Gjatë Meshës për paqen e pajtimin, kryesuar në katedralen e Myeong-dong në Seul, Papa
Françesku u lut për kardinalin Fernando Filoni, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin
e Popujve, i dërguar i tij personal në gjirin e popullsive të persekutuara të Irakut,
që vijon vizitën tronditëse në vendin aziatik. Françesku i ftoi besimtarët të luten
me të… “Për kardinalin Filoni, që duhet të ishte ndërmjet nesh, por që nuk mundi të
vinte, sepse u dërgua nga Papa për të vizituar popullsitë e vuajtura të Irakut, për
të ndihmuar të persekutuarit, të plaçkiturit dhe të gjitha pakicat fetare, që vuajnë
në këtë tokë. Zoti e ndihmoftë në misionin e tij”.