Kardinali Filoni: fëmijët jazidë na thonë: “Ç’po bëni për ne?”
Kardinali Fernando Filoni, i dërguar personal i Papës në Irak, vijon misionin ndërmjet
refugjatëve në vendin e shumëvuajtur aziatik. Dje prelati i lartë i çoi ndihmat e
Papës një bashkësie jazide e sot pati një takim tjetër prekës me anëtarët e këtij
grupi fetar. Por ta dëgjojmë vetë kardinalin Filoni, nga Iraku, në mikrofonin
e Radio Vatikanit:
Përgjigje: - Sot paradite, në Duhok, takova governatorin
e kësaj zone: folëm shumë për gjendjen e refugjatëve e edhe për impenjimin e qeverisë
vendase në ndihmë të grupeve të ndryshme. Impenjim shumë bujar, ndonëse mungojnë mjetet
e mjaftueshme për ta përballuar për një kohë të gjatë situatën e krijuar: popullsia
pothuasje është dyfishuar, në krahasim me atë të mëparshmen. Prej këndej, edhe ai
kërkon që ndihmat të arrijnë sa më shpejt, posaçërisht ndihmat më të domosdoshme.
Shkuam, pastaj, me ipeshkvijtë, me patriarkun kaldeas dhe nuncin të vizitojmë
vendstrehimet e refugjatëve e bëmë një vizitë edhe në Manges, fshat ku jeton një numër
i madh katolikësh kaldeas. Pamë situatën e folëm edhe me mysafirët e kësaj qendre
famullitare, ku janë strehuar një mori familjesh; njerëz të ikur nga Karakoshi, Bakdida
dhe fshatrat e tjera të Rrafshit të Ninives. Besojnë të gjithë se Kisha nuk do t’i
braktisë, por edhe ankohen që britmat e tyre nuk po arrijnë në veshin e Bashkësisë
Ndërkombëtare. Pastaj, pranë një shkolle të bashkisë, shkuam të vizitojmë edhe refugjatët
e jazidëve. Këtu jetuam një situatë shumë, shumë dramatike: jo aq në këndvështrimin
e vendstrehimit, sa në atë psikologjik e moral. Pashë sidomos gra, shumë fëmijë
e pak pleq… Qanin, sepse nuk shohin kurrfarë ardhmërie për tokën, kulturën, traditën
e tyre. Qanin e pyesnin: “Ç’të keqe kemi bërë, që të na vrasin kësisoj?”. Gratë rrinin
si të ngrira: të emocionuara, të përlotura, të paafta për të reaguar, të verbuara
e të shurdhuara nga dhimbja e nga vuajtja. Fëmijët, natyrisht shumë, na rrethonin,
na shikonin me sytë e tyre të mëdhenj, të pafajshëm, në të cilët lexohej një pyetje
e vetme: “Ç’po bëni për ne?”. Situatë tejet prekëse, vuajtje e madhe, që i ka pushtuar
të gjithë. Morën zemër, kur u thamë se Papa e Kisha katolike i mbron, flet për ta,
bëhet zë i tyre, i ka në zemër. E pastaj vijojnë të vijnë lajme për vrasje të tjera:
flitet për 100 burra të vrarë, e lajmi erdhi pikërisht sot në mëngjes… Po përpiqemi
të thellohemi më shumë në këtë situatë dhimbjeje pa fund. Në këtë situatë të dëshpëruar,
sidomos, në disa fshatra, prej nga njerëzit nuk kanë mundur të ikin.
Pyetje:
- Bashkimi Evropian po lëviz për t’i ndihmuar, posaçërisht kurdët, që të mund
ta përballojnë sulmin xhihadist; OKB-ja votoi një Rezolutë e sot arritën në Erbil
ndihmat e para italiane. A e shikojnë refugjatët se bota, ndonëse ngadalë, po fillon
të lëvizë?
Përgjigje: - Kanë ende perceptim relativ. Këto lajme mbeten
ende lajme, si të themi, mediatike. Porosia, që na japin të gjithë, është: “Ç’keni
për të bërë, bëjeni shpejt! Mos e lini shpresën të vdesë!”. E kuptojnë se sa më shumë
kohë të kalojë, aq më pak shpresa do të kenë për t’u rikthyer në jetë normale e dinjitoze.
Ata thonë se duhet bërë një brez ndërkombëtar rreth fshatrave, për t’i mbrojtur.
Po shpejt, shpejt, thonë, E qartë, pra, se kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, prandaj
duhet edhe që OKB-ja e Bashkimi Evropian të shqetësohen jo vetëm për këtë, por edhe
për të krijuar kushtet e rikthimit në jetën normale.
Pyetje: - Sipas
jush, ç’duhet të bëjë Bashkësia Ndërkombëtare, e s’po e bën?
Përgjigje:
- Ajo, që e dëgjoj nga të katër anët, është thirrja: “Bëjeni shpejt, çka duhet
të bëni”. Shikoj se njerëzit vuajnë e kanë nevojë të dëgjojnë një fjalë urgjente nga
ana e Bashkësisë Ndërkombëtare, në favor të tyre. Janë lënë në harresë për një kohë
tepër të gjatë!