2014-08-14 12:48:04

Të ruajnë kujtesën dhe shpresën e krishterë në Kore: këto, detyrat e ipeshkvijve vendas, sipas Papës Françesku


“Detyra e ipeshkvijve është të ruajnë grigjën e Zotit”: kështu u tha Papa Françesku ipeshkvijve koreanë, të cilët i takoi pasditen (me orën koreane) e ditës së tij të parë në Korenë e Jugut. Ati i Shenjtë u përqendrua në dy aspekte të kësaj detyre: në ruajtjen e kujtesës dhe në ruajtjen e shpresës.RealAudioMP3
Kujtesa e krishterë koreane fillon me martirë laikë, që ngritën në këmbë Kishën, kur në vend, nuk kishte asnjë misionar. Impenjimi i pak intelektualëve koreanë – ndër të cilët Kwang-Am Yi Byok (1754-1785) dhe disa të rinj studiues të filozofisë – është në zanafillë të krishterimit në Kore. Kjo lëvizje e vogël studimi shpirtëror për “Shkencën e Qiellit” (kështu quhej atëherë katolicizmi) nisi ungjillëzimin e popullit korean.
Në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XVII, disa studiues koreanë, që ktheheshin nga një udhëtim në Kinë, sollën me vete disa tekste të etërve jezuitë, që flisnin për një fe të panjohur, për krishterimin. Ata filluan t’i studionin tekstet e nga viti 1770 mblidheshin në heremitazhin e mjeshtrit të madh Yi Byok, në Chon Jin Am, për të analizuar këtë “shkencë” të re e për të ndjekur konferencat e tij. Yi Byok harton për grupin e studiuesve një përmbledhje të Besëlidhjes së Vjetër e të Re.
Meqë asnjë prej tyre nuk ishte pagëzuar, dërgohet në Kinë intelektuali i preferuar i grupit, Yi Seung-Houn (1783), për të marrë Sakramentin e Pagëzimit e për të mësuar më shumë për këtë fe. Pagëzuar në Pekin me emrin “Pjetër”, ai kthehet në Kore pas një viti, duke sjellë me vete disa objekte e libra fetarë. Atëherë, studiuesit pagëzojnë njëri-tjetrin e grupi fillon të rritet, duke arritur në 500 besimtarë, brenda një viti. Gradualisht, praktika e fesë katolike kthehet në lëvizje përtëritëse për shoqërinë, prandaj, pengohet nga klasa drejtuese e nuk vonojnë as persekutimet (1785) nga ana e pushtetit, në duart e konfucianëve.
Pasardhësit e brezit të parë të themeluesve, edhe ata, të gjithë laikë, e mbajnë fenë, përgatisin kandidatë për meshtarë dhe i shkruajnë Papës, duke i kërkuar një ipeshkëv. Në vitin 1831 ngrihet dioqeza e Koresë e, kur misionarët e parë francezë mbërrijnë në vend (1836), katolikët janë 5 mijë vetë.
Kjo kujtesa, që Papa Françesku u kërkoi ta ruajnë e ta mbrojnë, duke parë drejt së ardhmes:
“Të jesh rojtar i kujtesës do të thotë ta kuptosh se rritja në fe vjen nga Zoti (shih 1 Kor 3,6) e njëkohësisht, është fryti i një pune plot durim e këmbëngulje, si në të kaluarën, ashtu edhe në të tashmen. Kujtimi i martirëve dhe i brezave të mëparshëm të krishterë duhet të jetë realist, jo i idealizuar apo ‘triumfalist’. Shikimi në të kaluarën pa e dëgjuar thirrjen e Zotit për t’u kthyer në udhën e Tij edhe në të tashmen nuk do të na ndihmojë për të vazhduar rrugën; në të kundërtën do të na frenojë, madje, do ta ndalë përparimin tonë shpirtëror”.
Të jesh rojtar i shpresës, vijoi Papa në bisedën me ipeshkvijtë koreanë, do të thotë ta kumtosh Ungjillin në një botë, e cila përveç të mirave materiale, ka nevojë për diçka më të madhe, që ta mbush jetën. Duhet mbajtur gjallë flaka e shenjtërisë, këshilloi Françesku, flaka e dashurisë vëllazërore dhe e zellit misionar:
“Në këtë kuptim, në bashkësitë tona, duhet treguar kujdes i veçantë për fëmijët e për aspiratat e të rinjve; po ashtu edhe për më të moshuarit, duke u bërë rojtarë të urtisë e të përvojës së tyre”.
Papa Françesku u tha ipeshkvijve të kenë gjithnjë parasysh sfidat e veçanta, që u paraqet jeta në Kore, e cila karakterizohet nga një shoqëri e begatë, por gjithnjë e më e shekullarizuar e materialiste. Veprimtarët e Kishës nuk duhet të tundohen nga modelet e efikasitetit të kësaj bote, kur programojnë e organizojnë punën e tyre; nuk duhet të udhëhiqen nga një stil jetese e një mendësi, që bazohet në kriteret mondane të suksesit e të pushtetit, por nga kriteret e kumtuara nga Jezusi në Ungjill:
“Kishë e Koresë, vazhdo të tregosh kujdesin tënd për të varfërit në planet e solidaritetit, sidomos për refugjatët dhe emigrantët e për të gjithë ata, që jetojnë të mënjanuar nga shoqëria; në punën e vazhdueshme për promovimin e tyre në nivelin shoqëror, në integrimin në botën e punës e në nivelin edukativ. Ka rrezik ta reduktojmë impenjimin tonë me nevojtarët vetëm në përmasën asistenciale, duke harruar nevojën e secilit të rritet si njeri e të shprehë me dinjitet personalitetin e vet”.
Papa u kujtoi ipeshkvijve bashkësitë e para të krishtera në Kore dhe idealet, që i frymëzonin, duke uruar që ato të vijojnë ta modelojnë udhën e Kishës, në shtegtimin e saj drejt së ardhmes.








All the contents on this site are copyrighted ©.