2014-08-14 15:38:38

Shtegtimi i Papës, në shtypin e sotëm korean


Po shfletojmë gazetat koreane të datës së sotme, 14 gusht 2014:Gazeta e Azisë Lindore (Dong A il Bo)
Hapja i kushtohet Papës. Titulli: “Shenjti (kuptuar si njeri i shndritur) i të varfërve arrin në një tokë të ndarë”. Fotografia paraqet Papën në aeroport, para nisjes. Shkruhet: 25 vjet pas vizitës së Papës Gjon Pali II, një Papë tjetër shkel përsëri mbi këto troje. Avioni papnor fluturon në qiellin e Kinës e të Mongolisë pas 60 vjetësh, Paraqitet programi i shtegtimit papnor, me titullin: “Drita e pajtimit shndrit mbi gjithë Korenë”. Jepen, pastaj, shifrat: 100 ipeshkvij; 100mijë besimtarë të pritur, 5000 vullnetarë, 2800 gazetarë të akredituar, 30 mijë policë, 1700 autobusë të ardhur nga të katër anët e Koresë, 180 mijë hoste të përgatitura për këtë rast, 300 mijë shishe uji për të lehtësuar vapën. Papa do të përshkojë një mijë kilometra, prandaj, kujdes edhe për shëndetin e tij! Spitali i Zojës së Papërlyer është gati për çdo të papritur. Flitet dhe për tweet-in papnor në gjuhën koreane, botuar para nisjes. Gazeta kujton përgatitjet dhe arsyet që e shtynë Papën të vizitojë Korenë. Papa Gjon Pali II pati puthur tokën, kur shkeli së pari mbi të, Papa Françesku, jo, sepse nuk e ka bërë kurrë. Në internet koreanët kërkojnë më shumë lajme, që kanë të bëjnë me Papën e me viktimat e Sewoli-it. Qendra (Joong Ang il Bo)
Hapet me lajmin e arritjes së Papës, me kryetitull: “Mea culpa” Koreja rrëfehet”. Theksohen problemet më të rëndësishme, që po përballon vendi: ushtari i varur e i vrarë nga shokët tij, ndarja e dy Koreve, konflikti ndërmjet breznive, përçarja e shtresave shoqërore e politike. Urohet që Papa “t’ia falë fajet e mëkatet” një vendi, që ka një mori problemesh të pazgjidhura. Redaktori nënvizon se, megjithatë, i takon popullit të marrë mbi vete përgjegjësitë e të përpiqet t’i zgjidhë problemet. Në faqet e brendshme, fotot e pagëzimit të Presidentes Park dhe vitet e saj të shkollës. Gazeta kujton se emri i saj i pagëzimit është Gjuliana. Komunikimi e pajtimi i dy Koreve është përparësi e shtegtimit të Papës, theksohet. Pastaj kuriozite për mjetet e transportit, që do të përdorë Papa: helikopter e automobil. Artikulli shënon se është rritur ndjeshëm veprimtaria e dyqaneve të souvenir-eve dhe e hoteleve. Shprehës, titulli i shkrimit: “Krishtlindje në gusht!”. Chosun (Emër i dinastisë para lindjes së Republikës së Koresë). Titulli: “Njëqind orë lumturie me Papën Françesku”. Hera e parë që Papa shkel në një vend aziatik. I kushtohet shumë hapësirë kronikës para nisjes dhe Kalendarit vatikanas: Koreja, Koreja, Koreja! Tri data: 12 janar, krijimi i kardinalit Yom; 7 shkurt, njoftimi për lumnimin e 124 martirëve koreanë; 10 mars, njoftimi për vizitën. Ngjarja e katërt, arritja në Kore, më 14 gusht. Edhe gazetat ekonomike (Hank yung) (Mae Il Kyoun Jae) i kushtojnë shkrime Papës, me titujt shprehës: “Paqja qoftë mbi gadishullin!” dhe “Plaku i Viti të Ri vjen në gusht në Kore”.
Vijojnë titujt “Thyen tabunë e dymijëshit e u lan këmbët grave” (titulli nënkupton episodin e larjes së këmbëve në burgun e të miturve në Casal Del Marmo). Është papë që nuk komandon, por shërben. Ka thyer pesë tabu: zgjedhja e emrit, banimi në Shën Martë; vizita e menjëhershme të burgosurve; ftesa e lypsarëve në ditëlindje, shkishërimi i mafiozëve. Mijëra kilometra me çap të përvujtë: përdoret kjo shprehje, për të treguar se shtegtimi i Papës në Kore bëhet pa zhurmë e pa bujë. Hapësirë e veçantë i kushtohet ceremonisë së bekimit të press center të Seulit, kryesuar nga kryeipeshkvi i kryeqytetit.

Një Popull (Han-I) Titulli: “Ai vjen pranë nesh, të vuajturve! Fotoja e hapjes paraqet gratë e shpërdoruara nga japonezët dhe familjarët e viktimave të Sewolit, shoqëruar me urimin që vizita e Papës të sjellë ndryshime në fushën shoqërore e fetare. Gazeta mban qëndrim kritik ndaj qeverisë dhe uron që Papa të prekë problemet e pazgjidhura të vendit.

Tendenca (Kiungyan)“Hello Papa!”, është titulli i hapjes. Citohen një mori fjalësh e shprehjesh të Françeskut, kushtuar të varfërve, paqes, të rinjve, diskriminimit dhe përtëritjes së Kishës. Fëmijët e gjymtë dhe banorët e Gang Jung, që i kundërvihen ndërtimit të një baze ushtarake amerikane në ishullin Jae-Ju, kërkojnë që Papa t’u shtrëngojë dorën e t’i ndihmojë në vuajtjen e tyre. Akoma, shumë hapësirë, vajzave koreane, shpërdoruar nga japonezët gjatë luftës.








All the contents on this site are copyrighted ©.