2014-08-20 15:23:55

Audienca e përgjithshme, kushtuar shtegtimit në Kore


Sipas traditës, Papa ia kushtoi audiencën e sotme të përgjithshme, shtegtimit të tij apostolik në Kore. Rikujtoi takimet e rijetoi emocionet, ende krejt të freskëta në kujtesë, pak ditë pas kthimit. Sipas stilit të tij të mirënjohur tashmë, i përmblodhi këto ndjenja e emocione me tri fjalë. Nisi me fjalën “kujtesë”. Kujtoi, së pari, ata koreanë, që një ditë e morën në zemër dhuratën e Ungjillit, falë kumtimit, që vinte nga jashtë, por që, në atë çast, bëhej kumt, për të mos u harruar kurrë më:RealAudioMP3
Në këtë situatë, Kisha është rojtare e kujtesës dhe e shpresës: është familje shpirtërore, në të cilën të rriturit u transmetojnë të rinjve pishtarin e ndezur të fesë, të cilën ata vetë e morën nga të moshuarit; kujtesa e dëshmitarëve të së kaluarës, bëhet dëshmi e re në të sotmen e shpresë në të ardhmen”.
Koreja është vend me zhvillim të ndjeshëm e të vrullshëm ekonomik, popullohet nga njerëz, që janë punëtorë të mëdhenj, të disiplinuar e të rregullt. Papa Françesku e nënvizoi fort këtë, njëherësh me faktin se Koreja ka edhe një popullatë martirësh, si 124 të lumnuarit ndonjë ditë më parë.
“Dëshmia” e tyre - e kjo ishte fjala e dytë - la në shoqërinë koreane një gjurmë, që koha nuk do të mund ta shlyejë:
“Të krishterët e parë koreanë propozuan si model bashkësinë apostolike të Jeruzalemit, duke e jetuar dashurinë vëllazërore, që kapërcen çdo ndryshim shoqëror. Prandaj u dhashë zemër të krishterëve të sotëm të jenë bujarë e ta ndajnë pasjen me më të varfërit e më të përjashtuarit, sipas ftesës së Kapitullit të 25-të të Ungjillit të Mateut, përmes të cilit Krishti vijon të na kujtojë: ‘Gjithçka keni bërë vetëm për njërin nga këta vëllezër të mi, e keni bërë për mua”.
Historia e fesë në Kore, vijoi Papa Françesku, është emblematike për një fakt tejet të rëndësishëm, që lidhet me ungjillëzimin:
Krishti nuk i sheshon kulturat. Nuk ua pret udhën popujve të cilët, përmes shekujsh e mijëvjeçarësh, kërkojnë të vërtetën e praktikojnë dashurinë e Hyjit për të afërmin. Ai, që Krishti e lufton dhe e mund, është djalli, që mbjell egjrën e grindjes së njeriut me njeriun, të popullit me popullin, që i nxit të përjashtojnë njëri-tjetrin, për shkak të idhujtarisë së parasë e që hedh farë helmi në zemrat e të rinjve, për t’i asgjësuar”.
E, në këtë truall, lëshon rrënjë edhe fjala e tretë, “shpresa”: shpresa se populli i ndarë më dysh prej shumë kohe, do të mund të bëhet përsëri një popull i vetëm, shpresa se vëllai do të mund ta rrokë rishtas vëllaun, me të cilin vijon ta ndajë, edhe sot e kësaj dite, vija kufirit ndërmjet dy pjesëve të gadishullit:
Me këtë fe u lutëm, e vijojmë të lutemi edhe sot, që të gjithë bijtë e tokës koreane, të cilët vuajnë pasojat e luftërave e të përçarjeve, të mund të ecin në rrugën e vëllazërimit e të pajtimit”.
Të pasura, edhe përshëndetjet, që Papa u drejtoi sot grupeve të ndryshme, të pranishme në Sallën e Palit VI, pas përmbledhjes së katekizmit në gjuhë të ndryshme. Për shembull, Papa e vlerësoi e i shprehu simpatinë e tij një familjeje të shumënumërt – atë, mëmë e gjashtë bij - ardhur në Vatikan duke përshkuar gjithë Rrugën Francigjene, nga Avinjoni-në Romë, mbi shpinë të gomarit. Po ashtu vlerësoi edhe një grup tjetër shtegtarësh, të ngjashëm me të parin, ardhur me kanoa nga Loreto.
Në çastin e hyrjes në sallë, kur turma, në të dy anët e korridorit qëndror e pushtoi me ngrohtësinë e saj, Françesku u takua me futbollistët e skuadrës së zemrës, skuadrës së Shën Lorencit, që sapo ka fituar Kupën Liberadores. Papa e quajti këtë realitet, “pjesë e identitetit tim kulturor”. Për t’u kujtuar, edhe urimet drejtuar besimtarëve polakë, posaçërisht të rinjve, që po punojnë për përgatitjen e DBR-së së Krakovit 2016. Mendimi i fundit, kushtuar festës së sotme liturgjike të Shën Bernardit. Françesku e kujtoi me këtë urim: “Dashuria e tij për Zojën e Bekuar, të cilën ai e quajti “Yll i Detit”, e frymëzoftë jetën e krishterë të secilit nga ne; të mësohemi për t’ia ngulur sytë Marisë e t’i lutemi, që të mos na mundë kurrë mëkati e të gëzojmë frytet e hirit, dhuruar nga Biri i saj, Jezus”.







All the contents on this site are copyrighted ©.