Françesku ipeshkvijve të Azisë: dialog me të gjithë
Dialogu, identiteti i krishterë, empatia me të gjithë, me shpirtin e vërtetë kundrues,
të hapjes së zemrës e të mikrpritjes së tjetrit. Në fjalimin drejtuar ipeshvkijve
të Azisë, Papa Françesku e shtriu shikimin mbi misionin e Kishës në të gjithë Kontinentin
aziatik. E tërhoqi vëmendjen mbi tre tundime, në udhën e dialogut me njerëz e kultura:
relativizmi, karakteri sipërfaqësor dhe mbyllja e fesë në përgjigje të gatshme. Takimi i Papës
Françesku me ipeshkvijtë e ardhur nga mbarë Azia, u mbajt në Shenjtëroren e Haemit,
mëngjesin e së dielës, 17 gusht, dita e parafundit e shtegtimit apostolik të Papës
në Korenë e Jugut. Shenjtërorja e Haemit i kushtohet “martirit të panjohur”, sepse
emrat e shumicës së martirëve, që u flijuan për Krishtin në këtë vend, në gjysmën
e tetëqindës, janë të panjohur. Françesku uroi që me frymën e hapjes ndaj të tjerëve,
Vendet e Azisë, me të cilat Selia e Shenjtë nuk ka akoma marrëdhënie të plota, të
mos ngurrojnë të ecin në rrugën e dialogut, në dobi të të gjithëve. Papa u përqendrua
tek roli i Kishës në këtë kontinent të pafund, ku banon një larmi e vërtetë kulturash
e ku Kisha është e thirrur të japë dëshminë e Ungjillit, përmes dialogut e hapjes
së portave për të gjithë. Pikënisja e pikëmbështetja kryesore është identiteti ynë,
theksoi, identitet i të krishterit: “Nuk mund të impenjohemi në një dialog të
vërtetë, pa qenë të vetëdijshëm për identitetin tonë, pa e njohur veten, pa e ditur
kush jemi e ç’përfaqësojmë. Nëse duam të komunikojmë në mënyrë të lirë, të hapur e
të frytshme me të tjerët, duhet ta kemi të qartë kush jemi, ç’ka bërë Zoti për ne
e ç’kërkon nga ne. E nëse duam që komunikimi ynë të mos jetë monolog, nëse dëshirojmë
të flasim me të tjerët, e jo me veten, duhet hapur mendja e zemra për të pranuar individë
e kultura”. Dëshmi e dialog, duke u nisur nga identiteti, kërkon Papa, duke
kujtuar tri vështirësi, që duhen parashikuar e edhe duhen shmangur me maturi: “E
para është relativizmi, që na shtyn drejt rërës së lëvizshme të pështjellimit e të
dëshpërimit. Është tundim që, në botën e sotme, i godet edhe bashkësitë e krishtera,
duke i shtyrë njerëzit të harrojnë se përtej çdo gjëje, që ndryshon, janë realitetet
e pandryshueshme; ata e kanë themelin e fundit në Krishtin, gjithnjë i njëjtë: dje,
sot e në shekuj të shekujve” (Gaudium et spes, 10; cfr Heb 13,8). Nuk
është fjala për relativizmin e kuptuar vetëm si sistem mendimi, por për relativizmin
praktik, të përditshëm që, në mënyrë krejt të paperceptueshme, e ligështon çdo identitet”. Mënyra
e dytë me të cilën bota kërcënon identitetin, forcën e identitetit tonë të krishterë,
është karakteri sipërfaqësor, cektësia: sendet e modës, të ikjes nga realiteti. Problem
serioz baritor: “Për njerëzit, që i shërbejnë Kishës, kjo cektësi mund të manifestohet
në joshjen nga programet baritore e nga teoritë, në dëm të takimit të drejtpërdrejtë
e të frytshëm me besimtarët, posaçërisht me të rinjtë, që kanë nevojë për katekizëm
të vazhdueshëm e për udhëheqje shpirtërore. Pa rrënjosjen në Krishtin, të vërtetat
për të cilat jetojmë, brehen, praktikimi i virtyteve bëhet sa për formë e dialogu
rëgjohet në bisedë, në marrëveshje a mosmarrëveshje”. Tundimi i tretë, pastaj: “Tundimi
i tretë është siguria, në dukje, prirja për t’u fshehur pas përgjigjeve të lehta,
