2014-08-17 11:56:07

Papa pagëzon prindin e njërës nga viktimat e Sewol


Sot paradite, e diel, 17 gusht, Papa Françesku pagëzoi zotin Lee Ho-jin, babai i njërit nga të rinjtë, që humbën jetën gjatë mbytjes së tragetit Sewol. Prindi i pati kërkuar Papës ta pagëzonte, me rastin e takimit të Atit të Shenjtë me të mbijetuarit dhe familjarët e tragjedisë, të premten e kaluar, ditë e solemnitetit të të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në qiell, pranë stadiumit të Daejeon. Pagëzimi u kremtua në Kapelën e nunciaturës të Selisë së Shenjtë, në Seul, në orën 07.00.
Gjatë fundosjes së tragetit Sewol, më 16 prill 2014, në bregdetin e Koresë së Jugut, nga 476 udhëtarët, 293 gjetën vdekjen, 10 humbën pa gjurmë. Zoti Lee Ho-jin shoqërohej nga i biri, e bija e një meshtar, që ia paraqiti Papës në Daejeon. Nun ishte një shekullar i personelit të nunciaturës. Kremtimi, tejet i thjeshtë, u kryesua nga ati jezuit John Chong Che-chon, që shoqëron Papën në këtë shtegtim, si përkthyes për gjuhën koreane.
Papa mori pjesë personalisht në Sakramentin e Pagëzimit në çastin e derdhjes së ujit dhe të lyerjes me Bagmin shenjt të Krezmimit.
I sapo pagëzuari zgjodhi një emër të ri: Françesk. Papa e jetoi me kënaqësi të madhe pjesëmarrjen drejtpërdrejt në Pagëzim e në Krezmim, duke i shtuar, kështu, pesonalisht, një besimtar të ri Kishës së Krishtit në Kore.







All the contents on this site are copyrighted ©.