Kardinali Tauran: solidaritet për irakianët, ose shkohet drejt humnerës
Pas publikimit të mesazhit të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, me të cilin
u kërkohet krerëve myslimanë të dënojnë mizoritë e xhihadistëve në Irak, autoritete
të ndryshme islamike, si Myftiu i Madh i Egjiptit, iu përgjigjën pozitivisht thirrjes.
Të dëgjojmë kreun e dikasterit vatikanas, nga i cili doli mesazhi, kardinalin Jean-Louis
Tauran:
“Përballë kaq barbarive, para fakteve që shohim në gazeta e televizione,
nuk mund të themi se nuk e dinim. Prandaj, nuk mund të heshtim. Ky mesazh synon të
rizgjojë opinionin publik, por edhe krerët fetarë, sidomos krerët myslimanë, të cilët
e kanë për detyrë të zbatojnë në praktikë mëshirën, mirëkuptimin e solidaritetin,
përndryshe do të shkonim drejt humnerës. Është e vërtetë se në mesin e kësaj tablloje
kaq të errët, ka edhe episode shumë të bukura solidariteti: familje myslimane, që
kanë strehuar refugjatët e krishterë, duke i trajtuar si njerëzit e tyre. Këto janë
gjëra të bukura. Por, duhet të kemi shumë kujdes e të mos mësohemi me situatat, që
janë të padenja për njeriun”.