frazave të gatshme, ligjeve, rregullave. Feja, për vetë natyrën e saj, nuk përqendrohet
në vetvete, feja priret të dalë jashtë. Kërkon të kuptohet, të lindë dëshmi, të krijojë
mision. Identiteti ynë si të krishterë, në fund të fundit, është impenjim për të adhuruar
vetëm Hyjin e për të dashur njëri-tjetrin, për t’i shërbyer njëri-tjetrit, për t’i
treguar të gjithëve jo vetëm në çka besojmë, por edhe çka shpresojmë e kush është
Ai, në të cilin e kemi varur gjithë shpresën tonë (cfr 2 Tm 1,12). Në
vijim, theksimi: “Është feja në Krishtin ajo, që përbën identitetin tonë më
të thellë e më të frytshëm. Lind e ushqehet nga hiri i dialogut tonë me Zotin e nga
nxitjet e Shpirtit të Tij, duke sjellë frytin e drejtësisë, të mirësisë, të paqes”. Papa
u kujtoi ipeshkvijve se identiteti i krishterë i Kishave të veçanta duket qartë në
programet e tyre të katekizmit, në veprimtaritë baritore rinore, në shërbimin ndaj
të varfërve, atyre që flaken në skutat e shoqërive tona të pasura e në përpjekjet
për të ushqyer thirrjet për rrugën e meshtarisë e të jetës rregulltare. Së fundi,
njëherësh me njohjen e identitetit të krishterë, dialogu i vërtetë kërkon edhe aftësi
empatie, aftësi për t’i kuptuar menjëherë mendimet e gjendjen shpirtërore të tjetrit: “Nuk
duhet të kufizohemi duke dëgjuar vetëm fjalët, që na thonë të tjerët, por të kapim
çka nuk na thonë, shpresat e dëshirat, vështirësitë e gjithçka tjetër, që kanë më
shumë për zemër. Një empati e tillë duhet të jetë fryt i aftësisë për të depërtuar
në shpirtin e tjetrit dhe i përvojës personale, që na nxit t’i shikojmë të tjerët
si vëllezër e motra, të dëgjojmë, përmes e përtej fjalëve e veprimeve të tyre, fjalën
e pathënë të zemrës. Me këtë frymë hapjeje ndaj të tjerëve, Vendet kontinentit aziatik,
me të cilat Selia e Shenjtë nuk ka ende marrëdhënie të plota, nuk do të ngurrojnë
të hapin dialogun, në dobi të të gjithëve”.
Dita e sotme e Papës në Kore,
pra, nisi me takimin shumë të rëndësishëm, që lidhet me perspektivat e Kishës në mbarë
Azinë. Në orën 11.00, pranë Shenjtërores së Haemit, vend që të kujton të krishterët
e vrarë gjatë persekutimeve të përgjakshme të shekullit XIX, filloi takimi me ipeshkvijtë
e ardhur nga mbarë Azia. Papën e përshëndeti kardinali Osvald Gracias, kryeipeshkëv
i Bombay dhe Kryetar i Konferencës së ipeshkvijve të Azisë. Nuk ishte përshëndetje
formale, por analizë e thelluar, që preku të gjitha problemet themelore të Kishës
në këtë Kontinent. Kardinali Gracias kujtoi, në fillim, takimin aziatik të Papës
Pali VI në Filipine, në vitin 1970 dhe vendimin që morën asokohe ipeshkvijtë aziatikë
për të formuar një Konferencë ipeshkvnore kontinentale(FABC), si strukturë për ballafaqim
të vazhdueshëm; por edhe të ngjashme me strukturat mbikombëtare e kontinentale, si
CELAM, SECAM, ECCE. Kryetari i FABC përshkroi përmbledhtas zhvillimet e Konferencës,
të Komisioneve të saj dhe veprimtaritë e tyre në rrjedhë vitesh. FABC i ndihmon vazhdimisht
Kishat në Azi me anën e zyrave të saj, me programe formimi e gjallërimi baritor për
ipeshkvijtë, specialistët dhe të gjithë ata, që punojnë në këtë sektor. Pa e kufizuar
pavarësinë e Konferencave të veçanta ipeshkvnore, FABC e ushtron me delikatesë ndikimin
e saj mbi Kishën në Azi. E pikërisht ky ishte vizioni i etërve themelues. Gjatë
përshëndetjes, kardinali Gracias reflektoi edhe për misionaritetin e Kishës universale
në kontekstin aziatik, duke kujtuar se në Azi jeton 60% e popullsisë botërore. Kontinent,
