2014-08-16 11:09:07

Papa në takimin me bashkësitë e rregulltarëve: ata, që bëjnë kushtin e varfërisë, por jetojnë si të pasur, shkandullojnë Popullin e Zotit


Gjatë udhës për në Qendrën e formimit “Shkolla e dashurisë”, ku Papa Françesku u takua me bashkësitë fetare të Koresë, Ati i Shenjtë u ndal për t’u lutur para “Kopshtit të fëmijëve të abortuar”. Të pranishëm, veprimtarë pro-life dhe një misionar pa këmbë e pa duar, frati Lee Gu-won.
Në Qendër, Papa Françesku duhej të thoshte lutjet e mbrëmjes së bashku me rreth 5 mijë rregulltarë e rregulltare koreane, në palestrën e shkollës, ku rreth 200 mijë fëmijë ndjekin çdo vit kurse përshpirtërie aktive. Kjo nuk qe e mundur për arsye kohe.
Në fjalën e tij, Papa Françesku u përpoq t’u jepte rregulltarëve këshillat që i kërkuan dy kryetarët e Shoqatave mashkullore e femërore të Eprorëve të Lartë të Koresë e, që kanë të bëjnë me identitetin e krishterë e me thirrjen e meshtarëve e të rregulltarëve, që nganjëherë, influencohet nga shenjat e kohëve, nga shekullarizmi, nga joshja e pushtetit. Ati i Shenjtë i falenderoi për denoncimin e kësaj situate në fund të fjalës së tij.
“Larmia e madhe e thirrjeve dhe e veprimtarive apostolike – u tha Papa rregulltarëve – e pasuron jetën e Kishës në Kore. Siguria e patundur se Zoti na do është në qendër të thirrjes… Por vetëm nëse dëshmia është e gëzueshme mund t’i tërheqë burrat e gratë drejt Krishtit. E ky gëzim është dhuratë, që ushqehet nga jeta e lutjes, e meditimit të Fjalës së Zotit, e kremtimit të Sakramenteve dhe e jetës në bashkësi”.
Pavarësisht nga lloji i thirrjes, vijoi Ati i Shenjtë, që mund të jetë e orientuar kah jeta kundruese, ose kah jeta aktive, sfida e vërtetë është ta bazoni jetën dhe punën tuaj në Mëshirën Hyjnore. Stili i jetës së bazuar në kushtet e pastrisë, të varfërisë e të bindjes do të bëhet kështu, u tha Papa rregulltarëve, dëshmi e gëzueshme e dashurisë së Zotit, pikërisht sepse do të jeni në gjendje të mos i shkulni këmbët nga shkëmbi i mëshirës së Tij. E pastaj, Françesku ngriti zërin:
“Nuk ka rrugë të lehta: Zoti i do tërësisht zemrat tona e kjo do të thotë se duhet ‘të shkëputemi’ e ‘të dalim nga vetvetja’ gjithnjë e më tepër”.
Papa përmendi një formë varfërie, që duhet të gjejë shprehjen e saj konkrete në stilin e jetesës, si personal, ashtu edhe komunitar. Në veçanti, theksoi nevojën për t’iu shmangur të gjitha situatave, që mund t’u marrin mendjen rregulltarëve, duke shkaktuar kështu shkandull tek të tjerët.
“Në jetën e kushtuar Zotit – nënvizoi Ati i Shenjtë - varfëria është njëkohësisht ‘mur’ dhe ‘nënë’. Është ‘mur’, sepse e mbron jetën e shuguruar, është ‘nënë’, sepse e ndihmon të zhvillohet dhe e udhëheq në rrugën e drejtë”.
Hipokrizia e atyre burrave e grave, që ia kanë kushtuar jetën Zotit, duke bërë kushtin e varfërisë, por jetojnë si të pasur, denoncoi me zjarr Papa Françesku, u hap varrë besimtarëve dhe e dëmton Kishën. Tundimi për të përdorur një mendësi, thjesht funksionale e mondane, është i rrezikshëm e bën të kemi shpresë vetëm në mjetet njerëzore, duke hedhur poshtë dëshminë e varfërisë, që pati jetuar e që na e pati mësuar Zoti ynë Jezu Krishti, përfundoi Ati i Shenjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.