2014-08-11 11:37:45

Nunci në Bagdad: t’u hiqen dore armët xhihadistëve!


“Nuk duhet braktisur popullsia irakiane. Ndihmat humanitare janë të domosdoshme, por më mirë do të ishte të ndalohej vala e dhunës. Me këto fjalë mund ta përmbledhim mendimin e nuncit Apostolik në Irak e Jordani, imzot Giorgio Lingua, për situatën në këto vise, për të cilat flet, plot shqetësim, në mikrofonin e Radio Vatikanit: RealAudioMP3

Përgjigje: - Jam prekur posaçërisht, nga ajo, që kam mundur të shoh. Nga drama e fëmijëve të lodhur e të këputur, pas përshkimit të një udhe prej disa kilometrash, bërë në kushte tejet të vështira: i kam parë të shembur përdhe, pa forcë për të qëndruar në këmbë. I kam parë duke fjetur mbi gurë. Pamje tronditëse, që nuk mund të harrohen! E mendoj edhe për pleqtë e shumtë, që detyrohen të lënë gjithçka, për të bërë të njëjtën rrugë, atë të të ikurit. Shikoj një popull, që dyndet larg strehës së vet, e kjo nuk mund të mos të trondisë.

Pyetje: - Këto ditë morëm lajmin se Ati i Shenjtë po mendon edhe për t’u takuar me të gjithë nuncët e zonës…

Përgjigje: - Po. Por nuk është gjë, që mund të bëhet shpejt. Vetë Ati i Shenjtë, kur e takova nja 15 ditë më parë, më tha se po mendonte t’i thërriste nuncët e zonës për të parë si mund të përballohet sidomos problemi i shpërnguljes së të krishterëve, e jo vetëm në Irak, natyrisht, por edhe në Siri e në vise të tjera, prej nga shihet një dyndje e vërtetë njerëzish, që lënë trojet stërgjyshore, ku u jetuan të parët prej dymijë vjetësh, për të ravguar krejt pa cak, në ato kushte, që i përshkova më sipër.

Pyetje: - Ju, a keni menduar për ndonjë rrugëzgjidhje të mundshme?

Përgjigje: - Nuk është aq e lehtë. Problemi kryesor është ai i armëve. Nuk mund të mos pyes veten si ia bëjnë grupet terroriste për të shtënë në dorë gjithë këto armë moderne. Ata vetë nuk prodhojnë armë, prej këndej, pyetjet: “Nga i marrin? Kush ua jep? Prej nga vijnë”. Këtë e shikoj si dështim të plotë të shërbimeve të fshehta të sigurisë. E mendoj se, në radhë të parë, duhet ndaluar ose kontrolluar më mirë ky aspekt. Përndryshe konfliktet nuk do të marrin fund kurrë!

Pyetje: - Shumë zëra vijojnë të ankohen, këto ditë, për institucionet në Irak, që po ndjehen fare pak, në përpjekjen për të arritur në fundin e kësaj tragjedie të pafund. SHBA-të kanë pohuar se do të impenjohen, pa harruar të theksojnë se duhet një qeveri e fortë në Bagdad…

Përgjigje: - Sigurisht. Pa dyshim: duhet një qeveri, që i përfshin të gjitha forcat, përndryshe shteti bëhet gjithnjë më i dobtë. Është e qartë se domokracia nuk mund të ngrihet menjëherë, do kohën e vet. Demokracia nuk është diktaturë e shumicës: duhet t’i ketë mirë parasysh edhe pakicat, grupet më të ligshta e edhe ata, që mendojnë ndryshe. Kjo është udha, që do bërë me kohë, por që duhet të nisë, përndryshe vendi nuk do të dalë kurrë nga shtegu i verbër.

Pyetje: - Tani jemi para një vendimi të prerë: SHBA-të vendosën të ndërhyjnë me armë e me ndihma humanitare…ç’mendoni për këtë?

Përgjigje: - Për fat të keq, ndërhyhet për të ndrequr një situatë, që ndoshta mund të parandalohej, por është gjë e mirë, kur arrihet, të paktën, t’u hiqen armët nga dora këtyre njerëzve, që nuk e dinë ç’është brerja e ndërgjegjes, sepse nuk kanë ndërgjegje.

Pyetje: - Papa vendosi të dërgojë në Irak kardinalin Filoni, për të vlerësuar situatën, e edhe për të vepruar. Udhëtim delikat, apo jo?

Përgjigje: - Besoj se është gjest tejet i vlerësuar nga popullsia, sepse ka shumë rëndësi të mos ndjehet e braktisur. E qartë se kjo, materialisht, nuk do të mund t’i zgjidhë të gjitha problemet, por nuk duhet harruar se sensibilizon opinionin publik e u kujton njerëzve të munduar se ka edhe nga ata, që i kanë shumë për zemër. E kjo ka shumë rëndësi, sepse kur e ndjen veten krejt të braktisur, nuk ke sesi të mos e humbasësh çdo shpresë.

Pyetje: - Cili është, në këtë çast, shqetësimi juaj kryesor për popullsinë irakiane e për gjithë vendin?

Përgjigje: - Ajo që kërkoj, është të mos e humbasin shpresën. Lutem që këta njerëz të jenë të vetëdijshëm e të kuptojnë se edhe kur fryn e shfryn stuhia, Jezusi është aty, fare pranë të gjithëve. E më duket se të gjithë po e japin këtë dëshmi, si dëshmitarë të fesë. E unë lutem që kjo fe të mos u mungojë kurrë!









All the contents on this site are copyrighted ©.