2014-08-13 12:58:32

Ipeshkvijtë evropianë, Kombeve të Bashkuara: ndalojini mizoritë në Irak


Bashkësia Ndërkombëtare duhet të marrë urgjentisht vendime, për t’u dhënë fund akteve mizore kundër të krishterëve e pakicave të tjera fetare në Irak. Kështu shkruan Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE), në një letër të hapur për Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Një kopje e saj do t’u jepet disa qeverive evropiane dhe autoriteteve të Bashkimit Evropian, me kërkesën për t’u bashkuar me këtë thirrje. Ipeshkvijtë shpresojnë që institucione të tjera kulturore e fetare ta ngrenë zërin kundër dhunimit të së drejtës për të jetuar, të sigurisë e të lirisë fetare.
Edhe në këtë letër, vihet në dukje urgjenca e masave humanitare për të ndihmuar të krishterët dhe refugjatët irakianë e për t’u siguruar atyre kthimin në shtëpi. Kisha Katolike në Evropë shpreh afërsinë e saj me të gjithë ata, që po kalojnë çaste frike e terrori, duke i bërë thirrje OKB-së të ndërhyjë sa më shpejt.
Konferencat e veçanta Ipeshvnore të vendeve evropiane janë bashkuar me këtë thirrje e po organizohen për të ndihmuar popullsinë irakiane si përmes lutjes, ashtu edhe përmes solidaritetit konkret. Më 15 gusht, Kisha Katolike e Francës dhe ajo e Italisë do t’i luten Zojës së Madhe për të krishterët e Irakut dhe për të gjitha bashkësitë e Lindjes së Mesme, të cilat po përjetojnë Udhën e Kryqit. Kujtojmë se edhe Kisha Katolike në Shqipëri ia kushton të dielën, 17 gusht, lutjes për vëllezërit në fe, që persekutohen në Irak.








All the contents on this site are copyrighted ©.