2014-08-14 15:42:13

Takimi me gazetarët i atë Federiko Lombardit


Në fjalën për ipeshkvijtë, Papa Françesku tha disa gjëra jashtë tekstit të shkruar, për të cilat informoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, në takimin me gazetarët, në fund të ditës së parë të udhëtimit të Atit të Shenjtë në Korenë e Jugut:RealAudioMP3
“Tri ishin pjesët jashtë tekstit: ftesa drejtuar prelatëve për të mos rënë në tundimin e klerikalizmit, duke pasur parasysh se themeluesit e Kishës koreane ishin laikë; rekomandimi për të qenë pranë famullitarëve dhe meshtarëve, duke i mbështetur në shërbimin e tyre baritor; Kisha duhet të jetë e varfër ndër të varfërit, sepse një Kishë e fortë, në një vend të zhvilluar, nuk duhet të shohë faktorin ekonomik”.
Atë Lombardi vuri në dukje edhe çastet kryesore të ditës së sotme, duke nënvizuar gjendjen dhe humorin e mirë të Papës Françesku:
“Papa është shumë i kënaqur e aspak i lodhur. Fakti që presidentja Park shkoi për ta pritur në aeroport, nuk është i zakonshëm. Kjo dëshmon dashurinë dhe mirënjohjen e popullit korean e të përfaqësuesve më të lartë institucionalë të tij. Papën e pritën edhe shumë përfaqësues të shoqatave e të lëvizjeve kishtare lokale, si për të dëshmuar se Kisha koreane lëviz sëbashku dhe është një familje e madhe”.
Sot në mëngjes, Papa Françesku kremtoi meshën, sipas stilit të meshëve në Shtëpinë e Shën Martës, në praninë e rregulltarëve. Atë Lombardi sqaroi edhe se presidentja e Republikës së Koresë i dhuroi Atit të Shenjtë një pëlhurë të qëndisur me subjekte tipike të traditës vendase. Zëdhënësi i Vatikanit nuk harroi të përmendë Irakun, prej nga ka ardhur një mesazh telefonik i kardinalit Fernando Filoni, i dërguari i Papës, me të cilin lajmërohet mbërritja e tij në vend dhe takimi me ipeshkvijtë e me autoritetet civile. Lajmi i mirë është se sot, në Erbil, është lindur një fëmijë, sfidë e Zotit para grykës së pushkëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.