2014-08-15 13:24:20

Mesha e kardinalit Filoni ndërmjet të shpërngulurve. Do t’ua çojë ndihmat e Papës edhe jazidëve


Kardinali Fernando Filoni, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve dhe i dërguar personal i Françeskut në Irak, kremtoi sot Meshën në solemnitetin e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, ndërmjet të krishterëve të shpërngulur në kampin e refugjatëve të Duhok, në veri të Rrafshit të Ninives, ku strehohen 60 mijë vetë. Ditët e ardhshme parashikohet edhe një vizitë pranë Lalish, ku xhihadistët shkatërruan tempullin kryesor të jazidëve, pakicë tjetër fetare e persekutuar kohët e fundit në Irak, të cilëve kardinali Filoni do t’ u dorëzojë një shumë parash, në emër të Papës.
Dje prelati i lartë u takua, në Erbil, me presidentin e zonës kurde, Masoud Barzani, të cilit i dorëzoi letrën, që i kishte dhënë me vete Papa, për ta informuar për praninë e të dërguarit të tij si dhe për t’i shprehur vlerësimin për strehimin e refugjatëve në zonën kurde, si në Veri, ashtu edhe në Jug të Rrafshit të Ninives. Papa falënderoi qeverinë kurde për ndihmën, që po u jep refugjatëve.
Presidenti Barzani kujtoi takimin që pati, në Vatikan, rreth 2 muaj më parë, me Papën dhe shprehu kënaqësinë për mbrojtjen morale dhe lutjet e katolikëve, në situatën e vështirë, që po kalon Iraku dhe mbarë Kurdistani. Barzani siguroi se me qeverinë e tij, do të bëjë çdo përpjekje të mundshme për t’i plotësuar nevojat më të ngutshme të të krishterëve dhe të pakicave të tjera, të dëbuara nga shtëpitë e nga fshatrat e tyre dhe pohoi, me forcë, impenjimin për ta çliruar vendin nga pushtimi i xhihadistëve të ISIS, duke e pasur mirë parasysh se Iraku është atdhe i gjithë irakianëve e i gjithë kurdëve. Uroi edhe që të krishterët të mbeten në këtë vend, sepse janë pjesë e kulturës dhe e traditave më të lashta të tij. Duke shpresuar në ndihmën nga vendet e tjera, që e duan Irakun, sqaroi se nuk pret t’i vijnë nga jashtë burra, për të mbojtur atdheun e irakianëve, po armë moderne e mbrojtje ajrore. Kërkoi, kështu, ndihmë ndërkombëtare të drejtpërdrejtë.
Kardinali Filoni e falënderoi, duke vlerësuar qëndrimin e kreut kurd e duke i kujtuar se Kisha flet jo vetëm për të krishterët, por edhe për pakicat e tjera.
Sipas statistikave, numri i të krishterëve refugjatë në vende të tjera ka arritur në 100.000, i të shpërngulurve, në 1. 000. 000. Aktualisht në Ankawa, lagje e krishterë e Erbilit, janë ngritur 23 kampe refugjatësh, ku strehohen më se 20 mijë vetë, ndërsa shumë familje strehohen në shtëpi private ose atje, ku kanë mundur të gjejnë mbështetje.
Presidenti Barzani, në fund të bisedës me prelatin e lartë katolik, brohoriti nga zemra: “Do të vdesim, ose do të jetojmë në këtë Atdhe, gjithë bashkë!”.
Dje pasdite kardinali Filoni, i shoqëruar nga patriarku Sako, nga nunci apostolik Giorgio Lingua, kryeipeshkvi vendas, Bashar Warda e prelatë të tjerë, vizitoi kampin e refugjatëve pranë Kishës siro-katolike, ku u takua me shumë njerëz, foli me ta, ndoqi me vëmendje dëshmitë e shqetësimet e tyre, vizitoi të sëmurët dhe të gjymtët e dëgjoi histori rrënqethëse, që flasin për dëbime e shkatërrime të papërshkrueshme. Këtu u takua edhe me një pakicë fisnore jo të krishterë, pakicën kaki. Përfaqësuesit e saj e falënderuan për strehimin nga Kisha katolike, kur ravgonin pa gjetë kund strehë.
Më pas vizitoi kampin e famullisë kaldease të Mar Elia, ku u lut e këndoi bashkë me fëmijët e shumtë, duke u çuar rrokjen dhe dashurinë e Papës. Së fundi, pranë Kishës së bashkësisë Siro-ortodokse, në praninë e kryepeshkopit ortodoks të Mosulit, u lut me sirët, i inkurajoi e vizitoi bashkësinë e refugjatëve, strehuar pikërisht në lokalet e kishës.
Mbrëmja përfundoi me një vizitë tjetër, në kampin e refugjatëve fare pranë shtëpisë së ipeshkvit kaldeas të Erbilit, që tashmë jeton i rrethuar nga një mijë refugjatë, të cilët flejnë përdhe, nën qiell të hapur, jo vetëm pse të pastrehë, por edhe për shkak të vapës së padurueshme të kësaj vere tejet të nxehtë irakiane (rreth 45 gradë). Kardinali Filoni i inkurajoi të gjithë e u çoi bekimin e Papës, duke i siguruar se edhe barinjtë e kishave lokale do t’i ndihmojnë për t’i kapërcyer vështirësitë më urgjente.








All the contents on this site are copyrighted ©.