Mesha e Françeskut në Daejeon: të krishterët, forcë përtëritëse
150 kilometra me tren, për të arritur në Daejeon, ku, në fushën e World Cup Stadium
Papën e prisnin 50 mijë vetë. E Ati i Shenjtë i çuditi edhe një herë të gjithë, duke
e shpërfillur protokollin, që parashikonte zhvendosjen me helikopter në këtë qytet,
i pesti në vend për nga rëndësia. Dita e dytë e Papës në trojet aziatike, ditë e Solemnitetit
të Të Ngjiturit të Zojës në Qiell e festë kombëtare e Çlirimit të Republikës së Koresë,
nisi, kështu, me turmën oqeanike, që e priti me brohoritje e me një kor të papritur
në gjuhën italiane: “Viva il Papa!”…
Rroftë Papa!…. Meshën Shenjte, kremtuar në Daejeon, Françesku ua kushtoi viktimave
të fundosjes së tragetit SeWol si dhe takimeve të të rinjve, që marrin pjesë në Ditën
e tyre aziatike. Para se të niste kremtimin, priti, në sakresti, një grup familjarësh
të viktimave të tragetit të mbytur. Fjalët e para të homelisë, Papa ia drejtoi
Marisë, Nënë e Kishës në Kore. E iu lut t’i ndihmojë koreanët të jenë besnikë ndaj
lirisë mbretërore, që e morën ditën e Pagëzimit, t’i drejtojë përpjekjet e tyre për
ta shndërruar botën sipas planit të Hyjit e ta bëjë Kishën e këtij vendi të aftë për
të qenë tharm i Mbretërisë së Tij në mbarë shoqërinë koreane. Uroi, më pas, që të
krishterët e këtij kombi të jenë forcë e fisme e përtëritjes shpirtërore në çdo fushë
të shoqërisë… “Të luftojnë kundër joshjes së materializmit, që ua zë
frymën vlerave të vërteta shpirtërore e kulturore e edhe kundër shpirtit të shfrenuar
të konkurencës, që lind egoizëm e konflikte. Të mos i pranojnë modelet ekonomike çnjerëzore,
që krijojnë forma të reja varfërie e që i shtypin punëtorët si dhe kulturën e vdekjes,
që e zhvlerëson fytyrën e Zotit, Zotit të jetës, duke shkelur mbi dinjitetin e çdo
burri, të çdo gruaje e të çdo fëmije”. Pastaj, thirrja e Papës për rikthim
tek Fjala e Zotit e për solidaritet ndaj të varfërve, nevojtarëve e të ligshtëve dhe
ftesa për t’ia ngulur plot shpresë sytë Marisë, Nënës së shpresës: “Kjo shpresë,
të dashur vëllezër e motra, shpresë, që na e dhuron Ungjilli, është ilaçi më i mirë
kundër frymës së dëshpërimit, që duket se i shtrin metastazat si kancer në gji të
shoqërisë, në dukje e pasur, por me shpirt të shqetë, të zbrazët. Sa e sa të rinj,
nga gjiri ynë, i paguajnë haraç këtij dëshpërimi! Uroj që të rinjve, mes nesh këto
ditë me gëzimin e besimin e tyre, të mos u rrëmbehet kurrë shpresa”. Prekës,
fjalimi i mirëseardhjes, që ipeshkvi i Daejeonit, imzot Lazër You heung-sik i drejtoi
Atit të Shenjtë. Prelati kujtoi se kanë kaluar 30 vjet, që kur Papa Gjon Pali II vizitoi
për herë të parë Korenë. Pesë vjet më pas, shkeli për herë të dytë në këto troje.
Tani këtu shkel Françesku, që e gjen Kishën koreane të përtërirë. Asokohe Gjon Pali
II gjeti një Kishë që vetëm merrte, tani po shndërrohet në Kishë që e ndan me të tjerët
atë që ka e jep, më shumë se merr. Vuan akoma nga ndarjet e tensionet, vijon të mbajë
zi për aksidentin e fundosjes së anijes SeWol, por nën velin e zi nis të vërë buzën
në gaz, duke parë gjithë këto ndryshime. Vizita e Papës në këto çaste kaq delikate
e të vështira krize, bëhet rast i çmuar për ta dëshmuar Fjalën e Zotit, për t’iu përgjigjur
thirrjes: “Ngreju e shndrite botën!”. Posaçërisht, vijoi prelati, përmes ndërmjetësimit
të martirëve koreanë, që e pranuan fenë si dhuratën më të madhe, e jetuan me dashuri,
pa frikë nga flijimi, e, duke ecur pas Mësuesit Jezus, e dëshmuan me jetë.Së fundi,
ipeshkvi i Daejeon kujtoi takimet në dioqezë, kushtuar pikërisht këtij shtegtimi të
Papës: lutjet, meshët, takimet e veçanta, në të cilat morën pjesë miliona e miliona
besimtarë. Ju premtojmë se do të vijojmë të lutemi vazhdimisht për ju, e siguroi Papën
prelati në përfundim të kësaj Meshe të jashtëzakonshme, masive. Do të mbetet në kujtesën
e këtyre njerëzve, që dinë ta kthejnë konkretisht martirizimin në forcë, në veprimtari
aktive, në Kishë të gjallë, e cila ndjehet fort në të gjitha skajet e skutat e jetës
së këtij vendi, që nuk pret t’i vijë lumturia nga jashtë por, me besim në Zotin, e
ndërton me duart e veta, mbi rrënojat e luftës.