2014-08-15 11:20:14

Përfundoi pesëmbëdhjetëditëshi i “Të Ngjiturit të Zojës në Qiell”


Një liturgji e marrë nga ajo bizantine, për ta jetuar, në bashkim me Kishat Lindore, përgatitjen e solemnitetit marian të 15 gushtit, nisi më 1 gusht e vijoi deri më 14, çdo mbrëmje, në Bazilikën e Rrugës Lata, në qendër të Romës.
Na kujtoi njërën nga festat më të kremtuara të Zojës, që shënon edhe kulmin e verës. Festa paraprihet nga pesëmbëdhjetëditshi, kushtuar ‘Të Ngjiturit të Marisë në qiell”. Për këtë pesëmbëdhjetë ditësh, tashmë të përfunduar, flet, në mikrofonin tonë, atë Emanno Toniolo, rregulltar i Shërbëtorëve të Marisë, duke na shpjeguar traditën e lashtë lindore për këtë, që njihet si “Kreshma e vogël e Nënës së Hyjit”:RealAudioMP3

Përgjigje: - Muaji gusht, për Kishat lindore, posaçërisht për atë bizantine, është muaj i Zojës për antonomazi: ka në zemër Pashkët e Nënës së Zotit, 15 gushtin, në zemër të verës. Kjo festë përkon me Kreshmët e mëdha, që parapërgatisin Pashkët e Zotit, me të Shtunën e Madhe të Dielën e Pashkëve. E pastaj, deri në fund të muajit, vijojnë kremtimet e frymëzuara nga Nëna e Zotit, e ngjitur në qiell. Prej këndej i tërë muaji gusht është marian në ekumenë bizantine, por edhe në Kishat e tjera, shumë nga të cilat këto ditë po provojnë tmerret e luftës: Siria, Egjipti, koptët, maronitët, kaldenjtë e Irakut, armenët, etiopët… Pra, në luftë a në paqe, këto ishin ditë përgatitjeje për festën e festave, që të kujton Nënën e Zotit në lumni të Parajsës.

Pyetje: - Është një mënyrë për t’i kënduar Marisë me dy mushkëritë: Lindjen e Perëndimin…

Përgjigje: - Po, e jo vetëm me fjalë, por kryesisht me lutjen drejtuar Nënës së vetme. Lutje me të njëjtin qëllim. Lutje plot me besimin e bijve, që e shikojnë Nënën e lumnuar, duke vijuar ta kenë fare pranë, kur shpirti u tronditet nga problemet e mëdha personale, familjare e, posaçërisht, kombëtare e ndërkombëtare. Sepse problemet e mëdha ndërkombëtare peshojnë gjithnjë rëndë mbi njerëzit e vegjël, që në dukje nuk kanë të bëjnë fare me fuqitë e mëdha: problemi i paqes, në radhë të parë. I luten, prandaj, për paqen mbi tokë, Asaj, që është Mbretëresha e paqes.

Pyetje: - Vërtet gjë e bukur të përfytyrosh se në këto 14 ditë, që i paraprinë Solemnitetit, u lartua lutja e njëzëshme….

Përgjigje: - E njëzëshme! Po mendoja posaçërisht Athinën, Nea Smyrni-n, ku kam qenë në famulli: atje është një grumbullim i papërfytyrueshëm besimtarësh, një pjesëmarrje e devoçme, e thellë, tejet e ndjerë nga mbarë populli.

Pyetje: - Është kremtim bizantin, që i përshtatet stilit tonë liturgjik?

Përgjigje: - Ne kemi shtuar ndonjë gjë, sepse jemi mësuar më shumë me himnet, me zgjatjen, ta quajmë kështu, të Psalmodisë gjatë kremtimit liturgjik e, sidomos, jemi më të mësuar me leximet, me zgjatjen e leximeve. Tani këtu, në këtë pesëmbëdhjetë ditësh, alternuam shumë perikope ungjillore, fragmente të Shkrimit Shenjt e të Shën Palit, si dhe të Apostujve të tjerë, e sidomos, disa lexime të shkëlqyera nga Etërit më të mëdhenj, që folën për Zojën e ngjitur në qiell, duke nisur nga shekulli IV, e që kompozuan, në se më lejohet të shprehem kështu, vetë doktrinën mbi “Të Ngjiturit në Qiell të Nënës së Hyjit”.

Pyetje: - E pastaj pesëmbëdhjetëditshin këtë vit e përfundoi, në Kishën e Shën Marçelit, në zemër të Romës, imzot Matteo Zuppi…

Përgjigje: - Kjo mbrëmësore lutjesh ishte posaçërisht interesante edhe në këndvështrimin ekumenik: filloi me disa nga 180 “troparet” mahnitëse të liturgjisë ruse, jo të asaj greke, por të Patriarkanës ruse. Jemi, pra, në bashkim me patrikun rus e me gjithë Kishën e Rusisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.