2014-08-14 13:10:25

Fjalimi i parë i Papës në Kore: paqe e dialog


“Është gëzim i madh për mua ardhja në Kore, në “tokën e agimeve të qeta” për të shijuar jo vetëm bukurinë natyrore të vendit, por sidomos, bukurinë e njerëzve dhe pasurinë historike e kulturore të saj”.RealAudioMP3
Fjalët e Papës në Kore, gjatë fjalimit të parë zyrtar, ishin fjalë falënderimi, përzemërsie e mirënjohjeje për popullin, i cili i shprehu, që në fillim të papnisë, admirim të madh. I pritur në Shtëpinë Blu nga presidentja e Republikës së Koresë, Ati i Shenjtë u ndal për disa çaste për të biseduar privatisht me zonjën Park Geun-hye, së cilës i dhuroi një gravurë të Bibliotekës së Vatikanit me hartën monumentale të Romës, për të takuar, më pas, autoritetet, në Pallatin presidencial. Duke iu drejtuar atyre, kujtoi vuajtjet, që pësoi vendi aziatik për shkak të dhunës, të persekutimit, të luftës. U vu në provë, por pa e humbur kurrë shpresën në drejtësinë, paqen, unitetin:
“Ç’dhuratë e madhe është shpresa! Nuk mund të na lëshojë zemra në ecjen drejt këtyre caqeve, që nuk janë vetëm në dobi të popullit korean, por edhe të gjithë zonës e të mbarë botës”.
Françesku nënvizoi, në vijim, dy arsyet kryesore të vizitës: Ditën VI Aziatike të Rinisë, kremtim gazmor i fesë së përbashkët, që i mbledh tok gjithë të rinjtë e Kontinentit aziatik dhe lumnimin e martirëve koreanë, dëshmitarë të fesë së krishterë: Paul Yun Ji-chung dhe 123 shokët e tij. Kremtime që plotësojnë njëri-tjetrin, shtoi, sepse kultura koreane e kupton dinjitetin dhe urtinë, tipike për të moshuarit dhe e nderon rolin e tyre në shoqëri. Por një popull, që i do traditat, di të vlerësojë edhe të rinjtë e t’ua përçojë trashëgiminë e së kaluarës. Papa nënvizoi edhe vlerën e paqes, posaçërisht në një tokë, që vuajti gjatë:
“Kërkimi i paqes nga ana e Koresë është kauzë, që e kemi shumë për zemër, sepse ndikon mbi stabilitetin e mbarë zonës dhe të gjithë botës, lodhur e këputur nga lufta. Kërkimi i paqes është edhe sfidë për secilin nga ne e, në mënyrë të posaçme, për ata që, ndërmjet jush, e kanë për detyrë të përpiqen për të mirën e familjes njerëzore, përmes punës durimtare të diplomacisë”.
Diplomaci që, sipas Papës, e kuptuar si art i së mundshmes, është e thirrur t’i shembë muret e mosbesimit e të urrejtjes, duke promovuar kulturën e pajtimit e të solidaritetit. Papa uroi që të gjithë t’i kushtohen ndërtimit të paqes e lutjes për paqe pa harruar të fuqizojnë impenjimin për ta realizuar. Duke iu drejtuar liderëve politikë e civilë, Papa nënvizoi se progresi dhe zhvillimi duhet të kenë jo vetëm karakter ekonomik, por edhe njerëzor, duke kujtuar edhe se Koreja, si shumica e kombeve të zhvilluara, duhet të përballojë problematika të mprehta shoqërore, përçarje politike, pabarazi ekonomike, shqetësime, që burojnë nga shfrytëzimi me përgjegjësi i pasurive ambientale:
“Sa e rëndësishme është që zëri i çdo anëtari të shoqërisë të dëgjohet, të ruhet fryma e komunikimit të hapur, e dialogut, e bashkëpunimit! Të njëjtën rëndësi ka edhe vëmendja e veçantë ndaj të varfërve, të ligshtëve, atyre që nuk kanë zë. E jo vetëm duke ua plotësuar nevojat më të ngutshme, por kryesisht duke i ndihmuar për rritjen njerëzore e shpirtërore. Shpresoj se demokracia koreane do të vijojë të forcohet e se ky komb do t’i tregojë botës se është i aftë t’i prijë edhe ‘globalizimit të solidaritetit’, sot, më i nevojshëm se kurrë, me objektiv, zhvillimin e gjithanshëm të çdo anëtari të familjes njerëzore”.
Në përfundim, Papa Françesku kujtoi fjalët e Gjon Palit II, shqiptuar në Kore 25 vjet më parë, mbi dëshirën e bashkësisë katolike koreane për të marrë pjesë plotësisht në jetën e kombit:
“Kisha dëshiron të kontribuojë në edukimin e të rinjve, në krijimin e frymës së solidaritetit për të varfrit e të pashpresët e, sidomos, në formimin e breznive të reja të qytetarëve, të gatshëm për të ofruar urtinë e largpamësinë e trashëguar nga të parët e të lindur nga feja e tyre, për të përballuar problemet e mëdha politike e shoqërore të kombit”.Probleme të pazgjidhura, ndërmjet të cilave, ndarja aktuale e dy Koreve, që minojnë themelet e jetës së një populli të tërë e shkaktojnë largimin e shumë familjeve. Këtë e theksoi presidentja Park, në fjalimin drejtuar Papës, për t’i uruar mirëseardhjen në trojet koreanojugore.








All the contents on this site are copyrighted ©.