2014-08-12 16:17:13

Selia e Shenjtë: autoritetet, sidomos ato myslimane, të dënojnë barbaritë në Irak


Dënim i qartë dhe i guximshëm nga ana e përgjegjësve fetarë, sidomos atyre myslimanë, e nga ana e të gjithë njerëzve vullnetmirë, për krimet e kryera në Irak nga xhihadistët e Shtetit Islamik kundër të krishterëve, yazidëve dhe pakicave të tjera fetare. E kërkon këtë Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar, në një deklaratë, ku vihet në dukje gjendja e vështirë, që po përjetohet këto ditë në Lindjen e Mesme.
“Bota mbarë – lexohet në komunikatë – shikon e shtangur atë, që tashmë quhet ‘restaurimi i kalifatit’, i cili është shfuqizuar më 29 tetor 1923 nga Qemal Ataturku, themelues i Turqisë moderne… Kundërshtimi i këtij ‘restaurimi’ nga ana e shumicës së institucioneve fetare e politike myslimane nuk i pengoi xhihadistët e ‘Shtetit Islamik’ të kryejnë e të vazhdojnë të kryejnë akte kriminale të partregueshme”.
Këshilli Papnor i denoncon këto akte, duke i përmendur një për një: masakrimi për arsye fetare; prerja e kokës; kryqëzimi; varja e trupave pa jetë në vende publike; detyrimi me forcë i të krishterëve dhe i yazidëve të ndërrojnë fe e të kthehen në myslimanë; pagesa e një takse, ose, përndryshe, eksodi; shpërngulja e mijëra vetëve, pa u ndalur para fëmijëve, pleqve, grave shtatzëna e të sëmurëve; rrëmbimi i vajzave si të ishin plaçkë lufte; infibulacioni me detyrim për të gjitha femrat; shkatërrimi i vende të kultit dhe i mauzoleumeve të krishtera e myslimane; marrja me forcë e profanimi i kishave dhe i manastireve; heqja e kryqit dhe e simboleve të krishtera e të feve të tjera; shkatërrimi i trashëgimisë fetare të krishterë me vlera të pallogaritshme; dhuna përçmuese me qëllim terrorizimin e njerëzve për t’i detyruar të dorëzohen, ose të ikin”.
Askush s’mund t’i justifikojë barbari të tilla, ngre zërin Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar, duke kujtuar thirrjet e Papës Françesku. “Të gjithë përgjegjësit fetarë – kërkohet më pas - duhet të dënojnë njëzëri, pa asnjë mëdyshje këto krime e të denoncojnë çdo përpjekje të feve për t’i justifikuar. Përndryshe, çfarë besueshmërie do të kenë fetë, ndjekësit dhe krerët e tyre? Çfarë besueshmërie mund të ketë dialogu ndërfetar, vazhduar me kaq durim gjatë viteve të fundit?”.
Selia e Shenjtë, përmes dikasterit vatikanas për dialogun ndërfetar, kërkon gjithashtu që krerët e feve të ushtrojnë ndikimin e tyre mbi qeveritë, në mënyrë që t’i ndalin këto krime e të dënojnë fajtorët, duke rivendosur shtetin e së drejtës në territor e duke garantuar kthimin e të shpërngulurve. Duke kujtuar nevojën e etikës në drejtimin e shoqërisë njerëzore, në deklaratë nxiten krerët fetarë të theksojnë se “mbështetja, financimi dhe armatosja e terrorizmit duhet dënuar moralisht”. Dhuna nuk mundet me dhunë, por me paqe, përfundon Këshilli Papnor, duke i bërë të vetat fjalët e Papës Françesku.







All the contents on this site are copyrighted ©.