që e dua shumë. Pashë njerëzit që ndihmonin të tjerët, u çova një fjalë shprese, besimi e inkurajimi. Ata kishin nevojë t’i dëgjonte dikush. Prandaj, dëgjimi qe mënyra më e mirë për të njohur aspiratat e tyre, por edhe për t’i lënë të shfryjnë e për t’i treguar botës çfarë më thanë. Për mua ishte edhe çast i bukur shpirtërisht, sepse vuajtja e këtyre vëllezërve e motrave na ndihmon të mos i shohim problemet nga larg, sikur të mos na takonin, e të marrim pjesë në to. M’u përgjigjën me shumë dashuri, me shumë bujari, me buzëqeshjen e fëmijëve, me delikatesën e burrave e grave që vinin për t’u përkëdhelur, që donin të më puthnin dorën, unazën, vinin për të marrë bekimin, për të kërkuar lutje… Kjo qe shumë e bukur dhe emocionuese.
Flitet për 120-130 mijë të shpërngulur. Ne flasim për shifra, ju patë fytyra…
Imazhet më të gjalla janë ato të njerëzve, që kanë humbur gjithçka. Ka njerëz, që kanë humbur gjithçka, por kanë shpëtuar jetën e nuk kanë pasur aq dëme sa të afërmit e miqtë, pra, kanë qenë me fat, nëse mund të themi kështu. Por kur takon burra, gra, fëmijë, pleq, sidomos në bashkësinë e jazidëve, ku burrat janë vrarë e gratë janë rrëmbyer, dhunuar e shitur, të kap ankthi. Sytë e tyre shihnin në zbrazëti, të humbur në një të ardhme, që s’të jep mundësi ta kuptosh. Të mendojmë, për shembull, se një grua e Lindjes së Mesme ka gjithnjë nevojë për praninë e një burri – të babait, të vëllait, të bashkëshortit – që të jetë garanci për jetën e saj, sipas kulturës vendase. Ato, që nuk kanë më një burrë që të kujdeset për to, ç’e ardhme i pret? Nuk është si në Perëndim, ku një grua mund ta ndërtojë jetën me aftësitë e me forcat e veta. Prandaj, kjo është shumë-shumë e dhimbshme; vështrimi i këtyre grave të ulura, të mënjanuara, pa asnjë shprehje në fytyrë, të bënte një përshtypje të hatashme.
Cilat janë shpresat tuaja, në këtë situatë?
Shpresat e mia konkrete i bashkohen shpresës së këtyre njerëzve. Të arrijmë t’u japim atyre siguri për t’u kthyer: kjo është shpresa.









All the contents on this site are copyrighted ©.