2014-08-13 15:29:45

Imzot Tomazi: Iraku nuk duhet të bëhet Ruandë e re, të veprohet vendosmërisht!


Për një koment të letrës së Papës drejtuar Ban-Ki-moon, të dëgjojmë imzot Silvano Maria Tomazin, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Zyrës së OKB-së të Gjenevës.

Përgjigje: - Papa, duke u shprehur fare qartë, kërkon, së pari, asistencë humanitare të menjëhershme e, së dyti, të bëhet ç’është e mundur për ta ndaluar e edhe për ta parandaluar vijimin e mundshëm të dhunës. Më preku shprehja: “Situata është aq tragjike, sa ta ‘detyrojë’ bashkësinë ndërkombëtare të veprojë”. Në të vërtetë, po të shfletojmë Kartën e Kombeve të Bashkuara e të ndalemi tek neni 42, do të sqarohemi plotësisht për rolin e bashkësisë ndërkombëtare në raste të tilla. Kjo bashkësi ka përgjegjësi t’i mbrojë, edhe me forcë, ata që nuk mund t’i mbrojë shteti lokal, autoritetet vendase të cilat, për arsye të ndryshme, nuk mud të veprojnë ose nuk kanë mundësi ta bëjnë këtë, pasi janë provuar të gjitha rrugët e së drejtës, të dialogut, të bisedimeve, për të shmangur të këqija, si këto, që i kemi të gjithë para sysh.. Në këtë çast, nuk mungon një farë përpjekjeje, njëfarë aksioni ndihme, së paku i pjesshëm, sipas kësaj kërkese e sipas këtij mekanizmi të parashikuar nga OKB-ja. Të shohim si do të zhvillohen ngjarjet. Është shumë e rëndësishme, mendoj, të nënvizohet se nuk është fjala për mbrojtjen e të krishterëve dhe të pakicave të tjera fetare, vetëm me aksionin e mbrojtjes së drejtpërdrejtë të të krishterëve: këtu jemi para qenieve njerëzore, të cilave u shkelen brutalisht të drejtat më fillestare. Qenie, që lihen në mëshirën e fatit, sepse autoritetet lokale nuk janë në gjendje të veprojnë. Prej këndej, duhen mbrojtur nga bashkësia ndërkombëtare. Me pak fjalë, mund të them se problemi nuk është i Kishës, është i mbarë njerëzimit. Së dyti, duhet gjetur mënyra e kufizimit, duke bërë përpjekje që armët e ndihmat financiare e politike të mos bien në dorë të shtetit fantomatik të Kalifatit, që deri tani është thjesht pretekst për të ushtruar dhunë e për t’i mbytur të gjithë ata, që nuk pajtohen me liderët e këtij entiteti të ri.

Pyetje: - Patriarku kaldeas Sako, jep kushtrimin, duke folur për rrezikun e genocidit e duke i shikuar si të pamjaftueshme ndërhyrjet e bashkësisë ndërkombëtare….
Përgjigje: - Më vijnë në mendje diskutimet, që bëheshin kur dhuna ndërmjet fiseve Hutu e Tutsi, në Ruandë, vite më parë, krijonte një situatë të ngjashme me këtë, që po jetohet sot në veri të Irakut. Vriteshin njerëz, detyroheshin të iknin e bashkësia ndërkombëtare vijonte diskutimet, pa marrë asnjë masë konkrete, pa gjetur asnjë shteg të përshtatshëm. E gjatë gjithë kohës, që pasoi tragjedinë ruandeze, u mblodhëm vit për vit për ta rikujtuar këtë genocid, duke bërë mea culpa, sepse nuk vepruam vendosmërisht!







All the contents on this site are copyrighted ©.