2014-08-11 11:37:32

Papa: nëse Kisha nuk është shtegtare, është në të shuar


Kisha është e vërtetë, nëse është për udhë e “nëpër dalje të dyfishtë’, kah Zoti e kah vëllezërit, përndryshe bëhet shoqatë civile. Një nga pohimet e Papës, ky, gjatë një bisede radiofonike të drejtpërdrejtë me radion e bashkësisë famullitare argjentinase të Zojës Karmë, në qytetin Campo Gallo.
Po kujtojmë përmbledhtas, fjalët e Papës:RealAudioMP3
Një Kishë e strukur në skutat e vetvetes, është si uji i amullt i pusit: “në të shterruar”. Përkundrazi, për të qenë e gjallë, Kisha duhet të ketë pamjen e shtegtarit e të ecë pa u lodhur në dy drejtimet, që na i mëson Jezusi: në drejtim të Hyjit e në drejtim të vëllezërve. Kjo bisedë radiofonike, për mendimet e tonet e saj, të duket si të ishte predikim nga elteri i Shtëpisë së Shën Martës. Po nuk është kështu. Papa i flet drejtpëdrejtë anës tjetër të botës, botës së tij, në bisedën e gjatë me radion famullitare të Campo Gallo-s, lokalitet në veri të Argjentinës, ku feja, e thurur me përshpirtëri popullore, është mbështetje e fuqishme për njerëzit, pasuri e vërtetë, për kë ka pak e aspak. E kur jeta varfërohet në kulm e njeriu akullohet nga mospasja, feja ta ngroh zemrën. E sytë drejtohen plot devocion kah Maria: “Nuestro pueblo no es ‘gaucho’, nuestro pueblo tiene Madre! …Populli ynë nuk është jetim: populli ynë e ka një Nënë. Fëmija pa nënë, si nata pa hënë! Jeton me shpirt të gjymtë. E populli pa nënë, është popull jetim, i vetëm, i shkretë, pa ide, pa ngrohtësinë, që vetëm nëna di t’ia japë krijesës së vet.
Pastaj, konkret si gjithnjë, Françesku preku me delikatesë tastin e nevojave. Kisha, kujtoi, mbështetet mbi përshpirtërinë e besimtarëve, njëherësh me Sakramentet e lutjen. Prej këndej, i falënderoj, tha Papa, të gjithë ata, që bëjnë jetë feje aktive, të gjithë ata, që i lënë diçka mangut vetes, pasuri a para, për t’ia dhënë atij, që nuk ka para as pasuri. Duke sqaruar, më pas: nuk ka rëndësi sa japin, rëndësi ka se japin, se ju ndihmojnë. Ajo që ka rëndësi, është se kujdesen për ju.
Por nëse mungesa e të mirave materiale mund të jetë burim i përjashtimit nga radhët e shoqërisë, sigurisht që nuk është kështu për jetën e krishterë, ku çdo i pagëzuar është i pasur, pse i zgjedhur. E sidomos, shtegtar. Ikona e Kishës është ajo e shtegtarit, gjithnjë në dalje. Tejet e dashur, kjo figurë për Papën, që i do periferitë e që, prandaj, brohoret: “Kisha jonë duhet të ecë, pa u ndalur kurrë, pa u lodhur kurrë!”.
“Cuando una comunidad cristiana esta quieta, le pasa lo del agua cuando …
Kur një bashkësi nuk është shtegtare, kur nuk ecën, e jo vetëm me këmbë, por kryesisht me zemër, nuk ka zemër shtegtare. E zemra, që nuk di të shtegtojë, nuk di as të shkojë përtej vetvetes, nuk është zemër e aftë për të adhuruar Hyjin, e as për t’i ndihmuar vëllezërit. Një Kishë e tillë është në të shuar e duhet kthyer sa më shpejt në jetë. Këtë shtegtim, që e bëni atje një herë në vit, duhet ta bëni ditë për ditë, në jetën e zakonshme: shtegtimin drejt Zotit, për ta adhuruar. Shtegtimi drejt Nënës sonë, Virgjërës, për ta kujtuar e për ta dashur, është shtegtim drejt burrave e grave, shtegtim drejt nevojave të popullit tonë.
Temë tjetër e dashur, lufta kundër përgojimeve, thashethemnajës, me porosinë për të hequr dorë përgjithnjë nga fjalët, që mund të hapin plagë në gjirin e bashkësisë. Të punosh për bashkimin, është gjithnjë shumë e rëndësishme, pohon Papa, ndonëse duke pranuar se ndryshime do të ketë gjithnjë e kurrë nuk do të mungojnë ndeshjet. Po ajo, që ka rëndësi, është të mos i lëmë problemet të trashen e t’i zgjidhim ndërmjet vëllezërve. Sepse, sipas një shprehjeje tashmë të njohur të Papës, nuk është e krishterë ta rrjepësh tjetrin për së gjalli.
E në përfundim, pohimi shumë i rëndësishëm për jetën e Kishës, ai kushtuar thirrjeve dhe guximit për t’i dhënë përgjigje Hyjit, kur të troket te porta e shpirtit:
“A los jóvenes les diría que si sienten alguna vez el llamado de Jesús…
Të rinjtë, që ndjejnë thirrjen e Jezusit, nuk duhet të kenë frikë. Duhet të mendojnë për të mirat, që mund të bëjnë, për ngushëllimin, që mund të çojnë, për mesazhin e krishterë, që mund të kumtojnë. A është për të pasur frikë nga gjithë kjo mirësi? Jeta është bërë për t’u jetuar, jo për t’u soditur. E nëse ndokush e ndjen se Zoti e thërret të formojë familje, të formojë një familje të krishterë, të madhe, të bukur, me shumë fëmijë, që e çojnë përpara fenë e vetë jetën.Përshëndetja përfundimtare, tipike për Françeskun, Papën që kumton pa u lodhur kurrë, mëshirën hyjnore: “Zoti na pret gjithnjë. Nuk lodhet kurrë duke falur. I lutem Zotit t’i bekojë të gjithë ata, që po më dëgjojnë, t’u japë forcë, forcë për të jetuar e për të luftuar, t’u japë guxim, që të mos e lejojnë askënd t’ua rrëmbejë shpresën. E në fund Françesku, gjithnjë buzagaz, uron që Zoti t’u japë të gjithëve një ledhatim e një buzëqeshje.







All the contents on this site are copyrighted ©.