2014-08-10 13:41:40

Françesku, në Engjëllin e Tënzot, kujton dramat në Irak e në Gazë dhe lutet për viktimat e ebolës


Në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, pasi foli për episodin ungjillor të Jezusit, që ecën mbi ujërat e liqenit, Papa kujtoi situatën dramatike në Irak, ku mijëra njerëz, ndërmjet të cilëve një mori të krishterësh, dëbohen brutalisht nga shtëpitë e tyre. Edhe në Gazë, pas një armëpushimi të shkurtër, shtoi Françesku, rifilloi lufta, që po grin e korr jetë të pafajshme njerëzish e nuk bën tjetër, veçse ta thellojë konfliktin. Të lutemi, ftoi më pas Ati i Shenjtë, edhe për viktimat e virusit “ebola” e për të gjithë ata, që po përpiqen t’i vënë pritë.

Të tmerrojnë e të lënë pa gojë, theksoi Papa, lajmet që vijnë nga Iraku, ku mijëra njerëz, ndërmjet të cilëve, një mori të krishterësh, dëbohen nga shtëpitë e tyre në mënyrë brutale:
“Fëmijë të vdekur nga etja e nga uria gjatë ikjes; gra të rrëmbyera; njerëz të masakruar; dhunë e të gjitha tipeve; rrënime kudo: rrënime shtëpish, pasurish fetare, historike, kulturore. E gjithë kjo e fyen rëndë Zotin; fyen rëndë edhe njerëzimin. Nuk urrehet në emër të Zotit. Nuk bëhet luftë, në emër të Zotit! Ne të gjithë, duke menduar për këtë situatë, të heshtim tani e të lutemi”.
Papa, pastaj, uroi të gjindet një rrugëzgjidhje politike, në nivel ndërkombëtar:
“I falënderoj ata që, me guxim, po u çojnë ndihma këtyre vëllezërve e motrave, e besoj se një rrugëzgjidhje politike në nivel ndërkombëtar e lokal, do të mund t’i ndalojë këto krime e të rivendosë drejtësinë. Që t’i siguroj më mirë këto popullsi për afërsinë time, emërova të dërguarin tim personal në Irak, kardinalin Fernado Filoni, i cili do të niset nesër nga Roma”.
Papa kujtoi, pastaj, edhe dramën e Gazës, e u lut për paqe në këtë zonë të masakruar:
“Edhe në Gazë, pas një armëpushimi, rifilloi lufta, që shkakton viktima të pafajshme, që vret fëmijët… e nuk bën tjetër, veçse ta thellojë konfliktin ndërmjet izraelitëve e palestinezëve. Ta lusim së bashku Zotin e paqes, me ndërmjetësimin e Virgjërës Mari: jepu paqe, o Zot, ditëve tona e na bëj krijues të drejtësisë e të paqes”.
Lutje edhe për viktimat e virusit “ebola”, kërkoi Papa:
“Të lutemi edhe për viktimat e virusit “ebola” e për të gjithë ata, që po përpiqen t’i vënë pritë”.

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, pastaj, u ndalua tek faqja e Ungjillit të sotëm, ku shikojmë Jezusin, që ecën mbi ujërat e liqenit (cfr Mt 14,22-23). Pas shumëzimit të bukëve e peshqve, Zoti i fton dishepujt të ngjiten në barkë e të lundrojnë drejt bregut tjetër, ndërsa Ai e përshëndet turmën e tërhiqet, i vetëm, për t’u lutur mbi mal, deri kur bie errësira e natës. E ndërkaq mbi liqenin nis të shfryjë një stuhi e fortë. E pikërisht në mes të stuhisë, Jezusi niset kah barka e dishepujve, duke ecur mbi ujërat e liqenit, në tallaz. Dishepujt tmerrohen, kur e shohin e besojnë se është fantazmë. Po Ai i qetëson. “Zemër, mos kini frikë!”.
Pjetri i kërkon gati-gati një provë: “Zot, nëse je ti, urdhëro të vij pranë teje mbi ujëra”. Pjetri zbret nga barka e nis të ecë mbi ujëra, por era e fortë e tund e e shkund e ai, i tmerruar, fillon të fundoset. Atëherë bërtet: “ Zot, më shpëto!”. E Jezusi i jep dorën, e kap dhe e nxjerr përsëri mbi ujëra.
Jemi para ikonës së bukur të fesë së Shën Pjetrit Apostull. E edhe të fesë së secilit nga ne. Papa Françesku kujtoi se dishepujt provojnë të njëjtën frikë, të njëjtën ligështi, të njëjtin dyshim, që buron nga feja e paktë:
“Sa herë edhe ne na ndodh e njëjta gjë… pa Jezusin, larg Jezusit, pushtohemi nga frika e ndjehemi të pafuqishëm deri në atë pikë, sa të mendojmë se nuk mund t’ia dalim mbanë: na mungon feja! Po Jezusi është përherë me ne, i fshehur ndoshta, por i pranishëm e i gatshëm për të na shtrirë dorën”.
E kjo figurë, shtoi, i përshtatet shumë mirë Kishës: barkë, që duhet të përballojë stuhitë e që, nganjëherë, duket se do të përmbyset:
“Ajo, që e shpëton, nuk janë cilësitë dhe guximi i njerëzve të saj, por feja, që të ndihmon të ecësh edhe në errësirë, ndërmjet vështirësish; feja na jep sigurinë e pranisë së Jezusit, të pranisë së Tij, të dorës së tij, që na kap, për të na shpëtuar nga rreziku. Ne të gjithë jemi mbi këtë barkë, e këtu ndjehemi të sigurt, pavarësisht nga kufizmet tona e ligështitë tona; jemi në siguri, posaçërisht kur dimë të gjunjëzohemi e ta adhurojmë Jezusin: adhurojmë Jezusin, të vetmin Zot të jetës sonë”.
Në përfundim Papa u kujtoi besimtarëve se, që nga mërkura e ardhshme e deri më 18 gusht do të bëjë një shtegtim apostolik në Kore e u tha:
“Ju lutem, më shoqëroni me uratë. Kam nevojë. Faleminderit!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.