2014-08-14 09:45:22

Françesku është në Seul: “Zoti e bekoftë Korenë!”.


Papa Françesku arriti në Seul, duke nisur kështu, shtegtimin e tij të tretë ndërkombëtar. Avioni papnor preku aeroportin e kryeqytetit jugkorean, kur në Evropë ora ishte rreth 3.15 e mëngjesit. Për ta pritur Papën, kishte dalë presidentja Park Geun-hye. Në një tweet të Papës, në sa po arrinte, shkruhet: “Zoti e bekoftë Korenë e, në mënyrë të veçantë, të rinjtë e të moshuarit e saj!”. Për orët e para të Françeskut në tokën koreane, të ndjekim shërbimin e të dërguarit të Radio Vatikanit, Davide Dionisi:RealAudioMP3

Papa Françesku është në Kore. Në orën dhjetë e gjashtëmbëdhjetë, me orën vendase, avioni papnor preku tokën në bazën ajrore të Seulit. Për ta pritur kishte dalë presidentja e Republikës, zonja Park Geun-hye. Ceremonia shumë e përzemërt, konfirmoi klimën e entuziazmit, që ka pushtuar këto ditë mbarë vendin, në pritje të Papës posaçërisht të dashur nga koreanët. Të gjitha organet kryesore të shtypit i kushtojnë faqet e para kësaj vizite dhe i ftojnë lexuesit e tyre t’i ndjekin me gjithë shpirt këto orë lumturie me Papën Françseku. “Ati i Shenjtë i të Varfërve arrin në një tokë të ndarë e drita e pajtimit shndrit mbi gjithë Korenë”: ky, mesazhi që përhapet nga të katër anët e gadishullit, këto ditë të pritura prej 25 vjetësh.
Kisha vendase, që prej një viti protagoniste e përgatitjes së ngjarjes së madhe, është posaçërisht në festë. Së pari, për krijimin e kardinalit Yeom Soo-Jung, kryeipeshkëv i Seulit, e pastaj, për njoftimin e lumnimit të 124 martirëve e për vizitën papnore me rastin e Ditës së Rinisë Aziatike. Ceremonia e mirëseardhjes parashikohej për mbasdite, me orën vendase, e megjithatë, arritja e Papës u përshëndet me të shtëna topi nga aeroporti ushtarak. Më pas Françesku u nis drejt nunciaturës apostolike të Seulit, ku kremtoi privatisht Meshën Shenjte, për t’u nisur, menjëherë, në Pallatin presidencial, ku u organizua ceremonia e mirëseardhjes, në Shtëpinë Blu. Këtu Papa bisedoi privatisht me presidenten Park, u takua me autoritetet e mbajti fjalimin e parë. Françesku i nisi njëmijë kilometrat e shtegtimit e fjalët e pritjes tani ua lënë vendin fjalëve të shpresës për ardhmërinë aq të pritur me paqe. Koreja e mbarë Azia, janë gati ta dëgjojnë!







All the contents on this site are copyrighted ©.