ku shumica e popullsisë është e re, e si pasojë, në shumë këndvështrime, Azia është
me të vërtetë themelore për ardhmërinë e botës e edhe për ardhmërinë e Kishës. Kishat
e Azisë përcaktojnë tre drejtime kryesore veprimtarie, sepse tri janë edhe sfidat
për t’u përballuar: dialog me kulturat, dialog me të varfrit, dialog me fetë. Po ç’na
kujton Ungjilli lidhur me këto tri realitete të mëdha, të cilat ndodhen, të trija,
përballë tre kërcënimeve serioze: kulturat duket sikur po e humbasin gjallërinë e
tyre shpirtërore; të varfrit janë para rrezikut të mospërfshirjes në proceset e rritjes,
madje të shpërfilljes së plotë graduale; ndërsa disa grupe fetare priren ta shikojnë
fundamentalizmin si të vetmin mjet për të mbijetuar. Në këtë kontekst, episkopati
aziatik shikon tri sfida kryesore për Kishën në Azi: shekullarizmi dhe materializmi
po mbizotërojnë gjithnjë më shumë në shoqërinë aziatike. Popullsia aziatike është
fetare për natyrë. Por tani disa po e zhvendosin Hyjin nga qendra e jetës, në skajet
e saj. Familja, dikur tejet e rëndësishme për mbarë shoqërinë aziatike, e rrënjosur
thellë në të, tani po ronitet pak nga pak. Vërehen sulme kundër jetës bashkëshortorte.
Divorci, dikur i parë si tabu, tani nuk është aspak i rrallë. Lëvizjet kundër jetës
shtohen, kërcënojnë vetë jetën, në mënyra nga më të ndryshmet: me konflikte etnike,
çrregullime ndërmjet bashkësive, zhdukje me forcë të bindjeve fetare të ndryshme,
kërcënim tragjik të jetës së njerëzve të pambrojtur, si të palindurit. E deri eutanazia
ka nisur të ketë mbrojtësit e saj. Shpirti aziatik e kërkon dhe e gjen gëzimin në
bashkësi. Po tani edhe ky aspekt sulmohet nga ndjenja e fortë e individualizmit, nga
mungesa e vëmendjes për tjetrin, nga indiferenca për nevojat e tij, nga humbja e frymës
së mikpritjes, tradicionale deri dje, në të gjithë shoqërinë aziatike. Po humbasim
frymën e harmonisë ndërfetare, theksoi kardinali Gracias, e, kohët e fundit, jemi
dëshmitarë të sulmeve të dhunshme kundër fesë. Në disa vende, persekutimi i të krishterëve
është në rritje. Kundërvënia ndaj tyre rrjedh nga feja sunduese e, nganjëherë, edhe
nga ideologjitë, që duan të imponojnë autoritetin politik mbi grupet fetare. Së
fundi kardinali Gracias kujtoi disa aspekte të veçanta të kontekstit aziatik. Për
aziatikët, pohoi, feja është më shumë ndjekje e një vetjeje, sesa e një doktrine ose
bindje ndaj disa rregullave. Prej këndej, Vetja e Jezusit i tërheq të gjithë: i tërheq
mesazhi i Tij e jeta e Tij, mundimet, vdekja e ngjallja. Shenjtëroret mariane tërheqin
njerëz të të gjitha besimeve, që e nderojnë fort Zojën e Bekuar. Mendësia aziatike
kënaqet më shumë në lutje kundruese, sesa në meditim të thjeshtë. Pasuri, këto, që
mund t’i krijojmë me të tjerët, e edhe t’i ndajmë me të tjerët. Azia e re njeh
një shpërthim të pashembullt të komunikimeve. Kjo është dhuratë e madhe e Zotit për
përhapjen e Lajmit të Mirë. Detyra jonë është t’i edukojmë të gjithë, e posaçërisht
të rinjtë, t’i përdorin mediat e reja e të përfitojnë pozitivisht prej tyre. Kontinenti
vigan aziatik shtrihet para nesh. Jemi pakicë në Azi, pothuajse në të gjitha vendet
tona. Koreja është tokë, në të cilën shekullarët luajtën një rol krejt të veçantë
në ungjillëzim e, prej këndej, bëhet model për shumë prej nesh. Urojmë të jemi prekur
nga pasioni ngjitës i Kishës koreane, kur të kthehemi në Kishat tona.