2014-08-15 13:24:02

Françesku për Papën, Kishën e Botën: intervista (7)


I afrohemi çdo ditë e më shumë shtatorit, muajit kur Papa do të vizitojë Shqipërinë. Për ta njohur më nga afër Françeskun, po flasim me fjalët e tij, fryt i bisedave dhënë gazetave të ndryshme. Nisëm nga “La Vanguardia”, për të vijuar, sot e për disa të premte të tjera, me intervistën e Papës dhënë, më 29. 06. 2014, vatikanistes Franka Giansoldati. Kjo intervistë u botua në faqen e parë të gazetës romake ‘Il Messaggero” me titull: “Devijimi moral, i duhet vënë pritë”, pas takimit të Atit të Shenjtë me gazetaren.

Me përshkrimin e këtij takimi e nis intervistuesja bisedën.
“Takimi është në Shën Martë. Në një sallon të vogël. Gjashtë poltrona të vegjël veshur me kadife të gjelbërt, pakëz të ngrënë, një tavolinë druri, një televizor, nga ata që tani shihen gjithnjë më rrallë, me bark të madh. Gjithçka në rregull të përkryer: mermeri, i ndritur si pasqyrë, ndonjë pikturë në mur. Mund të ishte sallë famullitare, një nga ato, ku shkohet për të kërkuar ndonjë këshillë, ose për të bërë dokumentet e nevojshme për martesë.
Françesku hyn me buzë në gaz: “Më në fund! Unë ju lexoj, e tani edhe po ju njoh!”. Skuqem. “Ndërsa unë ju njoh, e tani edhe po ju dëgjoj”. Ai qesh. Qesh me gjithë zemër, Papa, ashtu si e ka zakon. Qesh disa herë gjatë kësaj ore, që shket e shkon pa u ndjerë, nësa vijon biseda e lirë. Flasim për Romën, me ligështitë e qytetit të stërmadh, përpjekjen për ta mbrojtur të mirën e përbashkët, rikapjen e temave të varfërisë e të ndarjes së përbashkët nga ana e Kishës (Marksi nuk shpiku gjë prej gjëje), tronditjen përballë periferive të shpirtit, greminën rrëshqitëse morale, në të cilën shpërdorohen fëmijët e njomë, që detyrohen të lypin rrugash, të punojnë e, ka edhe më, të katandisen në baby prostituta, që shfrytëzohen seksualisht, pa i mbushur ende të pesëmbëdhjetat. Ndërsa klientët mund të ishin gjyshat e tyre. “Pedofilë”! Papa i quan pikërisht kështu! Françesku flet, shpjegon, ndërpret, rikthehet tek filli i parë i bisedës. Ka pasion, ëmbëlsi, ironi fjala e tij. Flet me një fill zëri, e të duket sikur e përkund në djep fjalën. Duart shoqërojnë arsyetimin, gërshetohen, lidhen e zgjidhen e duket sikur vizatojnë figura të padukshme gjeometrike në ajër. Është në formë të shkëlqyer, në kundërshtim me zërat, që flasin për shëndetin e tij.

Është ora e ndeshjes Itali-Uruguaj. At i Shenjtë, tifoz i cilës skuadër jeni?

“Ah, i asnjërës, vërtet. I premtova presidentes së Brazilit (Dilma Rouseff) të mbaj qëndrim asnjanës.

Mund t’ia nisim nga Roma?

“Po a e di se unë nuk e njoh Romën! Mjafton të mendosh se Kapelën Sikstine e pashë për herë të parë kur mora pjesë në Konklavin, që zgjodhi Benediktin XVI (2005). E nuk kam qenë kurrë në muzetë. E kjo, sepse kur isha kardinal, nuk vija shpesh në Romë. E njoh mirë Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, sepse atje shkoja gjithnjë. E pastaj edhe Shën Lorencin jashtë mureve, ku kam shkuar disa herë për krezmimet, kur ishte don Giacomo Tantardini. Njoh, pastaj, Sheshin Navona, sepse banoja gjithnjë në Via della Scrofa. Aty mbrapa.

A ka ndonjë gjë romake në argjentinasin Bergoglio?

“Pak e aspak. Jam më shumë piemontez, sepse këto janë rrënjët e origjinës së familjes. Gjithsesi po filloj të ndjehem romak. E kam në mend të vizitoj territorin, famullitë. Po e zbuloj pak nga pak këtë qytet. Metropol mrekullisht i bukur, i pashoq, e edhe me problemet e metropoleve të mëdha. Qytetet e vogla kanë pothuajse të njëjtën strukturë, ndërsa qyteti i madh përfshin shtatë-tetë qytete imagjinare, një mbi një në nivele nga më të ndryshmet. Edhe në nivelet kulturore. Mendoj, për shembull, për shtresat qytetare të të rinjve. E kështu në të gjitha metropolet. Në nëntor do të bëjmë, në Barcelonë, një takim kushtuar pikërisht punës baritore në metropole. Në Argjentinë organizuam shkëmbime me Meksikën. Zbulohen, kështu, shumë kultura të kryqëzuara, por jo aq për shkak të emigrimeve. Më shumë janë territore kulturore të tërthorta, me vendas të shtresave të ndryshme. Qytet në qytet. Kisha duhet të dijë t’i përgjigjet edhe këtij fenomeni”.








All the contents on this site are copyrighted ©.