2014-08-13 11:20:12

Shtegtimi në Kore: Papa u nis për Seul


Papa Françesku u nis sot pasdite, në orën 16.00, nga aeroporti i Fiumiçinos, drejt Koresë, për shtegtimin e tretë ndërkombëtar të papnisë. Për ta përcjellë kishte dalë kryeministri italian, Matteo Renzi. Në Seul, sipas parashikimit, pritet të arrijë nesër, në orën 10.30, kur në Evropë do të jetë ora 3.30 pas mesnate. Ditën e parë Papa do të takohet me presidenten e Koresë, zonjën Park Geun-hye, me autoritetet institucionale dhe përfaqësinë e Trupit Diplomatik. Pasdite, me orën vendase, takimi me ipeshkvijtë koreanë.
Për atmosferën e pritjes, që ndjehet gjithnjë më fort në Seul, të ndjekim shërbimin e të dërguarit të Radio Vatikanit, Davide Dionisi:

Shumëngjyrëshe, festive, tejet e emocionuar. Kjo është fytyra e Seulit, në prag të një ngjarjeje të madhe, të pritur që prej 25 vjetësh. Metropoli aziatik është fidanishte ngjyrash, fytyrash, zërash, që shprehin një entuziazëm jo të zakonshëm për këtë zonë të botës, mësuar të matet me progresin e me konkurencën e shfrenuar në fushën e teknologjive të reja.
Papa Françesku, pak orë para arritjes në këtë vend të largët, e ka nisur tashmë një shenjë. Shenjë e re, e fortë, e ndryshme. Që këtu, Ati i Shenjtë dëshiron të riniset, për të ripropozuar përparësinë urgjente të kumtimit të parë. E di mirëfilli sa e rëndësishme është sfida e ungjillëzimit në Kontinentin aziatik.
Në Azi spikat gjithçka: numri i banorëve, lartësia e maleve, shtrirja e shkretëtirave, por edhe ndikimi i feve mbi jetën e individëve e edhe të shoqërisë.
Në këtë kontekst, Kisha u rrit duke dëshmuar se, pasi pati marrë një vlerë të madhe nga laikët, që e sollën të parët Ungjillin, prosperiteti material e ai shpirtëror mund të ecin krah për krah. E kështu i mbështet të rinjtë në udhën e tyre të fesë e të lutjes. I ndihmon, duke e programuar përgatitjen e tyre, që të bëhen mbartës të shpresës në familjet e duke i thjeshtuar mësimet shoqërore të Kishës, për t’u kuptuar plotësisht e për t’u vënë në jetë gjallërisht nga breznitë e reja.
Papa Françesku e mbështet këtë përpjekje e prandaj vendosi të marrë pjesë në Ditën e rinisë aziatike, në festën e rinisë, e për t’u kujtuar të rinjve virtytet shpirtërore të besimit reciprok e të pajtimit, të bujarisë pa interes e të dashurisë vëllazërore, parë si pjesë përbërëse të thirrjes koreane.
Myŏng-dong, në qendër të Seulit dhe Daejeon, sot janë simbole të kësaj thirrjeje. Në sheshin e Katedrales gjithçka flet për Papën, për vizitën e tij, pasionin e tij për të rinjtë, e, sidomos, për simpatinë e tij. Gjithçka flet e thotë: “Mirë se vjen! Pope Hope! Papa i shpresës!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.