Papa lumnon në Seul 124 martirë: Krishti mbi gjithçka!
Ditë nën shenjën e martirëve koreanë e të historisë së krishterimit në Kore, e sotmja.
E martirët na kujtojnë se duhet ta vëmë Krishtin mbi gjithçka e të mos bëjmë kurrë
kompromise, kur është fjala për të mbrojtur fenë. Pohim i fortë, ky, i Papës Françesku
gjatë homelisë, në Meshën e lumnimit të Paul Yun Ji-chung e 123 shokëve të tij martirë,
kremtuar sot në Seul, pranë Portës së Gwangwamun, duke nisur nga ora 10.00 (3.00 me
orën evropiane). Meshës i parapriu një përshëndetje të shkurtër drejtuar Atit të Shenjtë
nga kryetari i Komisionit për Lumnimin e Paul Yun-Ji chung e shokëve martirë. Pastaj,
Mesha me ritin e lumnimit, në praninë e rreth 800 mijë vetëve, për të cilën na flet,
nga Seuli, i dërguari i Radio Vatikanit, Davide Dionisi:
“Kremtimi
i të Lumit Paul dhe shokëve të tij, na krijon mundësinë të rikthehemi në çastet e
para, në agun e Kishës në Kore, e na fton të gjithëve ta lumnojmë Hyjin për këtë hir”. Këtë
kujtoi Papa në fillim të homelisë, të cilën ia kushtoi flijimit heroik të shumë martirëve,
që e bëri Korenë pjellore e të pasur me perspektiva për ardhmërinë. Falë tyre, Ungjilli
i Krishtit u rrit si rrap madhështor, duke e shtrirë gjethnajën edhe jashtë vendit,
në mbarë Kontinentin aziatik, nënvizoi Papa e, në vijim, kujtoi fitoren dhe dëshminë
e atyre, që e paguan besimin në Zotin me flijimin më të lartë. Paul Yun Ji-chung dhe
shokët e tij e vulosën misionin e tyre si pararendës, me martirizim. Mbollën, kështu,
në tokën koreane, me gjakun e tyre, farën e të krishterëve të rinj. Duke i pasqyruar
mrekullisht mirë mësimet kryesore të “magjisterit të tij romak”, në rrethanat e veçanta
koreane e aziatike, Françesku kujtoi, në vijim të homelisë, vdekjen dhe ngjalljen
e Krishtit, me fjalët e Shën Palit: “Kush do të na ndajë prej dashurisë së Krishtit?
Vështirësia? Ngushtica? Salvimi? Uria? Lakuriqësia? Rreziku? Shpata? Sikurse e lexojmë
në Shkrimin Shenjt: Për shkak tënd na vrasin si një ditë për ditë, na çmojnë porsi
dele të caktuara për t’u prerë. E prapëseprap, në të gjitha këto, jemi më se ngadhënjyes,
në saje të Atij që na deshi. Jam plotësisht i bindur se as vdekja, as jeta, as ëngjëjt
as pushtetet, as e tashmja, as e ardhshmja, as fuqitë, as lartësitë as humnerat e
asnjë krijesë tjetër, nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u
dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Rom 8,35-39). Kjo është siguria. Gëzimi
i thellë që i prin të krishterit në të gjitha ngjarjet e jetës, të gëzuara e të trishtuara:
asgjë nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit. E kjo dashuri është pasuria
e vërtetë e jetës njerëzore e mbetet thesar edhe për jetën e shoqërisë koreane: “Feja
e krishterë në Kore nuk erdhi përmes misionarëve; hyri përmes zemrave e mendjeve
të vetë koreanëve. U nxit nga kureshtja intelektuale, nga kërkimi i etshëm i së vërtetës
fetare. Përmes takimit fillestar me Ungjillin, të krishterët e parë ia hapën Jezusit
mendje e zemra”. Dëshira për të ditur diçka për Jezusin, i çoi shumë shpejt
tek takimi me vetë Zotin, tek pagëzimet e para, tek dëshira për jetë të plotë sakramentore
e kishtare e edhe tek zanafilla e impenjimit misionar. Solli, kështu, frytet e para
në bashkësitë, që frymëzoheshin nga Kisha e zanafillës, në të cilën besimtarët kishin
me të vërtetë një zemër të vetme e një shpirt të vetëm, pa pyetur fare për ndryshimet
shoqërore (cfr Vap 4,32). Papa nënvizoi një hollësi të Ungjillit
të sotëm: Jezusi i kërkon Atit të na shenjtërojë në vërtetësi e të na ruajë nga bota.
