2014-08-11 14:14:48

Papa koreanëve: të moshuar e të rinj së bashku, garanci për të ardhmen


Në prag të shtegtimit të tij apostolik në Kore, nga 13 deri më 18 gusht, Papa u drejtoi koreanëve këtë mesazh, transmetuar menjëherë nga një mori mjetesh botërore të informacionit.RealAudioMP3

Të dashur vëllezër e motra!
Pas pak ditësh, me ndihmë të Zotit, do të jem mes jush, në Kore. Ju falënderoj që tani për pritjen e ju ftoj të luteni së bashku me mua, që ky shtegtim apostolik të lidhë fryte të begata për Kishën e për shoqërinë koreane.
“Ngreju, shkëlqe!”(Is 60,1): me këto fjalë, që Profeti ia pati drejtuar Jeruzalemit, unë po ju drejtohem ju. Është Zoti, që ju fton ta pranoni dritën e Tij, ta pranoni në zemra, për ta pasqyruar në një jetë përplot me fe, shpresë e dashuri, përplot me gëzimin e Ungjillit.
Siç e dini, vij me rastin e Ditës VI Aziatike të Rinisë. Të rinjve, në mënyrë të veçantë, u sjell thirrjen e Zotit: “Rini e Azisë, ngreju! Drita e martirëve shndrit mbi ty”. Drita e Krishtit të ngjallur shkëlqen si në pasqyrë, në dëshminë e Paul Yun Ji-Chung e 123 shokëve të tij, të gjithë martirë të fesë, që do t’i shpall të lum më 16 gushtin e ardhshëm, në Seul.
Të rinjtë janë mbartës të shpresës e të energjive për të ardhmen; por janë edhe viktima të krizës morale e shpirtërore të kohës sonë. Prandaj dëshiroj t’u shpall atyre, e të gjithëve, të vetmin emër në të cilin mund të shpëtojmë: Jezusi, Zoti!
Të dashur vëllezër e motra koreane! Feja në Krishtin ka lëshuar rrënjë të thella në trojet tuaja e ka sjellë fryte të begata. Të moshuarit janë rojtarë të kësaj trashëgimie: pa ta, të rinjtë do të ishin krejt pa kujtesë. Takimi i të rinjve me të moshuarit është garanci e përparimit të popullit. E Kisha është familja e madhe, në të cilën të gjithë jemi vëllezër në Krishtin. Në emër të saj vij mes jush, me gëzimin të ndaj me ju Ungjillin e dashurisë e të shpresës.
Zoti ju bekoftë e Virgjëra Mari ju mbrojtët!








All the contents on this site are copyrighted ©.