2014-08-14 10:05:23

Republika e Koresë


Historia
Vendbanimet njerëzore më të lashta, që u dukën në gadishullin korean, i takojnë epokës së bronzit, por janë zbuluar edhe objekte të kohës Neolitit (Koha e re e gurit), 8 mijë vjet para Krishtit, e edhe të Paleolitit (Koha e vjetër e gurit), 700 mijë vjet para Krishtit. Historia e dokumentuar e Koresë nis me disa bashkësi të mbledhura, në vitin 233 para Krishtit, nën komandën e Dangun-it, prijës i popullit korean, i dinastisë së Joseonit të lashtë. Gradualisht qytet-shtetet krijojnë lidhje me fiset, duke u shndërruar, pastaj, në mbretëri.
Në vitin 676 Mbretëria e Sillës ia del mbanë ta bashkojë Gadishullin korean. Gjatë periudhës së Shtetit të Sillës, me fe budiste (918-1392), kultura lulëzon e përhapet me shpejtësi. Shpiket shtypshkronja, me shkronja të lëvizshme metali (1234), më se dy shekuj para se të shtypej Bibla e Gutembergut. Në të njëjtën epokë, përfundohet plotësisht kanuni budist, i skalitur mbi 80 mijë pllaka druri, të cilat ruhen edhe sot e kësaj dite në tempullin e lashtë Haeinsa.
Në vitin 1392 nis sundimi i dinastisë Joseon, që favorizon Konfucianizmin, në dëm të budizmit. Lind struktura e re e qeverisë së ekulibruar dhe hartohet Kodi i parë ligjor. Kultura, artet e shkencat nisin një lulëzim të paparë ndonjëherë. Studiuesit e Akademisë Mbretërore realizojnë alfabetin korean, që njihet me emrin “Hangeul”. Në shekullin XII, në krijimtarinë e shkrimtarëve zyrtarë ndjehet fort fryma liberale, nga e cila lind lëvizja “Silhak” për modernizimin e vendit. Në këtë atmosferë plot pasion intelektual, përfshihet nisma e studiuesve të Con Jin Am, që do të bëheshin të krishterët e parë koreanë (shiko historinë e Kishës). Në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XVII krijohet Biblioteka Mbretërore, për të ruajtur kujtesën e vendit dhe pasuritë e tij të paprekshme. Më 1910, Koreja pushtohet nga trupat japoneze, për të fituar pavarësinë vetëm pas 35 vjetësh, në përfundim të Luftës II Botërore.
Në vitin 1945 Veriu i Koresë çlirohet-pushtohet nga trupat sovjetike, ndërsa Jugu është nën kontrollin e SHBA-ve. Nisma e OKB-së për organizimin e zgjedhjeve të lira (1947-8) hidhet poshtë nga Koreja e Veriut që, dy vjet më pas, e pushton krejtësisht Korenë e Jugut (25 shkurt 1950). Një koalicion ndërkombëtar, i udhëhequr nga SHBA-të, e çliron pjesën jugore të gadishullit, deri në paralelin e 38-të e, më 1953, nënshkruhet armëpushimi, që shënon ndarjen de facto të Republikës Popullore të Koresë(Veriu), nga Republika e Koresë (Jugu), me bilancin e shkatërrimeve çnjerëzore të 2,8 milionë viktimave, nga të cilat, më se gjysma, të pambrojtura.
Në vitet ’50 Republika e Koresë ishte një nga vendet më të varfra të botës. Në vitet ’60 rritet eksporti e vendi nis zhvillimin e vrullshëm, nën presidencën e Park Chung-hee, ish-gjeneral e atë i presidentes së sotme, zonjës Park Geun-hye. Demokracia rivendoset në vitin 1993 e zhvillimi industrial dhe teknologjik i krijon Republikës së Koresë mundësinë të hyjë në klubin e ekonomive emergjente, duke zënë, sot, vendin e 13-të ndërmjet ekonomive më të forta. Në fund, diçka që meriton të shënohet: pas mikpritjes së Olimpiadave(1988): Kupës së botës Fifa(2002) dhe Kampionatit botëror IAAF të atletikës (2011), Koreja u zgjodh për të mikpritur edhe Olimpiadën dimërore të Pyeongchang, më 2018. Vendi fitoi, kështu, famë, duke mikpritur me shumë sukses, katër ngjarje të mëdha sportive botërore nga më të rëndësishmet.
Forma e qeverisë:
Republikë presidenciale. Kreu i shtetit zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët për një mandat të vetëm prej pesë vjetësh. Pushtetet janë tre: ekzekutiv, ligjor(Asambleja Kombëtare, apo Parlameti, që rizgjidhet në çdo pesë vjet), e ai gjyqësor. Votimi i përgjithshëm bëhet çdo 19 vjet.
Kufijtë e pozita gjeografike: Vendi zë pjesën jugore të Gadishullit korean. Kufizohet me Republikën Popullore Demokratike të Koresë (Veri) e del në Detin e e Verdhë, në Detin e Japonisë, në ngushticën e Koresë e në Detin Kinez Lindor.
Kryeqyteti: Seuli (10,4 milionë banorë, më se 20 milionë në zonën metropolitane);
Qytete të tjera: Busan (3,6 milionë); Inkeon (2,7milionë), Daegu (2,5 milionë) Daejon(1,5 milionë); Gwangju(1,4 milionë);
Gjuha: Koreane (sistemi i shkrimit, hangeul)
Sipërfaqja: 99.268 kilometra katrore (me rreth 3 mijë ishuj, shumica të vegjël e të pabanuar);
Popullsia: 50. 220. 000 banorë (dendësia: 506 banorë/kmk);
Grupet etnike: Koreanë 99%, kinezë 3%;
Feja: Liria e fesë garantohet me kushtetutë. Nuk ka fe shteti. Mbi bazën e regjistrimit të vitit 2007, gjendja është si vijon: 29.2% të krishterë (protestantë 18%, katolikë 10.9 %); 22,8 budistë. Fe të tjera: Konfucianizmi, Shamanizmi, Islami, Cheodoizmi, Budizmi Won, etj.;
Uniteti monetar: Won-i jugkorean KRW(1 KRW=0,06 €); 1 € =1,38 KRW);Prodhimi brut për frymë: 22.589$ në vitin 2012.







All the contents on this site are copyrighted ©.