Kuptimplote që, ndërsa Jezusi i kërkon Atit të na shenjtërojë e të na ruajë, nuk i
kërkon të na heqë nga bota. Zoti i nis dishepujt e vet, që të jenë tharm shenjtërie
e vërtetësie në botë: kripë e tokës e dritë e botës. Në këtë drejtim martirët na tregojnë
udhën. Por, vijoi të kujtonte, pak kohë pasi u mbollën farët e para të fesë në
këtë tokë, martirëve dhe bashkësive të krishtera iu desh të zgjidhnin ndërmjet Jezusit
e botës. Ishin gati për flijime të mëdha, gati të zhvisheshin nga çdo e mirë,
më parë se të largoheshin nga Krishti; të braktisnin pasuri, tokë, autoritet, nderime,
ngaqë e dinin se Krishti ishte thesari i tyre i vërtetë: “Sot, gjithnjë më shpesh,
provojmë se feja jonë vihet në provë nga bota, e në mënyra nga më të ndryshmet. Na
kërkohet të biem në kompromise, kur duhet ta mbrojmë pa asnjë kompromis fenë; t’i
stërhollojmë kërkesat rrënjësore të Ungjillit, kur nuk duhet t’i përshtatemi shpirtit
të kohës”. Prej këndej: “Shembulli i martirëve të parë ka shumë për
të na thënë ne, që jetojmë në një shoqëri ku, pranë e pranë me pasuritë e pamasa,
rritet në heshtje, varfëria më e turpshme, ku rrallë e herë dëgjohet britma e të varfërve
e ku Krishti vijon të na thërrasë, të na kërkojë ta duam e t’i shërbejmë, duke ua
zgjatur dorën vëllezërve e motrave nevojtare”. Shembulli i martirëve na mëson
edhe rëndësinë që ka dashuria e krishterë në jetën e fesë: “Trashëgimia e të
lumit Paul Yun Ji-chung dhe e shokëve të tij, ndershmëria në kërkimin e së vërtetës,
besnikëria e tyre ndaj parimeve më të larta të fesë që rrokën, ashtu si dëshmia e
dashurisë së krishterë dhe e solidaritetit ndaj të gjithëve – tërë kjo bën pjesë në
historinë e pasur të popullit korean”. Trashëgimia e martirëve mund t’i frymëzojë
të gjithë burrat e gratë vullnetmira të punojnë për harmoninë, për ndërtimin e një
shoqërie më të drejtë, më të lirë më të pajtuar, duke kontribuar kështu, për paqen
dhe mbrojtjen e vlerave të vërteta njerëzore në këtë vend e në mbarë botën, nënvizoi
Papa në vijim të homelisë. Por të jesh martir do të thotë, sidomos, të jesh dëshmitar
i Jezusit. E, lidhur me dëshminë, para se të niste Mesha, Ati i Shenjtë u ndalua përsëri
disa çaste për të përshëndetur familjarët e viktimave të tragetit. Përqafimi i tij
dhe pjesëmarrja në dhimbjen e tyre, ngjalli këto ditë emocione aq të forta, sa gazetat
vendase vijojnë t’i kushtojnë faqe të tëra këtyre çasteve prekëse të shtegtimit të
Papës, që në kronikat vendase titullohen: “Papa fshin lotët e SeWol”.Në përfundim
të Meshës, Françeskun e përshëndeti kardinali Andrea Yeum Soo-jung, kryeipeshkëv i
Seulit. Nënvizoi, gjatë fjalës së tij, rolin e martirëve koreanë në jetën e Kishës
katolike, duke kujtuar se tashmë kjo Kishë ka 103 shenjtorë martirë e , veç këtyre,
me lumnimin e sotëm, edhe 124 të Lumë. Zona përreth është vend historik, vend martirizimi
i të parëve të fesë sonë, theksoi, për të kujtuar, në vijim, se Kisha katolike në
Kore lindi e u rrit mbi gjakun e martirëve, duke u bërë shembull për shoqërinë koreane,
sepse gjithnjë në mbrojtje të drejtësisë të dinjitetit të njeriut. Lumnimi i sotëm
është rast, që na nxit për të vijuar ecjen në udhën e harmonisë e të unitetit, jo
vetëm të katolikëve, por edhe të gjithë popullit korean e të mbarë popujve aziatikë,
përmes shkëmbimit të vëllazërisë universale. Por është edhe rast për të çuar përpara
ungjillëzimin e botës e për të arritur objektivin, duke u bërë Kishë, që u shërben
të varfërve, punëtorëve, të shtypurve, përmes komunikimit të gëzimit të Ungjillit,
që të lehtëson çdo vuajtje e të ndihmon të mbartësh çdo kryq.