2014-08-16 10:58:05

Papa heq këpucët për të hyrë në qendrën e koreanëve me të meta fizike


Pas drekës, Papa shkoi me helikopter në Kkottongnae, për të vizituar Qendrën “House of Hope” (Shtëpia e Shpresës). Siç vuri në dukje ipeshkvi i dioqezës së Cheongju, gjatë fjalës së mirëseardhjes, kjo qendër është pikë referimi për të varfërit, të sëmurët dhe të mënjanuarit. Gjithashtu, merret me formimin e fëmijëve me të meta fizike, ka shkollën e Zojës për fëmijët e verbër, shkollën e Zemrës së Krishtit për shurdhmemecët, shkollën e Shpirtit Shenjt për fëmijët me probleme emotive. Në vitin 2001, rregulltarët e Kkottongnae kanë përuruar edhe një shkollë për fëmijët e braktisur e për fëmijët e vajzave të pamartuara, që nuk i adopton njeri, sepse kanë ndonjë problem të lindur. Papa ndenji me ta, si në një familje, por pa shqiptuar ndonjë fjalim zyrtar. Fëmijët dhanë një shfaqje të vogël muzikore dhe i dhuruan Atit të Shenjtë punime dore. Në shenjë nderimi, Papa hoqi këpucët para se të hynte në qendër e vuri në qafë kurorën me lule tradicionale, që i dha një vajzë e vogël. Të sëmurët i takoi në kapelë.








All the contents on this site are copyrighted ©.