2014-08-13 12:04:30

Papa i dërgon letër Ban Ki-moon për gjendjen në Irak


“Me zemër të rënduar e plot ankth”, siç shkruan vetë, Papa Françesku i dërgon një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, të cilit i kërkon të bëjë ç’është e mundur për ta nxitur bashkësinë ndërkombëtare të ndërhyjë në Irak. “Vë para syve tuaj – ngre zërin Ati i Shenjtë – lotët, vuajtjet dhe thirrjet plot zjarr të dëshpërimit të të krishterëve e të pakicave të tjera fetare të tokës së dashur të Irakut. Duke përsëritur thirrjen time urgjente për bashkësinë ndërkombëtare që të ndërhyjë për t’i dhënë fund tragjedisë humanitare në vijim, inkurajoj të gjitha organet kompetente të Kombeve të Bashkuara, në veçanti ata që përgjigjen për sigurinë, paqen, të drejtat humanitare dhe ndihmën për refugjatët, të vazhdojnë përpjekjet në përkim me Hyrjen dhe me nenet përkatëse, [që mund të shfrytëzohen nga] Karta e OKB-së”.
Papa Françesku i ndjek me shqetësim ngjarjet dramatike të ditëve të fundit në veri të Irakut, ku, siç shkruan në letrën drejtuar Ban Ki-moon, të krishterët dhe pakicat e tjera fetare detyrohen të ikin nga shtëpitë, duke lënë pas shkatërrimin e vendeve të kultit e të trashëgimisë së tyre fetare. “I prekur nga kjo situatë – informon Ati i Shenjtë Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së – i kërkova Hirësisë së Tij, kardinalit Fernando Filoni, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, që ka shërbyer si përfaqësues diplomatik i paraardhësve të mi, Papës së shenjtë Gjon Pali II dhe Papës Benedikti XVI, pranë popullit të Irakut, të çojë afërsinë time shpirtërore e të shprehë shqetësimin tim e atë të krejt Kishës Katolike, për vuajtjen e palejueshme të atyre, të cilët dëshirojnë vetëm të jetojnë në paqe, harmoni e liri në tokën e të parëve”.
Sulmet që kanë përfshirë veriun e Irakut nuk mund të mos u flasin ndërgjegjeve e të mos nxisin për vepra konkrete solidariteti, vazhdon Papa Françesku, i cili kërkon mbrojtje për të kërcënuarit dhe ndihmë për të shpërngulurit. Këta të fundit, thekson Ati i Shenjtë, duhet të kenë mundësi të kthehen sërish në shtëpitë e tyre, në siguri të plotë. Normat dhe ligjet e së drejtës ndërkombëtare, sipas Papës, janë udha për të ndaluar e parandaluar dhunën sistematike kundër pakicave etnike e fetare.








All the contents on this site are copyrighted ©.